Ceremoni në shtetrrethim, mbahen homazhet për heroin bullgaro-maqedonas
Maqedonia e Veriut kremtoi ditëlindjen e heroit bullgaro-maqedonas Goce Dellçev pa incidente dhe probleme, por në atmosferë të tensionuar dhe me siguri të lartë. Shkupi ishte blinduar nga policia me të gjitha njësitet nga toka dhe ajri. Zyrtarët e lartë shtetëror bënë homazhe tek varri i revolucionarit të rrethuar nga policë. Për shkak të masave të sigurisë edhe mediave ju kufizua lëvizja.
Në ceremoni pritej që të vinin edhe një numër i madh bullgarësh, por për shkak të problemeve në sistemin kufitar, shumë qytetarë u ndaluan. Këto masa shkaktuan kaos dhe nervozizëm tek disa bullgarë, të cilët sulmuan policët e Maqedonisë së Veriut. Përplasja përfundoi me tre shtetas bullgar të arrestuar në pikën kufitare “Deve Bair”.
“Ata fillimisht janë sjellë në mënyrë të pahijshme dhe të vrazhdë dhe kanë sulmuar verbalisht policët me fjalë më nënçmuese. Më pas kanë tentuar të sulmojnë fizikisht punonjësit e policisë, të cilët po kryenin veprime zyrtare, pas çka janë ndaluar”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Brendshme të RMV.
Ministri i brendshëm bullgar Ivan Demerxhiev kritikoi pengesat në kufi dhe në formë ironie paralajmëroi se do dhuronte para për modernizimin e doganave në Maqedoninë e Veriut.
“Siguri do të thotë që kushdo që dëshiron mund të vijë të nderojë në mënyrë paqësore Goce Dellçevin. Qëllimi i këtyre provokimeve është të na përçajnë dhe ne nuk kemi pse të përçahemi. Bullgaria lejoi qytetarët maqedonas që të vendosin lule në monumentet që deshën dhe ne presim veprime reciproke, që çdo bullgar të mund të vendosë lule në varrin e Goce Dellçevit”, u shpreh Demerxhiev.
Lideri i opozitës maqedonase Hristijan Mickoski tha se ndjehet i burgosur në shtetin e tij amë dhe se kjo masë e sigurisë si në gjendje lufte nuk i ngjan një manifestimi paqësor.
“U ndjeva i zhgënjyer që kalova dy barrikada drejt kësaj kishe. Në vend që të afrohemi dhe miqësia të rritet, ne jemi më larg se kurrë. 68 muaj më parë premtuan se Maqedoninë do ta çojnë në Evropë, ndërsa sot jemi në nivelin e korrupsionit me Tunizinë. Sot shohim masa sigurie të jashtëzakonshme, helikopterët fluturojnë si në kohë lufte”, tha Mickoski.
Pas largimit të delegacioneve politike, policia filloi të lejojë grupe të vogla të qytetarëve maqedonas që kishin ardhur në Kalanë e Shkupit për të nderuar varrin e revolucionarit maqedonas Goce Dellçev, por me kontrolle të shumta dhe në mënyrë të organizuar.
Bullgarët kanë paralajmëruar të tjera aktivitete për figurat e rëndësishme historike në Maqedoni edhe në të ardhmen. Pritet hapja e klubeve të reja bullgare në qytete të tjera, gjë që pritet të shtojë edhe më shumë tensionin mes dy popujve.
LEXONI GJITHASHTU:
Samiti i NATO-s në Ankara, liderët botërorë bëjnë foton familjare
Zjarr masiv në Porto Palermo
Helmimi i studentëve në Akademinë e Sigurisë, reagon AKU
- 20:52 E rëndë në Vlorë, makina e Policisë Bashkiake përplas një fëmijë
- 20:43 Deputetët francezë miratojnë ligjin për vdekjen e asistuar pas vitesh debate
- 20:38 Vuçiç reagon kundra deklaratës së ministres së tij: Ne duhet të jemi për paqe dhe stabilitet, kurrë pastrim etnik, pikë
- 20:29 Dyshime për abuzim me fondet, ndalohen drejtoresha e filialit të Postës në Durrës dhe dy punonjëse të tjera
- 20:17 Abdixhiku pranon Kuvendin e jashtëzakonshëm për shkarkimin e tij, ndërpret negociatat me Kurtin
- 20:16 Berisha: Le t’u shprehim nderimin më të madh atyre dhjetëra mijëra qytetarëve që çdo natë luftojnë me me narko-diktaturën