Braçe flet për protestën: Unë mbetem socialist, deligjitimimi i zgjedhjeve do dëmtonte procesin në BE

24 Qershor 2026 | 16:49

Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka reaguar sërish lidhur me protestën e zhvilluar në Tiranë, duke e cilësuar atë si pjesë të një agjende politike që synon delegjitimimin e procesit zgjedhor dhe institucioneve të dala nga vota.

Përmes një videomesazhi në rrjetet sociale, Braçe tha se mbetet socialist, por shtoi se kjo nuk do të thotë të mos shprehë qëndrimet e tij.

“Shumë mesazhe dhe shumë komente edhe dje pas statusit për qëndrimet e mia. Një gjë duhet t’jua them, unë kam qenë socialist, jam socialist dhe mbetem socialist. Kjo nuk do të thotë që kam mbyllur sytë, kam mbyllur gojën dhe thjesht kam ngritur dorën. Jo, nuk e bëj dot këtë”, u shpreh ai.

Braçe tha se kundërshton atë që e cilësoi si një agjendë “primitive dhe të rrezikshme”, ndërsa argumentoi se protesta ka një prapavijë të qartë politike.

Sipas tij, prania e partive politike dhe e kandidatëve të partive të vogla në protestë tregon se ajo nuk lidhet me politika konkrete, por me objektiva politike.

“Agjenda politike është evidente, shumë e qartë dhe nuk ka lidhje me politikat, por është agjendë e mirëfilltë politike. Jo vetëm për shkak të asaj që tashmë është e dukshme, prezencën e partive politike në protestë, madje prezencën e partive politike në krye të protestës. Kandidatët për deputet të partive të vogla, të cilët as s’i njohu kush në fushatën elektorale, as s’i dëgjoi kush, as s’i votoi kush në fund fare janë mu aty dhe tani flasin si organizator të protestës”, deklaroi Braçe.

Deputeti socialist u ndal edhe te kërkesat e ngritura gjatë protestës, duke thënë se ato synojnë rrëzimin e institucioneve legjitime dhe vënien në diskutim të zgjedhjeve.

“Ajo që dëgjova është dorëheqje e kryeministrit, dorëheqje e qeverisë, por jo vetëm kaq, edhe rrëzim të mazhorancave legjitime të krijuara me votë. Delegjitimim i procesit zgjedhor. Delegjitimim të një procesi zgjedhor të njohur botërisht dhe të certifikuar si të tillë”, tha ai.

Braçe paralajmëroi se një qasje e tillë do të sillte pasoja për stabilitetin e vendit dhe do të krijonte një cikël të vazhdueshëm kontestimi të zgjedhjeve.

“Do të përsëritet e do të përsëritet dhe vendi do të kalojë jo vetëm në cenim të stabilitetit, por mbi të gjitha në kaos”, u shpreh deputeti socialist.

Në reagimin e tij, Braçe iu referua edhe procesit të integrimit europian të Shqipërisë, duke theksuar se vendi ndodhet në një moment të rëndësishëm të negociatave me Bashkimin Europian.

“Ne kemi probleme edhe me zgjedhjet, edhe me demokracinë dhe i kemi vënë në dukje partnerëve me të cilët po negociojmë, por kjo përmbysje totale, jo e sistemit, por e rregullave demokratike në vend, patjetër që sjell kaos. Kjo është një agjendë jo vetëm primitive, por edhe e rrezikshme”, përfundoi Braçe.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Rama flet për France 24: Faktorët e huaj nuk e duan investimin në Zvërnec

Kryeministri Edi Rama ka komentuar protestat kundër investimit prej 4 miliardë dollarësh në Zvërnec, duke i lidhur ato jo vetëm me pakënaqësi të brendshme, por...
15:07 | 24/06/2026

Djali i ish Presidentit Hashim Thaçi takon Edi Ramën: Faleminderit për mbështetjen ndaj UÇK-së

Endrit Thaçi, djali i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka ndarë në rrjetet sociale një foto nga takimi me kryeministrin Edi Rama, të shoqëruar me...
14:00 | 24/06/2026

Kërkesat e protestuesve, Berisha: Kufizimi i mandatit të kryeministrit në 2 mandate, PD plotësisht dakord

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një deklaratë për mediat këtë të mërkurë është ndalur edhe te protestat që po zhvillohen në Tiranë, konkretisht...
13:31 | 24/06/2026