Deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, i ka dërguar një letër Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ku e njofton atë se nuk do të marrë pjesë në konsultat për themelimin e qeverisë së re.
Kamberi ka theksuar se nuk sheh të arsyeshme të bëhet pjesë e një procesi të rrejshëm të demokracisë, duke u kufizuar vetëm në përmbushjen e formës, kurse shqiptarët, sipas tij, mbeten një pakicë skajshmërisht e diskriminuar në sistemin shtetëror të Serbisë në 13 vitet e fundit.
“Njëkohësisht, kam informuar Presidentin se përkundër përpjekjeve politike dhe institucionale të shumta, asnjë qeveri e drejtuar nga ju dhe subjekti politik që keni udhëhequr, nuk ka konsideruar të arsyeshme të bashkëpunojë me përfaqësuesit shqiptarë për realizimin e kërkesave tona legjitime”, ka shkruar Kamberi.
Ai ka theksuar gjithashtu angazhimin e tij për vazhdimin e betejës politike për të realizuar kërkesat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, duke shtuar se do të vazhdojë të punojë për këtë qëllim, por nuk do të bëhet pjesë e një procesi që, sipas tij, nuk ofron mundësi për ndryshim të vërtetë.
“Derisa të realizohen kërkesat tona, nuk shoh të arsyeshme të marr pjesë në një proces që vetëm sa përmbush formën, ndërkohë që bashkëkombasit e mi mbeten të diskriminuar në sistemin shtetëror”, ka përfunduar Kamberi.

Letra e plotë
Z. President,
Në emër të Listës zgjedhore “Beteja politike e shqiptarëve vazhdon – Shaip Kamberi”, e cila ka një deputet përfaqësues të komunitetit shqiptar në Kuvendin e Serbisë, ju njoftoj se për herë të parë në historikun e përfaqësimit tonë parlamentar, nuk do të marrim pjesë në konsultat e planifikuara për formimin e qeverisë së re.
Deputetët shqiptarë ndër vite kanë marrë pjesë në konsulta, të cilat, sipas legjislacionit vendor, mbahen nga presidenti i shtetit, me të gjitha listat parlamentare që sigurojnë mandate përfaqësimi në Kuvendin e Serbisë.
Sikurse në vitin 2012, edhe në vitet 2014, 2016, 2020, 2022 dhe 2024, deputeti ose deputetët shqiptarë i kanë paraqitur presidentëve të shtetit, në formë të shkruar, kërkesat legjitime të popullatës shqiptare, si nevojë për përmirësimin dhe avancimin e pozitës shqiptare në Republikën e Serbisë.
Që nga viti 2014, kërkesat e shqiptarëve janë kryesisht të bazuara në dokumentin e njohur si “Plani shtatë pikësh”, të cilin e kishin përpiluar të gjitha subjektet politike shqiptare.
Po atë platformë politike, e cila është konsideruar si e drejtë dhe e përpiluar sipas legjislacionit vendor dhe standardeve evropiane, e ka aprovuar edhe Qeveria e Serbisë në vitin 2013.
Që nga ajo kohë e deri më sot, përtej përpjekjeve tona politike dhe institucionale, asnjë qeveri e drejtuar nga Ju dhe subjekti politik që keni udhëhequr për kaq shumë vite, nuk ka parë të arsyeshme të bashkëpunojë me përfaqësuesit shqiptarë për realizimin e kërkesave tona legjitime.
a. Pasivizimi i shqiptarëve vazhdon edhe sot;
b. Mosnjohja e diplomave të studentëve tanë që kanë përfunduar studimet në Universitetet e Republikës së Kosovës vazhdon të jetë arsyeja kryesore e ikjes masive të të rinjve shqiptarë nga Lugina e Preshevës;
c. Dyert e institucioneve publike vazhdojnë të mbeten të mbyllura për shqiptarët dhe punësimi i tyre në këto institucione është ende i pamundur;
d. Gjuha e urrejtjes (edhe pse keni premtuar personalisht se do të angazhoheshit për parandalimin e saj) vazhdon të mbetet pjesë e komunikimit të përditshëm të përfaqësuesve të lartë shtetërorë me shqiptarët;
e. Presheva, Bujanoci dhe Medvegja vazhdojnë të mbeten komunat më të pazhvilluara në Serbi;
f. Mjekët që punuan gjatë pandemisë COVID-19 në Shtëpinë e Shëndetit në Preshevë, përkundër udhëzimit të Qeverisë që ata duhet të punësohen me vendim të përhershëm, vazhdojnë të mbeten të papunë;
g. Po ashtu, kuadrot e specializuara shqiptare në polici kanë mbetur gjithashtu të papunë;
h. Për më shumë, për vite të tëra asnjë polic shqiptar nuk është punësuar në policinë lokale të Preshevës, Bujanocit e Medvegjës.
Pasi mora parasysh të gjitha këto çështje dhe jam i bindur për mungesën e thellë të vullnetit politik në Beograd për përmirësimin e pozitës së shqiptarëve, dhe që shqiptarët të trajtohen si qytetarë të barabartë të këtij shteti, Ju njoftoj se nuk do të marrim pjesë në konsultat e parapara për krijimin e qeverisë së re.
Kriza aktuale politike në Serbi kërkon një qasje të re, pa presione ndaj atyre që mendojnë ndryshe, me lirinë e plotë të medias dhe me respektimin e pakusht të të drejtave të njeriut dhe pakicave kombëtare.
Mbetem i përkushtuar për vazhdimin e betejës sonë politike dhe i hapur për të biseduar dhe bashkëpunuar me çdo palë që, në mënyrë serioze, sinqertë dhe pa kalkulime, në përputhje me parimet e Bashkimit Evropian, ka gatishmërinë për të filluar realizimin e kërkesave tona legjitime.
Deri atëherë, nuk shoh të arsyeshme të bëhem pjesë e një procesi të rrejshëm të demokracisë, që vetëm sa përmbush formën, ndërkohë që bashkëkombasit e mi mbeten pakica skajshmërisht e diskriminuar në sistemin shtetëror në 13 vitet e fundit.
LEXONI GJITHASHTU:
- Nisin konsultimet për formimin e qeverisë së re, opozita kundërshton planin e Vuçiç
- Vuçiç bisedë telefonike me Macron, zbardhen diskutimet