Izraeli dhe Irani e çuan Trumpin pranë një lufte të re në Lindjen e Mesme

10 Qershor 2026 | 08:33

Presidenti amerikan Donald Trump kaloi 24 orë intensive duke u përpjekur të shmangte një përshkallëzim të ri të konfliktit mes Izraelit dhe Iranit, që sipas burimeve amerikane dhe izraelite e afroi rajonin pranë një lufte të hapur.

Përplasja nisi të dielën, pasi Izraeli goditi një objektiv të Hezbollahut në Bejrut. Sipas zyrtarëve amerikanë, Shtëpia e Bardhë nuk ishte informuar paraprakisht për sulmin, gjë që shkaktoi pakënaqësi te Trump.

Pas goditjes, Irani lëshoi raketa drejt Izraelit, duke përmbushur paralajmërimet e mëparshme se do të përgjigjej nëse kryeqyteti libanez do të sulmohej. Nga ai moment, situata u përshkallëzua me shpejtësi.

Sipas Axios, Trump zhvilloi një bisedë telefonike me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu të dielën në mbrëmje, duke i kërkuar të mos kundërpërgjigjej ndaj sulmit iranian.

Presidenti amerikan argumentoi se një marrëveshje me Iranin mund të arrihej brenda pak ditësh, çka do t’i bënte të panevojshme sulmet e mëtejshme ushtarake. Ai paralajmëroi gjithashtu Netanyahun se nëse Izraeli rikthehej në luftë të plotë me Iranin, mund të përfundonte duke luftuar i vetëm.

Megjithatë, Netanyahu mbrojti nevojën për një përgjigje ushtarake, duke argumentuar se mungesa e reagimit do të krijonte përshtypjen se Irani kishte fituar avantazh strategjik ndaj Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara.

Pas konsultimeve me drejtuesit e sigurisë dhe Ushtrisë, qeveria izraelite vendosi të vijonte me sulmet. Izraeli goditi objekte në Teheran dhe një komponent të rëndësishëm të një kompleksi petrokimik në Iran, duke nxitur një valë të re raketash iraniane drejt Tel Avivit.

Sipas zyrtarëve amerikanë, ushtria e SHBA-ve nuk mori pjesë në sulmet izraelite, por ndihmoi në interceptimin e raketave iraniane.

Përballë rrezikut të një lufte të gjerë rajonale, Trump zhvilloi një tjetër telefonatë me Netanyahun, duke e paralajmëruar se Izraeli mund të mbetej pa mbështetje amerikane nëse konflikti do të zgjerohej.

“Bibi, duhet të jesh i kujdesshëm, përndryshe shumë shpejt do të jesh i vetëm”, citohet të ketë thënë Trump.

Sipas burimeve izraelite, pas kësaj bisede Netanyahu pranoi të pezullonte një valë të madhe sulmesh të planifikuara ndaj dhjetëra objektivave iraniane, me kusht që edhe Teherani të ndalte sulmet.

Trump deklaroi gjithashtu se disa vende të Lindjes së Mesme i kishin kërkuar të ndërhynte për të frenuar përshkallëzimin, ndërsa pretendoi se Irani kishte dërguar sinjale për gatishmëri për të ndalur sulmet nëse vepronte njësoj edhe Izraeli.

Ndërkohë, presidenti amerikan vazhdon të insistojë se një marrëveshje me Iranin është pranë finalizimit, megjithëse zyrtarët iranianë kanë shprehur mosbesim ndaj Uashingtonit dhe kanë kundërshtuar disa nga pretendimet e administratës amerikane.

Sipas burimeve amerikane dhe izraelite, zhvillimet e fundit tregojnë se interesat strategjike të SHBA-ve dhe Izraelit po largohen gjithnjë e më shumë nga njëra-tjetra. Ndërsa Trump kërkon përfundimin e konfliktit dhe një marrëveshje diplomatike me Iranin, Netanyahu vazhdon të mbështesë një linjë më të ashpër ushtarake ndaj Teheranit.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Tërheqja e trupave izraelite, ushtria libaneze vendoset në qytetin jugor Zawtar al-Gharbiyeh

Trupat e ushtrisë libaneze filluan të vendosen në qytetin jugor libanez Zawtar al-Gharbiyeh të martën, pasi forcat izraelite u tërhoqën nga zona, tha një zyrtar...
09:53 | 21/07/2026

OKB mirëpret nisjen e operacioneve pilot të zonës në 3 fshatra të Libanit jugor

OKB-ja mirëpriti këtë të hënë nisjen e operacioneve pilot të zonave në fshatrat libaneze Froun, Srifa dhe Zawtar Al-Gharbiya në kuadër të një kuadri trepalësh...
19:03 | 20/07/2026

Momente tmerri në Theth, guri bie mbi makinë dhe depërton brenda saj, turistët shpëtojnë për mrekulli (VIDEO)

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur këtë të premte në Theth, por për fat të mirë pa persona të lënduar. Disa turistë të huaj kanë...
10:38 | 17/07/2026