Euronews Albania siguron projektligjin e miratuar nga qeveria për amnistinë penale
Qeveria ka miratuar këtë të enjte projektligjin për dhënien e amnistisë penale, një dokument që Euronews Albania e ka siguruar dhe që parashikon përjashtim të plotë ose të pjesshëm nga vuajtja e dënimit, si edhe pushim të ndjekjes penale për një kategori të gjerë veprash dhe personash, me kufizime të forta për krimet e rënda.
Sipas projektligjit, amnistia mbështetet në parimet e humanizmit, rehabilitimit dhe mbrojtjes së interesit publik, me synim uljen e mbipopullimit në institucionet e vuajtjes së dënimit dhe rritjen e eficiencës së sistemit të drejtësisë. Në fokus të veçantë janë gratë, të miturit dhe të moshuarit, për të cilët parashikohen kritere më lehtësuese.
Dokumenti përcakton se përjashtohen nga vuajtja e dënimit burrat e dënuar me burgim deri në 3 vjet dhe gratë e dënuara deri në 4 vjet, për vendime të dhëna deri më 31 dhjetor 2025, pavarësisht nga koha e mbetur e dënimit. Po ashtu, përfitojnë edhe ata që, në momentin e hyrjes në fuqi të ligjit, kanë mbetur për të vuajtur deri në 3 vjet burg për burrat dhe deri në 4 vjet për gratë. Amnistia përfshin gjithashtu të dënuarit mbi 60 vjeç për burrat dhe mbi 50 vjeç për gratë, si edhe personat që në kohën e kryerjes së veprës penale kanë qenë të mitur.
Projektligji parashikon shprehimisht se nga amnistia përjashtohen personat që i janë shmangur drejtësisë, si dhe një listë e gjatë veprash penale të rënda. Nuk përfitojnë nga përjashtimi nga dënimi autorët e krimeve kundër njerëzimit, krimeve kundër jetës, krimeve seksuale, veprave kundër fëmijëve, korrupsionit, krimit të organizuar, terrorizmit, veprave që cenojnë zgjedhjet e lira, drejtësinë, rendin kushtetues, si dhe një sërë veprash të rënda ekonomike, mjedisore dhe kundër autoritetit të shtetit. Jashtë skemës së përfitimit mbeten edhe personat e gjykuar nga Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për veprat brenda kompetencës së saj.
Për ata që nuk përjashtohen plotësisht nga vuajtja e dënimit, projektligji parashikon zbritje të dënimit. Gratë dhe të miturit përfitojnë një ulje prej një viti e gjysmë, ndërsa burrat një ulje prej një viti. Edhe në këtë rast, nuk përfitojnë të dënuarit me burgim të përjetshëm, autorët e vrasjeve të rënda dhe personat e dënuar për çështje që janë shqyrtuar nga GJKKO, si dhe ata që i janë shmangur drejtësisë.
Një kapitull i veçantë i projektligjit i kushtohet ndjekjes penale, ku parashikohet pushimi i çështjeve në hetim, në gjykim apo ende të pashqyrtuara për vepra penale të kryera deri më 31 dhjetor 2025, për të cilat parashikohet dënim maksimal deri në 3 vjet burg ose dënime më të lehta. Edhe këtu, përjashtimet janë të shumta dhe përfshijnë vepra të ndjeshme që lidhen me dhunën, korrupsionin, abuzimet seksuale, zgjedhjet dhe krimin e organizuar. Nuk përfitojnë nga kjo dispozitë personat që i janë shmangur drejtësisë, funksionarët e detyruar të deklarojnë pasurinë, si dhe subjektet që gjykohen nga GJKKO.
Projektligji thekson se zbatimi i amnistisë nuk cenon të drejtat civile të palëve në procesin penal dhe as detyrimet për shpenzimet gjyqësore të kryera deri në momentin e hyrjes në fuqi të ligjit. Sipas dokumentit, ligji do të hyjë në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Ky projektligj pritet t’i dërgohet Kuvendit për shqyrtim dhe miratim, në një kohë kur çështja e amnistisë penale mbetet një nga debatet më të ndjeshme politike dhe shoqërore në vend.
Moti i keq, aksident në hyrje të tunelit të Skërficës
Rrufeja shkakton zjarr në Dropull, era e fortë rrëzon pemë dhe bllokon rrugën
Aktivisti Goci: Një agjent nuk del me fytyrë të kërkojë dorëheqjen e kryeministrit
- 08:47 Mbyllet pas më pak se një viti burgu “Alcatraz”, DeSantis: Përmbushi rolin e emergjencës për të cilin ishte ndërtuar
- 08:42 Aksident hekurudhor në Poloni, përplasen dy trena. Raportohet për të plagosur (VIDEO)
- 08:34 Mbreti Charles dhe Mbretëresha Camilla nuk do të jetojnë në Pallatin Buckingham pas rinovimeve
- 08:31 Pavarësisht armëpushimit në fuqi, Izraeli sulmon sërish Libanin jugor! Tre të vdekur dhe një i plagosur
- 08:30 Pedro Sanchez: Nuk e jap dorëheqjen, Spanja nuk ka korrupsion
- 08:29 Gjykata Supreme e SHBA-së mbështet politikat e Trump, i hap rrugën deportimeve masive të emigrantëve