Një delegacion i Partisë Demokratike të Shqipërisë, i kryesuar nga kryetari Sali Berisha, zhvilloi një takim me eurodeputetin Michael Gahler, drejtues i Misionit të Vëzhgimit të Parlamentit Europian për zgjedhjet në Shqipëri.
Në bashkëbisedim morën pjesë gjithashtu nënkryetari i PD-së, Oerd Bylykbashi, kryetarja e LDG-së, Albana Vokshi, dhe kryetarja e Komisionit të Integrimit, Jorida Tabaku.
Berisha falënderoi z. Gahler për përkushtimin e tij të vazhdueshëm ndaj zhvillimeve politike në Shqipëri dhe për drejtimin profesional dhe objektiv të misionit vëzhgues të Parlamentit Europian në zgjedhjet e 11 majit 2025. Ai theksoi se angazhimi i eurodeputetëve si z. Gahler për demokracinë, sundimin e ligjit dhe standardet zgjedhore është thelbësor për të ardhmen europiane të Shqipërisë.
Gjatë takimit, Berisha shprehu shqetësimin e thellë për mënyrën se si u zhvilluan zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Sipas tij, të gjithë liderët kryesorë të opozitës – përfshirë atë si kryetar i PD-së, z. Ilir Meta dhe z. Fatmir Mediu – janë përballur me persekutim politik dhe ndjekje të montuara penale gjatë vitit zgjedhor, duke dëmtuar rëndë opozitën dhe barazinë në garë.
Berisha ngriti akuza për shpërdorim masiv të burimeve publike në funksion të fushatës së Partisë Socialiste, duke përmendur se sipas tij para zgjedhjeve ka pasur dhënie bonusi për pensionistët, falje gjobash, legalizime, leje ndërtimi, tenderime, punësime dhe premtime.
Sipas tij, sistemi i patronazhistëve është riaktivizuar dhe perfeksionuar si një “polici politike” për të ushtruar presion mbi administratën publike dhe qytetarët, duke ndikuar drejtpërdrejt në rezultatin e zgjedhjeve.
Një tjetër shqetësim i ngritur nga PD-ja ishte dyshimi për përfshirjen e grupeve kriminale në zgjedhje.
Berisha deklaroi se 28 kandidatë të Partisë Socialiste në 10 qarqe të vendit janë mbështetur nga struktura të lidhura me krimin.
U diskutua gjithashtu edhe çështja e votës së diasporës, për të cilën PD pretendon se është mohuar e drejta kushtetuese e mijëra qytetarëve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit për të votuar lirshëm.
Berisha theksoi se rezultati i zgjedhjeve nuk reflekton vullnetin e qytetarëve shqiptarë dhe se opozita do të vazhdojë betejën për transparencë dhe zbardhje të shkeljeve, përmes mbledhjes së mijëra provave që do t’u dorëzohen institucioneve të BE-së dhe organizmave ndërkombëtarë.
Ai i kërkoi z. Gahler dhe kolegëve të tij në Parlamentin Europian mbështetje për sigurimin e votës së lirë, si themel i çdo procesi demokratik dhe si një kusht kyç për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Në përmbyllje, eurodeputeti Michael Gahler garantoi se do të ndjekë me objektivitet dhe prioritet çështjet që lidhen me Shqipërinë, në emër të misionit të tij, dhe se do të mbështesë çdo përpjekje për përmbushjen e standardeve demokratike dhe kritereve të anëtarësimit në BE.
LEXONI GJITHASHTU:
- Berisha në Bruksel: Raporti i Komisionit të Jashtëm të PE denoncoi farsën elektorale
- Berisha në Asamblenë e PPE-së: Duhet mision faktmbledhës ndërkombëtar për zgjedhjet