Këshilli i BE-së e miraton pozicionin për planin për rritje ekonomike në Ballkan

6 Mars 2024 | 17:55

Vendet anëtare të Bashkimit Evropian (BE) u pajtuan të mërkurën gjatë një takimi të ambasadorëve në Bruksel për një qëndrim të përbashkët të Këshillit të BE-së për planin gjashtë miliardësh për reforma dhe rritje ekonomike për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Tani, hapi i radhës është që Parlamenti Evropian ta miratojë qëndrimin e vet, me gjasë javën e ardhshme, para se të nisin bisedimet mes tri institucione kryesore të BE-së, Komisionit, Këshillit dhe Parlamentit, për ta formalizuar përfundimisht këtë plan.

Në njoftimin e Këshillit të BE-së thuhet se qëllimi i këtij plani është t’i ndihmojë vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor në procesin e reformave dhe në rritjen ekonomike, në mënyrë që ato ta përshpejtojnë anëtarësimin në BE.

Në këtë plan, Bashkimi Evropian ka planifikuar t’i ndajë 6 miliardë euro për Kosovën, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Bosnje e Hercegovinën dhe Serbinë për periudhën 2024-2027.

Sipas zëvendëskryeministrit kosovar, Besnik Bislimi, Kosova pritet të përfitojë 950 milionë euro – njëherësh fondin më të madh të ndarë ndonjëherë nga blloku për të, në një periudhë relativisht të shkurtër.

Plani, i paraqitur fillimisht nga Komisioni Evropian (KE) në nëntor të vitit 2023 dhe tani i mbështetur edhe nga Këshilli, parasheh që dy miliardë euro të jenë fonde të pakthyeshme, ndërsa katër miliardët tjerë të jepen në formën e kredive të volitshme.

Por, Këshilli tërheq vërejtjen se pagesat do të jenë të kushtëzuara me kritere të rrepta, të cilat kanë të bëjnë me reformat në sundimin e ligjit dhe me respektimin e interesave financiare të bllokut.

Në njoftimin e Këshillit të BE-së të mërkurën, thuhet se “një përqendrim i rritur i kushtohet përshtatjes së partnerëve me qëndrimet e BE-së në fushën e politikës së jashtme dhe të sigurisë”.

Megjtihatë, në dokumentin e miratuar nga Këshilli nuk përmendet në mënyrë të prerë si parakusht përshtatja me qëndrimet e politikës së jashtme të bllokut.

Në të thuhet në mënyrë më të përgjithësuar se “përfituesit duhet të dëshmojnë përkushtim të besueshëm ndaj vlerave evropiane, përfshirë edhe përmes përshtatjes së tyre me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë së bllokut, përfshirë edhe masat kufizuese“.

Parlamenti Evropian ka propozuar që përshtatja me qëndrimet e BE-së në politikën e jashtme të jetë parakusht i qartë dhe që të përmendet edhe formalisht se kjo nënkupton edhe mbështetjen e sanksioneve kundër Rusisë.

Serbia është vendi i vetëm i Ballkanit, i cili nuk është përshtatur deri tani me qëndrimet e BE-së në lidhje me sanksioneve ndaj Rusisë.

Sikurse Këshilli, ashtu edhe Komisioni dhe Parlamenti Evropian si parakusht specifik për Kosovën dhe Serbinë e përmendin angazhimin e tyre konstruktiv në normalizimin e marrëdhënieve dhe zbatimin e të gjitha obligimeve nga marrëveshjet e dialogut të ndërmjetësuar nga vetë BE-ja.

Në qëndrimin e Këshillit thuhet se, nëse vlerësohet se ndonjë vend i rajonit nuk i ka përmbushur kushtet, atëherë atij vendi do t’i pezullohet pagesa nga ky plan.

Dhe, nëse më vonë ndryshon gjendja dhe ai vend përsëri i përmbush kriteret e caktuara, atëherë fondet do të zhbllokohen për të.

Në të gjitha këto raste, propozimin duhet ta bëjë Komisioni Evropian, ndërsa Këshilli do ta aprovojë në një afat prej më së shumti një muaji.

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Protestat në Tiranë, Gjyli: Mendimi ndryshe po përballet me linçim në rrjete sociale

Duke komentuar protestat në Tiranë, analistja dhe pedagogia Arsejda Gjyli tha në emisionin “Now me Erla Mëhillin” se figurat që dalin në krye të protestës...
22:35 | 24/06/2026

Analisti Lita: Protestat në Tiranë do të vazhdojnë deri në mbylljen e tranzicionit

I ftuar në emisionin “Now me Erla Mëhillin”, analisti Lavdrim Lita komentoi protestat në Tiranë, duke u ndalur te zhvillimet dhe perspektiva e tyre në...
22:24 | 24/06/2026

E rëndë në Kavajë, u godit me thikë nga vëllai, humb jetën një person

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e kësaj të mërkure në Kavajë, ku një 74-vjeçar ka humbur jetën pasi dyshohet se është goditur me...
21:37 | 24/06/2026