Blegtoria në zhdukje, 67-vjeçari mban gjallë fermën e fundit në Karkavec të Përrenjasit

17 Qershor 2026 | 19:33

Në një kohë kur blegtoria po braktiset gjithnjë e më shumë nga të rinjtë, 67-vjeçari Avni Kryemadhi vijon të mbetet aktiv në këtë sektor në zonën e Karkavecit në Përrenjas.

Prej më shumë se katër dekadash, ai merret me mbarështimin e bagëtive, ndërsa prej 25 vitesh zotëron një fermë me 30 lopë dhe 30 viça.

Së bashku me bashkëshorten, Avniu kujdeset për 60 krerë bagëti, një angazhim i përditshëm që sipas tij shoqërohet me lodhje të madhe fizike.

“Kam 25 vjet që merrem me këto lopët dhe është e lodhshme, pavarësisht se shteti na ka ndihmuar me këto subvencionimet e lopëve dhe të viçave. Janë gati 15 hektarë tokë, të mbjella me vreshta, jonxhë, të gjitha këto parcela. Dhe kur nuk blen bazë ushqimore, ke edhe fitimin”, është shprehur ai.

Gjatë verës, ai i zhvendos bagëtitë në Stravaj, në vendlindjen e tij, ku kullotat natyrore ofrojnë kushte më të mira për mbarështimin e tyre.

 “Stravaji ka pasur mbi 5.000 kokë bagëti, tani 300-400 kokë as nuk janë. Stravaji atje është një mrekulli, perlë, me fusha e male. Lopët nuk bëjnë si dikur zullum te fshatarët. I lëshojmë në mëngjes dhe i marrim në darkë”, ka vijuar më tej ai.

Sfidë për Kryemadhin mbetet mungesa e interesit të brezit të ri për t’u marrë me blegtori, pavarësisht se fëmijët e ndihmojnë në fermë.

“Ata që kanë shkollë të lartë jo e jo, por edhe ata me arsim të mesëm apo 9-vjeçar nuk e kanë dëshirën të rrinë me bagëtitë. Më ndihmojnë, por këtë pasion siç e kam unë nuk e kanë”, ka treguar Avniu.

Teksa numri i blegtorëve është ulur ndjeshëm ndër vite, Avni Kryemadhi vijon të mbajë gjallë një profesion që po zhduket në zonë, duke mbetur i vetmi blegtor aktiv në Karkavec të Përrenjasit.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Bardhi nga Parlamenti Europian: Kuvendi është zhveshur nga funksioni i tij, opozitës iu refuzuan pesë kërkesa

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka kritikuar funksionimin e Kuvendit të Shqipërisë gjatë fjalës së tij në Parlamentin Europian. Sipas Bardhit,...
17:56 | 08/07/2026

Zjarr në kodrën e Kuzum Babasë në Vlorë, rrezikohen banesat pranë zonës

Një zjarr ka përfshirë pasditen e kësaj të mërkure kodrën e Kuzum Babasë në Vlorë, duke djegur sipërfaqe me shkurre dhe bimësi. Menjëherë pas marrjes...
17:21 | 08/07/2026

Përmbyset kamioni me inerte në aksin aksin Elbasan-Peqin, bllokohet qarkullimi

Një kamion i ngarkuar me inerte është përmbysur këtë të mërkurë në aksin rrugor Elbasan–Peqin, duke shkaktuar vështirësi në qarkullimin e mjeteve. Paraprakisht dyshohet se...
16:34 | 08/07/2026