English

“Drogën e kam nisur 16 vjeç”, rrëfehet ish-përdoruesi i heroinës: E gjeje kudo

KOMENTE

SHPERNDAJE
ARTIKULLIN

Text sizeAa Aa

Një ish-përdorues i heroinës ka rrëfyer për mikrofonin e Euronews Albania historinë e tij.

- Advertisement -

Ai tregon se drogën e nisi nga kureshtja kur ishte vetëm 16 vjeç, ndërsa për 10 vite u bë i varur prej saj.

“Kur e kam marrë drogën për herë të parë kam qenë 16 vjeç, nuk e dija se çfarë ishte, thjesht dëgjonim këta që ishin si të fortët e lagjes, u bëmë kurioz, u bëmë 3 çuna dhe shkuam blemë 2 doza nga 5 mijë lekë.

Vajtëm te Parku i Liqenit, u ulëm, bëmë një cigare, pas cigares së dytë na u duk sikur ishim ne në gjithë botën e s’kishte të tjerë, efektin e kishte disa minuta me vonesë. Morëm prapë natën e dytë, ne nuk e dinim që po të vazhdoje ta pijë 2-3 muaj pa ndërprerje s’e largoje dot më, ky ishte problemi, që atëherë na e kërkonte trupi. Direkt heroinë kam filluar, nuk kam pirë ndonjëherë hashash”, tregoi ai.

Ish-përdoruesi i heroinës tha se përdorimi i saj i shkatërroi jetën duke e detyruar të vidhte dhe të gënjete për të siguruar lëndën narkotike. Ai shtoi se ka kaluar edhe overdozë ku rrezikoi seriozisht jetën.

“Ishte shumë shumë e lehtë ta gjeje, kollaj fare, sepse kishin të gjithë. Familja e kuptoi vonë pasi unë isha dhe i përkëdhelur, ata e dinin që unë rrija në lagje afër shtëpisë, por nuk dinin këtë tjetrën që kisha filluar drogën. U mërzitën kur e mësuan se isha përdorues se e dinë ku të çonë ajo gjë. Kam përdorur 10 vjet pa ndërprerje heroinë. Ka pasur një moment që kalova overdozë. Nuk mbaj mend gjë kur jam zgjuar, kam parë pellg me gjakë përpara turinjve të mi pasi kisha rënë me hundë. Në atë moment kujtova se më kishin grabitur, por më pas kuptova që kisha kaluar overdozë dhe që nga ai moment nuk e kam marrë më kurrë me injektim.

Vendosa ta lë se na shkatërroi me njerëzit e dashur, na bëri të mashtronim, të vidhnim, të gënjenim kot më kot, madje na bëri që të merrnim dhe gjëra nga shtëpia për të nxjerrë lekët e drogës. Erdhi një moment që mu neverit dhe nuk duroja dot më. Gjithmonë e kam pasur suportin e familjes pasi pa të nuk mund t’ia dilje dot”, tha ai.

Më tej, ai ndau dhe një apel për të gjithë të rinjtë, ku i këshilloi që të mos provojnë kurrë kokainë ose heroinë, pasi do të shkatërrojnë jetët e tyre dhe të familjarëve.

“Sot gjen lehtësisht heroinë, e gjen në Tufinë. Shitet me doza dhe kushton ose 40 ose 50 mijë lekë. Të rinjtë do bëjnë gabimin më të madh të jetës së tyre nëse do e provojnë kokainën dhe heroinën. Do shkatërrojnë veten dhe njerëzit që i duan”, tha ai.

Sot ai merr terapi me metadon për t’u shkëputur nga varësia, ndërsa apelon që askush të mos e provojë drogën sepse është shkatërruese.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Etiketimet

TË FUNDIT

Sondazh

Euro 2024| A mendoni se Shqipëria do të mund ta kalojë grupin e “ferrit” në kampionatin Evropian?