Masa të forta sigurie, dalin para gjykatës 3 të arrestuarit pas vrasjes së gjyqtarit
Mëngjesin e kësaj të mërkure, tre personat e arrestuar pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja në sallën e gjyqit dolën para gjykatës nën masa të rrepta sigurie.
Drejtuesi i Prokurorisë së Tiranës, Arenc Çela, i cili ka marrë në dorë dosjen e hetimit, ka kërkuar masën e sigurisë “arrest me burg” për të arrestuarit.
Gjyqtarja Marinela Osmani do të vendosë për masën e sigurisë ndaj Elvis Shkambit, autorit të vrasjes, xhaxhait të tij, Gjon Shkambit, si dhe punonjësit të sigurisë në Gjykatën e Apelit, Banush Koxhaj, i dyshuar për shpërdorim detyre.
Seanca u mbajt në Dhomën Penale të Gjykatës së Tiranës me dyer të mbyllura.

30-vjeçari Elvis Shkambi, i dyshuar si autor i vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja dhe plagosjes së Rakip dhe Ervis Kurtajt (babë e bir), përballet me tre akuza të rënda nga Prokuroria: Vrasja e funksionarit publik, vrasja e kundërshtarëve në gjyq (e mbetur në tentativë) si dhe armëmbajtje pa leje.
Për xhaxhain e tij, Gjon Shkambi, 56 vjeç, Prokuroria ka ndryshuar referimin e Policisë që më parë e akuzonte edhe për vrasjen e gjyqtarit. Organi i akuzës aktualisht dyshon se Gjoni kishte dijeni për planin e nipit të tij, por vetëm në raport me palën kundërshtare në gjyq – Rakip dhe Ervis Kurtajn – dhe se ka luajtur rolin e nxitësit në këtë tentativë.
Prokuroria thekson se Gjon Shkambi ka bërë kërcënime publike në emisione televizive, duke deklaruar se do të vriste personat që, sipas tij, kishin zaptuar godinën trekatëshe në Shkodër. Madje, sipas hetuesve, vetë familjarët kanë kallëzuar në polici për kanosje të marra nga ai.

Vrasja e gjykatësit Astrit Kalaja, e kryer në sallën e gjyqit, ka tronditur të gjithë sistemin gjyqësor shqiptar. Zyrtarët më të lartë të drejtësisë kanë reaguar ashpër, duke kërkuar garanci për sigurinë e gjyqtarëve.
Sokol Sadushi, Kryetar i Gjykatës së Lartë:
“Gjendja në gjykatat shqiptare është e papranueshme. Siguria është në nivelin zero. Gjyqtarët duan siguri që të japin drejtësi.”
Erjon Bani, drejtues i GJKKO:
“Në 99% të gjykatave nuk plotësohen kushtet e sigurisë. Duhet ndërtim nga fillimi.”
Maks Haxhia, kreu i Dhomës së Avokatëve:
“Kjo nuk është vrasje e gjyqtarit, por e gjithë sistemit të drejtësisë. Ti dalë uji i zi kësaj pune. Unë takova kolegët tanë gjyqtarë dhe ata janë komplet të lëshuar, demoralizuar dhe njëra nga ato tha ‘na kanë nxjerrë në pritë’.”
Mbledhje urgjente me gjyqtarët pas vrasjes
Këtë të enjte kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, ka thirrur një mbledhje urgjente me të gjithë gjyqtarët e Shqipërisë, që do të zhvillohet në ambientet e Këshillit të Lartë Gjyqësor.
Kjo mbledhje vjen pas ngjarjes së rëndë të 6 tetorit, kur gjyqtari Astrit Kalaja u qëllua për vdekje në sallën e Gjykatës së Apelit në Tiranë nga Elvis Shkambi, gjatë kohës që po ushtronte detyrën.
Ngjarja ndodhi në momentin që gjyqtari Kalaja dha vendimin kundër Gjon Shkambit, xhaxhait të autorit të dyshuar, në një çështje pronësie.
Më pas, Elvis Shkambi nxori armën dhe qëlloi tri herë, duke lënë të vdekur gjyqtarin dhe duke plagosur Rakip dhe Ervis Kurtajn, palë kundërshtare në proces.

LEXONI GJITHASHTU:
“Lironi çunat, lironi vajzat”, protesta e ditës së 54 fokusohet te të shoqëruarit nga policia
Republika Sërpska lobon me miliona në SHBA për pavarësinë e saj
Rrezik thatësire në Evropë, studiuesit ndërkombëtarë tregojnë pasojat e nxehtësisë ekstreme
- 22:33 Banka Qendrore Evropiane prezanton modelet e reja të kartëmonedhave euro, qytetarët ftohen të votojnë
- 22:26 Raporti i Oxfam: Gaza ka nevojë për mbi 71 miliardë dollarë për t’u rindërtuar në 10 vite
- 22:23 Deputeti i PD-së: Ja pse Rama nuk e çoi deri në fund reformën territoriale, Parlamenti është jonormal
- 22:08 Dashamir Shehi: Mbështes protestuesit, ata janë rinia evropiane e Shqipërisë
- 21:52 Mes thirrjeve “Rama, jepe dorëheqjen”, kryeministri publikon videon duke përgatitur fjalimin: Kënga ime e preferuar
- 21:41 “Lironi çunat, lironi vajzat”, protesta e ditës së 54 fokusohet te të shoqëruarit nga policia