Drejtoresha e Qendrës së Shërbimeve Arsimore sqaron ndryshimet që do të ketë testi i maturës shtetërore këtë vit
Drejtoresha e Qendrës se Shërbimeve Arsimore, Rezana Vrapi, sqaroi në Euronews Albania mënyrën se si do të realizohen testimet e provimeve të maturës 2020, duke treguar të gjithë ndryshimet e vendosura në këtë vit të pazakontë.
“Këtë vit do të ketë disa ndryshime në lidhje me zhvillimin e Maturës Shtetërore. Ndryshimet kanë të bëjnë qoftë me strukturën e testit dhe qoftë me mënyrën e administrimit të saj në salla. Lidhur me strukturën e testit, nuk do të ketë më pyetje ese apo përgjigje të shkurtra, do të jenë të gjitha me alternativa. Ka një reduktim të kohës, nga 2 orë e gjysëm në 2 orë, kjo për shkak se nxënësve nuk do t’u duhet të shkruajnë më. Ndryshimi tjetër lidhet me programin orientues, i cili është publik tashmë në faqjen e internetit të ministrisë. Në lidhje me administrimin do të respektohet maksimalisht distanca, pasi shëndeti i nxënësve është primar. Nuk do të lejohen më shumë se 12 nxënës në një mjedis provimi. Ata nuk do të shkojnë në shkolla të tjera. Vetëm në rastet kur hapësira është e pamjaftueshme, disa mund drejtohen në ndonjë shkollë të afërt 9-vjeçare”, tha Vrapi.
Ajo shtoi se higjenizimi i mjedisit dhe përdorimi i maskave do të jenë pjesë e planit për të mbrojtur shëndetin e maturantëve.
“Nxënësit do të duhet të zgjedhin një prej 4 alternativave që do të vendosen poshtë çdo pyetjeje. Ndryshe nga sa mund të mendohet këto pyetje nuk janë të thjeshta, por mund të kenë disa nivele vështirësie. Mund të jenë të nivelit të parë, të dytë, të tretë. Kërkojnë shumë vëmendje dhe logjikë. Nuk janë pyetje që sa i shikon mund t’i zgjidhësh menjëherë. Do të ketë edhe pyetje të thjeshta që mund të zgjidhen menjëherë, por ka edhe pyetje me një shkallë vështirësie më të lartë që kërkojnë një përqendrim më të madh. Sot shumë teste serioze në botë përdorin vetëm pyetje me alternativa, pra nuk është çudi që në një test të standartizuar të përdoren vetëm pyetje me alternativa. Patjetër do të ishte mirë që në test të kishte edhe pyetje me zhvillim, nuk jemi kundra tyre, por prej kushteve të krijuara këtë vit pyetjet janë paksa specifike, duke qenë se ato me zhvillim kërkojnë edhe grupe korrigjuesish, të cilët janë në distanca shumë të afërta me njëri-tjetrin për një periudhë relativisht të gjatë kohe. Duke menduar edhe për shëndetin e tyre, kemi vendosur që të shkurtohet koha e qëndrimit të korrigjuesve në distanca shumë të afërta me njëri–tjetrin”, u shpreh Vrapi.
Rreth mënyrës së zgjidhjes së ushtrimit, Vrapi tregoi se në lëndë si matematika, fizika dhe kimia ku maturantëve do të duhet të bëjnë fillimisht zgjidhjen e ushtrimit dhe pastaj të qarkojnë alternativën, këtyre pyetjeve do t’u jepet hapësira e duhur në test që maturanti ta zgjidhi. Megjithatë, ajo që do të vlerësohet në fund është përgjigja që ai ka qarkuar dhe jo rruga e zgjidhjes.
“Pyetjet me alternativa do të korrigjohen me skaner dhe për pasojë shmanget mundësia e gabimeve njerëzore. Testi korrigjohet nga makineria dhe besueshmëria e tij është 100%”, u shpreh Vrapi.
Vala e të nxehtit në Shqipëri, Ministria e Shëndetësisë nxjerr masat për qytetarët: Ja çfarë duhet të bëni
Protestuesi Erlis Sina i përgjigjet Ramës nga protesta: Nuk mund të jemi miq
Dita e 24-t e protestës, publikohen 5 kërkesat kryesore të protestuesve
- 16:47 Rrebeshe të forta shiu përfshijnë Elbasanin, vështirësi në qarkullimin rrugor
- 16:42 Rrufeja godet tufën e bagëtive në Librazhd, ngordhin 14 dhi
- 16:41 Komisioni Evropian prezanton paketë për thjeshtimin e taksave, kursime deri në 8 miliardë euro në vit
- 16:38 Lavrov: Moska mbetet e angazhuar ndaj marrëveshjeve të arritura mes Putinit dhe Trumpit
- 16:37 Momente paniku në Madrid, qindra persona evakuohen nga zjarri në rrokaqiellin 49-katësh
- 16:22 Haziri: Votat e LDK-së mund të unifikohen vetëm për president nga radhët e partisë