Kungulli mbetet pa treg, fermerët në Elbasan hedhin tonelata prodhim të pashitur

10 Prill 2026 | 18:55

Fermerët në zonën e Bujqësit, në Elbasan, po përballen me një situatë të vështirë, pasi prodhimi i kungullit po mbetet pa treg për shkak të bllokimit të tërheqjes nga pikat e grumbullimit. Edhe pse infrastruktura ekziston, ata thonë se produkti nuk po merret, duke i lënë me tonelata të tëra pa shitur.

Sipas fermerëve, mjaftojnë vetëm pak ditë qëndrimi në magazinë që kungulli të prishet, duke i detyruar ta hedhin ose ta përdorin për ushqim për bagëtinë. Në këto kushte, i gjithë investimi rrezikon të shkojë dëm.

“Ka pasur raste që e vjelim dhe e çojmë në magazinë. Në momentin që rri dy-tre ditë, për shembull 20 kuintal i hedh direkt, ta hajë bagëtia kush ka bagëti. I gjithë mundi shkon dëm, për ne është shumë keq. Kam qenë në emigrim 21 vite, u ktheva me familjen dhe vendosa të qëndroj në vendin tim. I bëra të gjitha këto investime, tani ndihem i zhgënjyer totalisht. Kam investuar 60 milionë lekë, vetëm në sera, dhe mbetesh kështu.”- shprehet Xhevahir Leci, fermer.

Fermerët paralajmërojnë se nëse situata nuk zhbllokohet dhe nuk rifillon tërheqja e produktit, shumë prej tyre do të detyrohen të çmontojnë serat dhe të largohen sërish në emigrim.

“Në fillim e shitëm me 400 lekë, tani çmimi shkoi 500–700 lekë, por morëm vesh që është pezulluar dhe pikat po bllokohen. Unë kam shpenzuar rreth 7.5 milionë lekë për serat. Nëse nuk arrij të marr të paktën 15 milionë deri në fund të vitit, jam i mbaruar. Me këto çmime dhe pa treg, jemi drejt falimentimit. Do t’i çmontojmë serat dhe do të largohemi sërish.”- shprehet Xhevahir Leci, fermer.

Edhe fermerë të tjerë shprehen se kostot e larta të prodhimit nuk po mbulohen, ndërsa prodhimi rrezikon të shkojë i gjithi dëm.

“Do t’i hedhim, nuk kemi ku t’i çojmë. I gjithë shpenzimi po na shkon kot. Mund të punosh vite dhe prapë ta hedhësh prodhimin. Deri tani kam shpenzuar 14 milionë lekë dhe kam marrë vetëm 6 milionë. Kam 1 hektar sera dhe gjithçka rrezikon të shkojë dëm.”- shprehet Xhevahir Leci, fermer.

Situata mbetet kritike për fermerët e zonës, të cilët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme për të zhbllokuar tregun dhe për të shmangur humbje të mëtejshme në sektorin bujqësor.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Mbi 1 mijë banorë pa ujë të pijshëm në Mokër, situatë problematike në 8 fshatra të Pogradecit

Më shumë se 1 mijë banorë në zonën e Mokrës, në Pogradec, kanë mbetur pa ujë të pijshëm prej disa ditësh. Problemi ka prekur 8...
14:04 | 11/07/2026

Pas ankesave të qytetarëve dhe shqetësimeve të deputetëve, Autoriteti i Konkurrencës nis monitorimin e çmimeve të shportës

Autoriteti i Konkurrencës ka nisur një monitorim të tregut të shitjes me pakicë të produkteve të shportës, pas ankesave të qytetarëve dhe shqetësimeve të ngritura...
13:54 | 11/07/2026

Video e dhunës ndaj adoleshentes, ekspertët ngrenë alarmin për bullizmin

Videoja e dhunës ndaj një adoleshenteje, e cila u bë virale në rrjetet sociale, ka rikthyer diskutimet mbi sjelljen agresive te të rinjtë. Ekspertët e...
17:26 | 10/07/2026