Në Republikën e Maqedonisë së Veriut flitet për një rikthim në skenën politike të ish-kryeministrit Nikola Gruevski. Analisti Seladin Xhezairi tha për Euronews Albania se ende asgjë nuk është e sigurt.
Ai tha se mbetet për t’u parë nëse Gruevski do të kthehet në politikë e do të bëjë aleancë me kryeministrin aktual Mickoski.
“Ende nuk dihet nëse do të vazhdojë të merret me biznes, apo do të rikthehet në skenën politike. Kjo është e pasigurt. Koha do të dëshmojë nëse do kemi një aleancë me kryeministrin aktual Mickoski. Atij i ka mbetur edhe një lëndë nga e cila duhet të amnistohet”,-tha Xhezairi.
I pyetur nëse kthimi i Gruevskit do të shoqërohet me tensione te partitë shqiptare që janë brenda qeverisë analisti Xhezairi tha se ndikimi i tij do vazhdojë të jetë i madh, por sipas tij harmonia në koalicionin qeverisës do të varet edhe nga kryeministri Hristijan Mickoski, sidomos në lidhje me çështjet e rëndësishme për shqiptarët në RMV.
“Ndikimi i tij ka për të vazhduar të jetë goxha i madh, por harmonia bë koalicionin qeverisës do të varet edhe nga veprimet e partnerit kryesor, Mitskovski, kur është fjala për çështje shumë të datueshme për Shqiptarët e këtushëm, kur është fjala për përdorimin e gjuhës shqipe, për simbolet.
Mos të harrojmë se para dy ditësh gjatë një qëndrimi në Shkup, kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali i tha homologut të saj në RMV se cenimi i gjuhës shqipe është cenim i identitetit kombëtar. Ky mesazh nuk është se ka kaluar në heshtje nga media e këtushme, apo politikanë maqedonas të cilët kanë shfaqur pakënaqësi”,-tha Xhezairi.
LEXONI GJITHASHTU:
- Skandali në RMV! Gjuha shqipe mungon në tabelat rrugore, hiqen gjatë natës
- Planifikoi sulmin terrorist në koncertin e Taylor Swift, në pranga shqiptari nga RMV