Bujar Osmani për Euronews Albania: Maqedonia e Veriut, model për vendet e Ballkanit Perëndimor

28 Shtator 2020 | 18:10

Ndërsa Maqedonia e Veriut pret zhvillimin e konferencës së parë ndërqeveritare që i paraprin hapjes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, në intervistën e dhënë për korrespondentin e Euronews Albania në Bruksel, Ernest Bunguri, Ministri i Jashtëm Bujar Osmani vlerëson se vendi është kthyer në model për shtetet e Ballkanit Perëndimor.

“Për ne, integrimi, ose anëtarësimi në BE, është një nga dy prioritetet strategjike të vendit që nga pavarësia. Njërin e plotësuam këtë vit, me anëtarësimin e plotë në NATO. Tani po punojmë për prioritetin e dytë, për të cilin bëmë një thyerje historike në mars me vendimin e BE-së për hapjen e negociatave, për të cilin kishim pritur 15 vite, me dhjetëra rekomandime të Komisionit të cilat kishin hasur në vesh të shurdhër në KE për shkak të pengesave nga vendet fqinje”, tha Osmani.

Për ministrin e jashtëm, Maqedonia e Veriut u kthye në një histori unike në Ballkan me mbylljen e çështjeve me vendet fqinje.

“Me kalimin e këtyre konteksteve, mbylljen e këtyre çështjeve, u shpërblye fakti që Maqedonia e Veriut u kthye në një histori unike në Ballkan, duke krijuar dy modele referente, atë të marrëdhënieve ndëretnike dhe at të fqinjësisë së mirë, të cilat duhet të përdoren si shembull se si duhen trajtuar çështje të ngjashme në rajon por edhe më gjerë”, pohoi ai për Euronews Albania.

Por para se të arrihet konferenca ndërqeveritare, zoti Osmani thotë se duhet arritur dakordësia për tekstin e kornizës negociuese.

“Tashmë që vendimi i KE-së u arrit me konsensus, mbajtja e mbledhjes së parë ndërqeveritare është thjesht si një proces që e vë në zbatim atë, por që duhet të paraprihet nga konsensusi mbi tekstin e kornizës negociuese, që paraqet në fakt rregullat dhe procedurat e mbarëvajtjes së procesit të bisedimeve. Draft-teksti i KE-së dhe Presidencës është i pranueshëm deri tani, bashkë me amendimet që po i bëhen nga disa vende anëtare, të cilat po e përshtatin me metodologjinë e re dhe më strikte. Ajo që është e papranueshme për ne, janë sulmet dhe vërejtjet që i bëhen tekstit për disa çështje që kanë të bëjnë me tema të mbyllura tashmë me Marrëveshjen e Prespës”, tha Osmani.

Zoti Osmani sqaroi se Maqedonia e Veriut i ka zgjidhur çështjet e hapura edhe me Bullgarinë, ndaj nuk mendon se Sofja do të përpiqet të pengojë integrimin e vendit në BE.

“Si parakusht për fillimin e bisedimeve nuk ka qenë vetëm marrëveshja e Prespës, por edhe marrëveshja e nënshkruar me Bullgarinë. Të dyja çështjet e hapura ne i kemi mbyllur në këtë mandat, dhe nënshkrimi i marrëveshjes për fqinjësi të mirë me Bullgarinë ka qenë një kapitull i ri në raportet tona”, tha Osmani.

Ai shpjegon se në të shkuarën ka qenë politika ajo që nuk lejonte gjetjen e gjuhës së përbashkët, dhe se interpretimet historike pengonin zhvillimin e raporteve politike. Por marrëveshja me Bullgarinë i ndau gjërat dhe bëri që me historinë të merren shkencëtarët e historianët, ndërsa politikanët vetëm me ato politike. Kjo bëri që politikanët të përmirësojnë marrëdhëniet mes vendeve, por dhe historianët gjetën zgjidhje për një numër të madh të figurave historike.

Po ashtu, Osmani beson se qëndrimi i vendeve të BE-së nuk do të lejojë që hapja e kapitujve të kthehet në diçka që mund të përdoret si kusht për çështjet me Bullgarinë.

 “Fillimisht dua të them se pozicioni i vendeve anëtare ka qenë korrekt për sa i takon çështjes me Bullgarinë, për shkak se nuk do të lejojnë bilateralizimin e kornizës negociuese, që të shndërrohet në një platformë për të imponuar zgjidhje të njëanshme të problemeve bilaterale, për të cilat është krijuar një tjetër platformë, marrëveshja me Bullgarinë”, tha Osmani.

Për sa i përket situatës me vendet e tjera të rajonit, si dialogu Kosovë-Serbi, ministri i jashtëm i Maqedonisë së Veriut thekson se bashkëpunimi rajonal është parakusht për rrugëtimin evropian, ndërsa shpreh besimin se ndërhyrja e përbashkët Bruksel-Uashington mund të zgjidhë çdo konflikt të mbetur në rajon. Po ashtu, ai vlerëson nismat e përbashkëta, si mini-Shengen dhe tregu rajonal.

“Iniciativat e fundit për t’i bërë bashkë të gjitha këto iniciativa rajonale nën një treg të përbashkët rajonal, po shkon në drejtim të duhur. Këshilli për Bashkëpunim Rajonal për Procesin e Berlinit në Sofje ka propozuar një plan veprimi të fazës së dytë që përfshin edhe elemente nga iniciativa e mini-Shengenit, dhe unë mendoj se do të ishte mirë të bënim një bashkim të këtyre iniciativave, e t’i kurorëzojmë në procesin e Berlinit që mbahet në Sofje e që po bashkëudhëhiqet nga ne dhe nga republika e Bullgarisë”, tha Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, për Euronews Albania në Bruksel.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Zv.kryeministri shqiptar në RMV jep dorëheqjen, zbulohen përplasjet brenda qeverisë

Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Arben Fetai, ka njoftuar se ka dorëzuar dorëheqjen nga funksioni i tij si zëvendëskryeministër i ngarkuar për Qeverisjen e Mirë....
10:46 | 02/06/2026

Ahmeti i përgjigjet Kurtit: Marrëveshja e Ohrit, gurthemeli edhe i planit të Ahtisaarit për Kosovën

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim ka reaguar ndaj kryeministrit në detyrë Albin Kurti pas kritikave që ky i fundit i bëri Bashkimit Demokratik për...
08:44 | 02/06/2026

Aksident i rëndë në aksin Kumanovë-Shkup, 13-vjeçari me skulter përplaset për vdekje nga një makinë

Një 13-vjeçar ka ndërruar jetë tragjikisht në një aksident në aksin Kumanovë-Shkup, në fshatin Çerkezi. Aksidenti u regjistrua mbrëmjen e së enjtes. Në aksident janë...
12:49 | 29/05/2026