Kryetari i Gjykatës së Lartë Sokol Sadushi: Shteti duhet t’i mbrojë magjistratët

10 Dhjetor 2025 | 12:05

Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, në Konferencën Kombëtare të Drejtësisë, ngriti me forcë çështjen e mirëqenies së magjistratëve, të cilën e cilësoi themelin e funksionimit të drejtësisë.

“Mirëqenia e magjistratit është mirëqenia e drejtësisë, dhe mirëqenia e drejtësisë është mirëqenia e shtetit”, deklaroi Sadushi në hapje të fjalës së tij, duke e vendosur këtë temë në qendër të debatit publik dhe institucional.

Sadushi theksoi se sistemi gjyqësor po funksionon në kushte të vështira, të cilat, sipas tij, rrezikojnë cilësinë dhe pavarësinë e vendimmarrjes. Ai u shpreh se prej vitesh institucionet përgjegjëse nuk e kanë orientuar politikëbërjen drejt mirëqenies së gjyqtarëve dhe prokurorëve.

“Sistemi nuk mund të vazhdojë të mbështetet te magjistratë të lodhur, të pambrojtur dhe të mbingarkuar”, tha ai, duke shtuar se mungesa e politikave ka bërë që “sistemi të mbijetojë falë sakrificës individuale të magjistratëve dhe jo mekanizmave të qëndrueshëm institucionalë”.-tha Sadushi.

Në fjalën e tij, Sadushi vuri në dukje se KLGJ dhe KLP nuk e kanë vendosur ende mirëqenien profesionale në qendër të prioritetit, ndonëse kanë detyrime të qarta kushtetuese. Ai e cilësoi “Deklaratën e Gjyqtarëve të Republikës” si sinjalin më të qartë të krizës brenda sistemit.

“Gjyqtarët folën me një zë. Ata nuk kërkuan privilegje, por siguri, mbështetje dhe dinjitet profesional”, tha ai, duke e quajtur deklaratën një pikë kthese.

Sadushi nënvizoi se Qeveria dhe Kuvendi kanë përgjegjësi ligjore dhe kushtetuese për garantimin e kushteve të punës në gjykata.

“Shteti nuk mund të kërkojë drejtësi me standarde europiane, pa investuar”, u shpreh ai, duke kërkuar rritje të fondeve për sigurinë, infrastrukturën dhe burimet njerëzore.

Kryetari i Gjykatës së Lartë foli gjerësisht edhe për problemet e ngarkesës së punës në gjyqësor. Sipas tij, megjithëse Gjykata e Lartë ka ulur 63% të backlog-ut historik, “ky është rezultat i një përpjekjeje të jashtëzakonshme njerëzore, jo i një normaliteti strukturor”.

Ai shtoi se në disa gjykata të shkallës së parë “një gjyqtar përballon 900 deri në 1000 çështje”, çka e cilësoi “ritëm përtej kapaciteteve njerëzore”.

Sadushi u ndal edhe te mungesat infrastrukturore, duke i quajtur ato “pjesë të integritetit profesional”. Sipas tij, shumë godina gjykatash nuk sigurojnë standardet minimale të sigurisë dhe aksesit, ndërsa zyrat dhe mjediset e punës janë të pamjaftueshme.

Në vijim, ai kritikoi vonesat dhe pasiguritë që krijohen nga proceset e vlerësimit profesional. “Një sistem që vonon vlerësimin, vonon vetë drejtësinë”, tha Sadushi, duke kërkuar procedura të shpejta, të parashikueshme dhe të drejta për karrierën e magjistratëve.

Ai theksoi se as teknologjia dhe as inteligjenca artificiale nuk mund të kompensojnë mungesat strukturore.

“Sfida jonë kryesore nuk është teknologjia, por njeriu. Pas çdo vendimi që ndryshon jetë, qëndron një magjistrat. Nëse ai lihet i pambrojtur dhe i mbingarkuar, sistemi nuk mund të jetë i qëndrueshëm”, u shpreh Sadushi.

Ndër rekomandimet e tij kryesore, ai kërkoi miratimin e Strategjisë Kombëtare të Mirëqenies së Magjistratëve 2025–2030, vendosjen e një standardi kombëtar sigurie në çdo gjykatë, rritjen e numrit të gjyqtarëve e prokurorëve, investime urgjente në infrastrukturë dhe ngritjen e mekanizmave të mbështetjes psikosociale.

Në përmbyllje të fjalës, Sadushi përsëriti mesazhin e tij qendror:

“Mirëqenia e magjistratit nuk është luks profesional, por premisa e vetë ekzistencës së drejtësisë funksionale.”

Ai shtoi se drejtësia nuk mund të forcohet me magjistratë të lodhur apo të pambrojtur.

“Drejtësia ka nevojë për një kulturë të re institucionale, ku siguria është standard, mbështetja është detyrim dhe mirëqenia është pjesë e pavarësisë. Vetëm kështu ndërtohet një sistem i qëndrueshëm dhe një shtet i fortë.”

 

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Ekonomisti Muharremi: Review-të negative po shkatërrojnë Pasuritë Kombëtare, e njoh mirë turizmin

Ekonomisti Alfred Muharremi ka reaguar lidhur me komentet dhe vlerësimet negative ndaj bizneseve turistike në Shqipëri, duke i cilësuar ato si të dëmshme për ekonominë...
21:33 | 11/07/2026

“Kuvendi Kombëtar mund të krijojë një lëvizje apo parti?” Armir Shkurti tregon si do organizohet

Gazetari, Armir Shkurti, i ftuar këtë të shtunë në emisionin ‘Review’ me Greta Topjana në Euronews Albania ka folur lidhur me protestat në Tiranë dhe...
21:22 | 11/07/2026

Kupa e Botës, Justin Bieber i është bashkuar listës së yjeve që do të interpretojnë në ndeshjen finale

Justin Bieber i është bashkuar listës së yjeve që do të interpretojnë në ndeshjen e funidt të Kupës së Botës në 19 korrrik në Nju...
21:03 | 11/07/2026