Kandidati i BDI-së për kryeministër: S’po kërkojmë hisen e askujt, mandati nuk është i paracaktuar të jetë maqedonas

25 Qershor 2020 | 11:37

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) e sheh realisht të mundshëm drejtimin e Maqedonisë së Veriut (RMV) nga një kryeministër shqiptar.

Në një intervistë për Euronews Albania kandidati i BDI-së për kryeministër, Naser Ziberi, i tha gazetares Bruna Çifligu se “asnjë parti politike nuk mund ta sigurojë e vetme mandatin për qeveri” dhe se nga ana tjetër “ligjërisht nuk është e paracaktuar që kryeministri të jetë medoemos maqedonas”.

Fillimisht Ziberi e cilësoi nder dhe detyrim ndaj shqiptarëve të RMV futjen në garën për kryeministër përballë dy partive të mëdha që, siç tha ai mbulojnë kryesisht interesat e etnisë maqedonase: Organizata e Brendshme Revolucionare Maqedonase-Partia Demokratike për Unitetin Kombëtar Maqedonas (VMRO-DPMNE) dhe  Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM).

“Futemi në garë me synimin për të qenë bartës të ekzekutivit dhe drejtues të shtetit,” – tha Ziberi me besimin se është e mundur që Maqedonia e Veriut të ketë kryeministër shqiptar.

I pyetur se sa shanse reale ka që kjo të arrihet, Ziberi kujtoi ndryshimin e kushtetutës, vendosjen e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare apo drejtimin e parlamentit nga një shqiptar, si zhvillime që dikur cilësoheshin të pamundura, por që tashmë janë realizuar.

“Absolutisht është e mundur që edhe qeveria të drejtohet nga një shqiptar,” – këmbënguli Ziberi.

“Shqiptarët nuk kërkojnë hisen e tjetërkujt. Mandati i kryeministrit nuk është i paracaktuar të jetë vetëm për maqedonasit, është i kapshëm juridikisht dhe politikisht në mënyrë të njëjtë për të gjitha komunitetet, aq më tepër për shqiptarët që janë shtylla kryesore dhe garant i stabilitetit dhe perspektives së këtij vendi,” – u shpreh Ziberi.

BDI hyn e vetme në garë në këto zgjedhje ndërsa disa parti shqiptare janë ndarë në koalicione të ndryshme. Ziberi shprehu indinjatë për këtë ndasi mes faktorit politik shqiptar, megjithatë ai u shpreh i bindur se BDI-ja do të marrë besimin më të madh të elektoratit.

“Asnjë parti politike në Maqedoni nuk ka potencial të krijojë shumicë absolute dhe të sigurojë mandatin për formim të qeverisë. Pra subjektet politike, pavarësisht përkatësisë shqiptare apo maqedonase, janë të thirrura për bashkëpunim dhe koalicion. Në këtë segment, nga secili krah do të duhet që të kërkohet bashkëpunim me BDI-në dhe në këto kushte realiteti flet se ne si shqiptar mund të jemi shumë më të paanshëm, të vendosur dhe me shpresë për qytetarët për ta drejtuar vendin,” – analizoi Ziberi.

Kandidati për kryeministër i BDI-së tregoi se partia që e mbështet ka në platformë vazhdimësinë e reformave dhe marrëveshjeve që respektojnë barazinë dhe të drejtat e komuniteteve etnike në Maqedoninë e Veriut, vazhdimësinë e projektit të integrimit në BE, përmirësimin e pozitës së shqiptarëve në raport me institucionet dhe fuqizimin e shtetit të së drejtës.

RMV zhvillon më 15 korrik zgjedhjet e parakohshme parlamentare, kjo pasi në fillim të janarit kryeministri Zoran Zaev i LSDM-së deklaroi dorëheqjen për shkak të mos-arritjes së hapjes së negociatave.

Ai dhe krerët e partive të tjera ndërmjetësuan vajtjen në zgjedhje me një qeveri kujdestare, qeveri e cila aktualisht është detyruar të përballojë edhe pandeminë e COVID-19.

 

Lexoni gjithashtu:

Zgjedhjet, qytetarët në Maqedoninë e Veriut nuk i tremben përhapjes së COVID-19

Deputeti i “Aleanca për Shqiptarët” Syrja Rashidi kritika BDI: Po manipulon shqiptarët

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Zv.kryeministri shqiptar në RMV jep dorëheqjen, zbulohen përplasjet brenda qeverisë

Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Arben Fetai, ka njoftuar se ka dorëzuar dorëheqjen nga funksioni i tij si zëvendëskryeministër i ngarkuar për Qeverisjen e Mirë....
10:46 | 02/06/2026

Ahmeti i përgjigjet Kurtit: Marrëveshja e Ohrit, gurthemeli edhe i planit të Ahtisaarit për Kosovën

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim ka reaguar ndaj kryeministrit në detyrë Albin Kurti pas kritikave që ky i fundit i bëri Bashkimit Demokratik për...
08:44 | 02/06/2026

Aksident i rëndë në aksin Kumanovë-Shkup, 13-vjeçari me skulter përplaset për vdekje nga një makinë

Një 13-vjeçar ka ndërruar jetë tragjikisht në një aksident në aksin Kumanovë-Shkup, në fshatin Çerkezi. Aksidenti u regjistrua mbrëmjen e së enjtes. Në aksident janë...
12:49 | 29/05/2026