Gjykata izraelite vendos që burrat ultra-ortodoksë të shërbejnë në ushtri
Gjykata Supreme e Izraelit vendosi njëzëri të martën që ushtria izraelite të fillojë t’i thërrasë për shërbim në ushtri burrat ultra-ortodoksë.
Ky vendim mund të çojë në dështimin e koalicionit qeverisës së kryeministrit Benjamin Netanyahu, në një kohë kur Izraeli është duke bërë luftë në Gazë.
Shumicës së burrave dhe grave hebraike në Izrael u kërkohet ta kryejnë shërbimin e detyrueshëm ushtarak në moshën 18-vjeçare.
Por, ultra-ortodoksët, të cilët janë të fuqishëm politikisht, nuk detyroheshin ta kryenin shërbimin, nëse studionin në seminare fetare me orar të plotë. Përjashtimi i tyre nga kryerja e shërbimit zemëroi publikun e gjerë, posaçërisht në kohën kur qindra ushtarë janë vrarë gjatë luftës me Hamasin – grupin e shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Izraeli dhe Hamasi duket se po pajtohen çdo herë e më pak për mënyrën se si duhet të zbatohet një marrëveshje e mundshme për armëpushim.
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se është i gatshëm të pranojë vetëm marrëveshje për armëpushim të “pjesshëm”, e cila nuk do t’i jepte fund luftës në Rripin e Gazës.
Komentet e Netanyahut gjithashtu dallojnë shumë me kushtet e marrëveshjes së detajuar në fund të muajit të kaluar nga presidenti amerikan, Joe Biden, i cili e cilësoi planin si izraelit dhe të cilit disa në Izrael iu referuan si “marrëveshja e Netanyahut”. Komentet e tij mund t’i tensionojnë edhe më shumë marrëdhëniet mes Izraelit dhe SHBA-së, aleatit kryesor të tij.
Izraeli e nisi luftën në Gazë si përgjigje ndaj një sulmi nga Hamasi në jug të Izraelit më 7 tetor, ku u vranë 1.200 njerëz, kryesisht civilë, dhe u rrëmbyen rreth 250 të tjerë.
Izraeli thotë se më shumë se 100 pengje po mbahen ende në Gazë, së bashku me trupat e pajetë të rreth 30 të tjerëve, shkruan REL.
Prej atëherë, lufta izraelite në Gazë i ka vrarë më shumë se 37.000 palestinezë, gjysma e të cilëve fëmijë dhe gra, sipas zyrtarëve shëndetësorë palestinezë.
LEXONI GJITHASHTU:
Deklarata e ministres serbe për spastrimin etnik në Kosovë, reagon Hoxha: E papranueshme dhe fyese për viktimat
Përplasjet në Zvërnec, Apeli ndryshon masën e sigurisë për njërin prej rojeve të arrestuarve
Efekti Haaland në Peru, qindra foshnja pagëzohen me emrin e sulmuesit norvegjez
- 22:21 SHBA rifillon bllokadën detare ndaj porteve iraniane, hyn në fuqi urdhri i Trump
- 22:18 Zyrtari iranian: Nuk kemi asnjë detyrim për marrëveshje me SHBA-në
- 22:17 Trajneri Deschamps, mbreti i pankinës në Botëror! Francezi thyen rekordin 48 vjeçar
- 22:10 Nurellari: Kërkimin shkencor e kemi në duar të sigurta me Ministrin e Ramiz Alisë
- 22:04 “10 mijë euro për t’u bërë mësues”, Koka: Ja sa paguhet për t’u futur në sistemin arsimor
- 22:02 Rama nga Brukseli: Thanë nuk do hapen negociatat, sot u mbyllën tre kapitujt e parë