Durrësi me vetëm 2 korsi biçikletash që kanë kushtuar 3,5 milionë euro

1 Maj 2022 | 09:55

Të lëvizësh me biçikletë në rrugët e Durrësit do të thotë të rrezikosh edhe jetën. Qyteti me rreth 300 mijë banorë ka vetëm 2 korsi biçikletash.

Trajneri i mirënjohur durrsak, Edmond Zalla ka lëvizur gjithë jetën e tij me biçikletë.

Sot rreth të 70-tave, Zalla na tregon se dyrrotaku është pasioni i tij.

“Unë jam bërë përdorues biçiklete që fëmijë. Mbaj mend që 6 vjeç e kam mësuar biçikletën e babait tim dhe që nga ajo kohë unë jam përdorues i rregullt biçiklete për arsye edhe pune, edhe sportive, por edhe elegance e qytetare”, tregon Zalla.

Por jo gjithmonë pedalimi është pasion. Shpeshherë ai është e vetmja zgjidhje alternative.

Para viteve ‘90, raste të tilla ishin të zakonshme. Ish-trajneri na flet me nostalgji për këtë periudhë.

“Po ku kishte familje durrsake pa biçikleta? Si do shkonin të gjithë durrsakët në Shkozet? Po Shkozeti ishte qendra industriale e Durrësit, të gjithë me biçikleta shkonin, në plazh me biçikleta shkonin dhe vetvetiu po t’i shikoje atëherë qytetarët e Durrësit që përdornin biçikletat, ata ishin elegantë, ishin të bukur, ishin kinga, nuk ishin obezë. Kishe qejf t’i shikoje djemtë e burrat e Durrësit atëherë”, kujton ish-trajneri.

Ndonëse jo si dikur, edhe sot sheh në çdo rrugë të qytetit përdorues të biçikletës.

Por ‘trendi’ për të lëvizur me biçikletë nëpër qytet, si një mekanizëm shumë ekonomik për qytetarët, nuk shkon në të njëjtën linjë edhe me investimet e pushtetit vendor.

Qyteti ka gjithsej 6.3 kilometra rrugë të dedikuar biçikletave.

Korsia fillon në rrugën përbri portit dhe përfundon në fund të rrugës “Pavarësia”, që përshkon mes për mes “zemrën” turistike të qytetit bregdetar.

Realizimi i projektit për korsitë e biçikletave, ndriçimit dhe gjelbërimit ka kushtuar 3.5 milionë euro.

Por për cilësinë e tyre flasin më mirë vetë përdoruesit.

“Është një konceptim i mirë, por ne kemi parë që është ndërtuar në mënyrë të fragmentuar. Së pari, korsia e biçikletave në zonën e plazhit, që nga shtresa e saj nuk është e përshtatshme, sepse ajo është e shtruar e gjitha me pllaka. Dhe jo vetëm kaq. Në të gjithë gjatësinë e saj ka puseta të shumta”, shprehet Geri Emiri, përfaqësues i “Bicycle Durrës”

Krahas cilësisë, një tjetër problem vështirëson pedalimin. Kështu çiklisti është në një rrezik konstant se mund të aksidentohet vetë, ose mund të aksidentojë ndonjë këmbësor.

“Dikush është përplasur gabimisht me një këmbësor, dikush tjetër me objekte të forta, dikush është përplasur me automjete. Pra, në grupimin tonë ka veteranë të të gjitha formave”, thotë përfaqësuesi i “Bicycle Durrës”.

Klaudio Hyseni, drejtues ekzekutiv i qendrës “Durrësi aktiv” tregon se bashkisë i janë drejtuar disa peticione që të përfshinte më shumë korsi biçikletash.

Nga ana tjetër ‘Bicycle Durrës’ ka bërë një guidë çiklistike, që ka përfshirë të gjithë standardet europiane se si mund të ndërtohen korsitë e biçikletave dhe të përfshihen në akset kryesore të rrugëve.

Por pavarësisht përpjekjeve për t’u dëgjuar, kërkesat kanë rënë në vesh të shurdhët.

Nga vëzhgimi në terren rezulton se në investimet e reja, si ndërtimi i sheshit “Veliera” dhe rehabilitimi i rrugëve nuk janë përfshirë korsitë për biçikleta.

Euronews Albania tentoi disa herë të kontaktonte me përfaqësues të bashkisë lidhur me këtë shqetësim, por këta të fundit nuk pranuan të prononcohen.

 

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

SPAK njoftim zyrtar: Goditet grupi i trafikut të drogës dhe pastrimit të parave, mes të dyshuarve edhe biznesmenë

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dalë me një njoftim zyrtar në lidhje me finalizimin e një operacioni të gjerë ndërkombëtar,...
19:24 | 12/06/2026

Rama reagon sërish: Shënim i detyruar për ata që po shfrytëzojnë protestat për të rritur ndjekësit

Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj asaj që në rrjetet sociale po etiketohet si “Revolucioni i Flamingove”, një lëvizje proteste kundër projekteve të zhvillimit në...
21:38 | 07/06/2026

“Jam i lodhur nga telenovela Veliaj”, Hasimja: Sa më e gjatë bëhet, aq më shumë lodhen njerëzit

Politologu Ermal Hasimja komentoi në emisionin Now në Euronews Albania vendimin e Gjykatës së Lartë që hodhi poshtë rekursin e kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj...
21:37 | 28/05/2026