Linda Rama: Shqipëria ka potencial për më shumë investime të huaja, sektorët kyç
Linda Rama, bashkëshortja e kryeministrit Edi Rama, ishte e ftuar këtë të shtunë në emisionin Inside Albania në Euronews Albania, ku foli mes të tjerash mbi sfidat dhe potencialin që ka Shqipëria për tërheqjen e investimeve të huaja.
Ajo nënvizoi se Shqipëria ka bërë përparime në stabilitetin politik dhe makroekonomik, dy faktorë thelbësorë për të nxitur investimet.
Duke analizuar situatën ekonomike të vendit, Rama theksoi se Shqipëria nuk vuan për mungesë kapitalesh, por problemi qëndron te mungesa e bindjes së investitorëve të huaj për të investuar. Ajo tha se Shqipëria ka nevojë për gjykata më efikase e të besueshme, në mënyrë që të rrisë më tej investimet e huaja.
Në vijim të intervistës, Rama analizoi edhe zhvillimin e sektorëve me potencial të lartë si turizmi dhe teknologjia e informacionit, duke theksuar se Shqipëria duhet të qartësojë avantazhet e saj krahasuese dhe të ndërtojë një profil të qëndrueshëm ekonomik në këto sektorë për dekadat e ardhshme.
Pjesë nga intervista:
Alice Taylor: Po, është e vështirë, e di që do të ketë shumë “luftëra” mes meje dhe vajzës sime kur të rritet.
Ju përmendet investitorët e parë që erdhën në Shqipëri nga jashtë vendit, dhe ata duhet të kenë qenë mjaft guximtarë në atë kohë, duke hyrë në një territor të panjohur. Por tani po pyes, 30 e ca vjet më vonë, cilat mendon se janë sfidat që mbeten për investitorët e huaj që duan të vijnë në Shqipëri? Po shohim çdo vit e më shumë që vijnë, në forma të ndryshme, por duke përdorur ekspertizën tuaj, cilat sfida mendon se duhet të hiqen për ta shtuar më tej këtë?
Linda Rama: Ne kemi një listë treguesish, në fakt. Dhe aspekte që kanë rëndësi për të marrë vendimin për një investitor që të investojë në një vend të caktuar. Dhe kjo vlen për të gjitha vendet, në thelb. Diçka që është interesante për t’u thënë është se bota nuk vuan për mungesë financimesh. Madje as Shqipëria nuk vuan për mungesë financimesh. Ne kemi shumë para që qëndrojnë jashtë sistemit bankar, por edhe brenda bankave, që ende nuk janë përdorur dhe që presin të përdoren nga investitorët. Është e njëjta situatë edhe në institucionet financiare jashtë vendit. Pra, gjëja më e rëndësishme, përveç faktit që ke financime, është që të bindësh investitorët të financojnë. Nga pikëpamja makroekonomike – që është një aspekt shumë i rëndësishëm – mund të themi se kemi bërë përparime shumë të mira në vitet e fundit. Nuk kemi paqëndrueshmëri politike, që është një element shumë i rëndësishëm, as paqëndrueshmëri të qeverisë. Një studim që përfundova para dy vitesh, një ose dy vjet më parë, mbi financimet, tregoi qartë – pas një analize të 30 viteve tranzicion – se, në rast se ndodh paqëndrueshmëri politike apo destabilitet qeverisës në një vend, investimet e huaja reagojnë shumë shpejt duke u distancuar nga vendi. Dhe të duhen më shumë se dhjetë vite për ta rikuperuar dëmin. Pra, ky është një element shumë i rëndësishëm.
Një tjetër element pozitiv është se kemi ligje dhe kuadër rregullator që mbron investimet. Jemi në një proces që është Integrimi Evropian, i cili në fakt rrit shumë besimin e investitorëve. Dhe investimet, investimet e huaja direkte, sidomos në vitet e fundit në krahasim me vitin 2012 kanë pësuar një bum. Kemi pasur më pak se 1 miliard dollarë investime të huaja direkte në atë kohë. Po flas për stokun. Dhe tani është rreth 1.7 miliardë. Pra, është rritur ndjeshëm. Por ende, si përqindje e PBB-së është e ulët dhe natyrisht që kemi nevojë për më shumë investime të huaja direkte. Keni shumë të drejtë kur pyesni se çfarë duhet të bëjmë për ta rritur këtë nivel. Mendoj se kemi nevojë për sundimin e ligjit, që është jashtëzakonisht i rëndësishëm. Dhe mund të kemi ligje që garantojnë, le të themi, aktivitetin e investimeve të huaja, por në të njëjtën kohë ka shumë mosmarrëveshje që mund të lindin. Një pjesë e tyre lidhen edhe me të drejtat pronësore. Siç e përmenda, prona ishte një nga reformat që ka shkaktuar shumë probleme ndër vite dhe problemet vijojnë ende. Na duhet të kemi një sistem gjyqësor shumë efikas dhe të besueshëm. Dhe në veçanti në gjykatat e shkallës së parë dhe të dytë. Gjykime më të shpejta dhe më të drejta. Dhe duhet të japim prova për këtë, sepse kjo është thelbësore për investimet. Dicka tjetër pozitive që po ndodh është se edhe Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor në kuadrin e anëtarësimit në BE është zhvendosur nga reformat institucionale drejt reformave të infrastrukturës, gjë që është jetike për vendin. Me reformat në infrastrukturë nënkuptoj, përveç gjithçkaje që kemi përparuar, edhe investimet në infrastrukturën e ujit, infrastrukturën e kanalizimeve, energjinë – që të jenë me standardet e duhura dhe me aksesin e duhur dhe me të gjitha parametrat teknikë.
Dhe kjo është shumë e rëndësishme, mendoj, për të ecur përpara. Dhe, sigurisht, na duhet gjithashtu të kuptojmë cilat janë avantazhet tona krahasuese. Kjo është thelbësore. Duhet të përcaktojmë profilin tonë, sepse tregu ynë është shumë i vogël. Dhe na duhet të përdorim investimet e huaja duke përdorur avantazhet tona krahasuese, për të rritur madhësinë e tregut tonë dhe për të kontribuar në shtyllat e ekonomisë, gjë që është jashtëzakonisht e rëndësishme për momentin kur do ta gjejmë veten në Bashkimin Evropian.
Alice Taylor: Cilat avantazhe mendoni se ka Shqipëria ose ku mund të fokusohet për të përfituar?
Linda Rama: Por ne kemi profilin sektorial. Zhvillimi bazohet në sektorë. Dhe kjo është arsyeja pse them “cilat janë avantazhet që duhet të përdorim”, sepse duhet të përcaktojmë, të jemi më të qartë, se çfarë do të jetë Shqipëria në 20 vitet e ardhshme. Dhe dinamika është shumë, shumë e madhe. Turizmi, për shembull, padyshim që do të jetë e ardhmja. Nuk ishte aq e qartë më parë sa është tani.
Prandaj, duhet të mendojmë çfarë duhet të bëjmë që të mos e humbasim këtë mundësi, të bëhemi të qëndrueshëm, por gjithashtu të bëhemi një tërheqje e madhe për ata investitorë, investitorët e huaj që sjellin standard në vend. Dhe përmes standardeve ne mund të ngushtojmë hendekun që ekziston mes nesh dhe vendeve të tjera që janë shumë të avancuara në turizëm. Diçka tjetër shumë interesante është sektori i TIK-ut, duke qenë se po flasim për dinamika. Ne bëmë një studim tre vite më parë, në vitin 2021. Sepse zbuluam që TIK-u, bashkë me shërbimet e outsourcing-ut, pra ekonomia e kujdesit, të gjitha shërbimet profesionale, ishin dy sektorë me një rritje shumë të madhe. Dhe ata na u shfaqën si sektorë në zhvillim për ekonominë. Sigurisht, kontributi në PBB është shumë i vogël, por efekti që kanë në të gjithë ekonominë është i madh – nëse flasim për TIK-un, për shembull. Bëmë të njëjtin studim për vitin 2024 i cili sapo ka përfunduar. Dhe zbuluam që nga një sektor në zhvillim, sektori i TIK-ut – pjesa që është e përqendruar në ofrimin e shërbimeve të TIK-ut – tashmë është maturuar. Kemi një treg të maturuar në këtë fushë. Pra, për tri vite jemi në një situatë krejtësisht tjetër, ekstreme. Dhe tjetra shumë interesante ishte që sektori që ofron shërbime, jo ai që konsumon TIK, ofron më shumë se 50% të shërbimeve për eksport. Nuk e kishim menduar kurrë që, kompanitë tona të TIK-ut, sot po ofrojnë këtë lloj shërbimi jashtë vendit. Duket që jemi të fortë brenda vendit, pavarësisht shifrave të ulëta për të cilat flasim. Pra, na duhet të shohim në mënyrë dinamike dhe të qartësojmë vetveten se cilat janë avantazhet që kemi, në mënyrë që t’i përdorim.
Ndiqni intervistën e plotë:
LEXONI GJITHASHTU:
Mot i keq në Shkodër, autoritetet apel qytetarëve: Shmangni zonat me risk
Qytetarët bllokojnë rrugën pranë selisë së PS-së, thirrje të rinjve: Ngrihuni nga kafet
Debat në “Now”, Nurellari: Duhet mbrojtur natyra! Ish-ministri Bajrami: Ka tentativë për destabilizim, Koka: U derdh gota e durimit
- 23:16 Mot i keq në Shkodër, autoritetet apel qytetarëve: Shmangni zonat me risk
- 23:07 “Opozitë e krimit”! Protestuesit nga selia e PS-së shkojnë para selisë së PD-së
- 22:35 Tajani: Është SHBA-ja ajo që “duhet ta ndalojë Izraelin” për paqen në LM
- 22:33 SHBA tërheq trupat nga Lituania
- 22:28 Qytetarët bllokojnë rrugën pranë selisë së PS-së, thirrje të rinjve: Ngrihuni nga kafet
- 22:27 Irani shënjestron anijen amerikane në Gjirin e Omanit! Araghchi: Nëse Izraeli sulmon Bejrutin, rifillon lufta