Pas shumë vitesh testime dhe eksperimentesh, gjenerata e pestë e sistemit të telekomunikacioneve – rrjeti 5G – do të prezantohet gjerësisht në kontinentin Europian në 2020.
Çfarë është saktësisht 5G dhe si do e ndryshojë jetën tonë?
Çfarë është 5G-ja?
Rrjetet 5G përfaqësojnë brezin e ardhshëm të lidhjes së celularëve me internet. Do të ofrojë shpejtësi të lartë për transmetimin e të dhënave si dhe lidhje më të sigurta me telefonat “smart” e pajisje të tjera. Do të jetë paktën 100 herë – dhe deri në 1 mijë herë– më e shpejtë se 4G-ja, duke bërë të mundur shkarkimin e filmave me rezolucion të lartë në vetëm pak sekonda.
Çfarë përparësish do të sjellë?
5G është e ndërtuar për një botë ku miliarda pajisje do të jenë të varura nga një lidhje e vazhdueshme me internetin.
Telefonat e parë celularë me rrjetin 5G kanë filluar në Europë që në shtatorin e shkuar. Në shumë vende, infrastrukturat e para të rrjetit tashmë kanë përfunduar.
Komisioni Europian e ka përshkruar si “një nga blloqet ndërtuese më kritike për ekonominë digjitale dhe shoqërinë për dekadën e ardhshme”.
Shpejtësia e 5G-së dhe lidhja latente e ulët– e cila i lejon pajisjet të përpunojnë një vëllim shumë më të lartë të dhënash me një vonesë minimale –do të nxisë inteligjencën artificiale ka thënë Komisioni.
Me kalimin e kohës, i gjithë aktiviteti ekonomik do të ndikohet nga strukturat e reja të 5G-së duke përshpejtuar transformimin digjital të kompanive dhe, për rrjedhojë, revolucionin e katërt industrial.
Industria automobilistike, transporti si dhe rrjetet e infrastrukturës dhe shëndetësia, janë ndër sektorët që do të transformohen prej rrjetit 5G.
Kamionë dhe makina pa shoferë, ndërtesa dhe qytete “smart” si dhe ndërhyrje më të shpejta mjekësore në zonat rurale janë disa prej inovacioneve falë rrjetit 5G.
Sa kohë do i duhet të presë?
Teknologjia 5G është përkohësisht duke u zhvilluar në mbarë botën.
BE-ja adoptoi aksion planin për teknologjinë në vitin 2016, me synimin për të lëshuar shërbimet 5G tek 28 vendet anëtare deri në fund të 2020-s.
Midis 2014-s dhe 2020-s, blloku ka shpenzuar rreth 700 milion euro për teknologjinë 5G, teksa sektori privat llogaritet se ka investuar më shumë se 3 miliardë euro. Kompania finlandeze e telekomunikacionit Nokia, shpalli vitin e shkuar se kishte siguruar një hua prej 500 milion eurosh nga Banka Europiane e Investimeve për të zhvilluar rrjetin 5G. Ndërsa, firma Ericsson e Suedisë ka siguruar 250 milion euro.
A është i dëmshëm për shëndetin rrjeti 5G?
Kjo nuk është bërë ende e ditur. Deri më tani, askush nuk ka qenë i aftë për t’iu përgjigjur kësaj pyetje. Teksa shumë kanë diskutuar se vendosja e më shumë antenave, sjell një rrezik për shëndetin.
Sipas një raporti nga Komisioni Europian, botuar gjatë vitit të shkuar, duket se “studimet ende nuk kanë dhënë prova të qarta për ndikimet që mund të ketë mbi gjitarët, zogjtë ose insektet”.
“Mungesa e provave të qarta për të informuar zhvillimin e udhëzimeve për ekspozimin ndaj teknologjisë 5G, le të hapur mundësinë e pasojave të padëshiruara biologjike”, thuhej më tej në raport.
A është ky fundi i 4G-së?
Jo, sepse 5G-ja nuk do të zbatohet menjëherë në mbarë botën, kështu që të dy sistemet do vazhdojnë të ekzistojnë për krah njëri tjetrit, veçanërisht pasi jo të gjitha pajisjet përputhen me teknologjinë 5G.