English

Kosova kujton Masakrën e Mejës, kërkon drejtësi për të zhdukurit

KOMENTE

SHPERNDAJE
ARTIKULLIN

Text sizeAa Aa

27 prilli shënon Ditën Kombëtare të Personave të Pagjetur në Kosovë.

- Advertisement -

Kjo datë u vendos pasi 23 vite më parë në fshatin Mejë të Gjakovës, ku ka ndodhur masakra e madhe ndaj civilëve shqiptarë të Kosovës nga forcat ushtarake serbe.

Atë ditë, forcat serbe kishin ndarë 376 burra shqiptarë të moshës nga 18 deri 36 vjeç nga kolonat e të përndjekurve nga shtëpitë e tyre, të cilët më pas u zhdukwn pa gjurmë.

Familjarët nga Meja e kujtojnë këtë ditë me dhimbje.

Mbi 23 vjet pas luftës, në Kosovë vazhdojnë të jenë të zhdukur mbi 1,600 njerëz.

Në Prishtinë, Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut vendosi lule, në përkujtim të personave të pagjetur.

Kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti, ka kërkuar që bashkësia ndërkombëtare të rrisë presionin dhe të kushtëzojë Serbinë për të ofruar informacione për personat e pagjetur.

“Kërkesa jonë e parë është kushtëzimi ndaj Serbisë. Kërkesa jonë e dytë ka qenë garancia e Bashkimit Evropian që të ketë një afat kohor kur Serbia detyrohet të japë informacionet për personat e zhdukur, dhe kërkesa e tretë është për hapjen e të gjitha dokumenteve sekrete të Serbisë, të kohës së luftës në Kosovë”, tha Hoti.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, thotë se plagët janë ende të hapura pasi nuk ka drejtësi.

“Nuk është hedhur kurrë dritë mbi fatin e tyre, por një gjë dihet saktë që ata i mori shteti i Serbisë. Shteti i Serbisë është përgjegjës dhe kushdo që e kërkon përgjegjësinë, por edhe trupat e tyre fizikisht ku ndodhen – kjo është Serbia dhe territori i saj”, u shpreh Konjufca.

Në vitin 2020 është bërë një përpjekje për të arritur marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian për fatin e personave të pagjetur.

Megjithatë, kjo marrëveshje – pikat e të cilës ishin të panjohura për publikun- nuk gjeti kurrë zbatim.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka thënë se nuk do të ketë marrëveshje finale me Serbinë pa u gjetur personat e zhdukur gjatë luftës.

“Trupi i territorit të Serbisë ishte dhe ende është përplot me trupa të pajetë të njerëzve tanë, të rrëmbyer e të vrarë, të vrarë e të rrëmbyer. Shumë janë zbuluar e nxjerrë prej atje. Dhe kështu duhet të vijohet”, deklaron Kurti.

Edhe ish kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë homazheve, kërkoi drejtësi.

“Ndoshta ngushëllimi më i mirë për ta është të vendoset drejtësia jeni në dijeni që ende nuk ka ndodhur proces gjyqësor që do ta trajtonte këtë masakër”, tha Haradinaj.

Nga Bashkimi Evropian thonë se është e domosdoshme që të ketë marrëveshje për këtë çështje, në mënyrë që të krijohen kushtet për takimin e nivel të lartë politik mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, me qëllim të normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve, ka nisur më 2011.

Kosova doli nga lufta e viteve 1998-99, me mbi 13,000 persona të vrarë, mbi 800,000 të zhvendosur dhe mbi 5,000 të zhdukur.

Qindra shqiptarë të vrarë nga Kosova janë gjetur në varreza masive në Serbi, të cilët janë bartur nga forcat serbe për t’i fshehur krimet.

Deri më tani, nga Serbia në Kosovë janë kthyer mbetje mortore të rreth 1,000 personave.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Etiketimet

TË FUNDIT

Sondazh

Vetëvendosje del forcë e parë në Kosovë, por nuk siguron shumicën! A mendoni se Kurti do ta formojë dot qeverinë e re?