English

Nga 21 janari te puna e SPAK, mesazhet e Ramës për drejtësinë e re në Kongresin e PS

KOMENTE

SHPERNDAJE
ARTIKULLIN

Text sizeAa Aa

Kryeministri Edi Rama tha në Kongresin e PS se reforma e suksesshme në Drejtësi është bërë vetëm falë PS dhe qeverisjes së majtë.

Sipas Ramës, nëse PS nuk do të ishte në pushtet, as amerikanët dhe as europianët nuk do të bënin dot këtë reformë, të cilën siç tha ai, amerikanët dhe evropianët ia servirin si model vendeve të rajonit.

“Reforma që ne ndërmorëm në Drejtësi është reforma më e thellë për ndërtimin e shtetit modern evropian të shqiptarëve, asnjëherë askush, që nga shpallja e Shqipërisë shtet nuk e ndërmori një reformë të tillë.

- Advertisement -

Sot ka shumë përpjekje që thonë se është një produkt i imponuar nga BE dhe SHBA. Asgjë më të pavërtetë se kjo nuk ka.

Le të hidhet përpjekjet kush të dojë por reformë në drejtësi pa PS-në dhe pa fitoren tonë në 2013, nuk kishte anglo-amerikan apo euro perëndimor që bënte dot në Shqipëri. Ambasada e SHBA-së dhe BE nuk erdhën në 2013, ishin këtu dhe më para.

Nuk e solli koha këtë transformim po e solli PS. PS nuk e solli Amerika dhe as Europa por e solli populli shqiptar. S’e bëmë vetëm, por jemi në gjendje t’i bëjmë Shqipërisë aleatë miq dhe parterë në atë nivel që Shqipëria s’i ka pasur kurrë”, tha Rama.

Rama tha gjithashtu se pushteti gjyqësor nuk është i vetmi pushtet i pavarur në Shqipëri, por është edhe ai ekzekutiv e legjislativ.

Ai shtoi se nuk duhet të pritet vetëm nga SPAK që të luftojë korrupsionin, por çdo gjykatë duhet të garantojë drejtësi për qytetarët në mbarë vendin.

“Drejtësia nuk janë i vetmi pushtet i pavarur i kësaj republike, e cila ka edhe dy pushtete të tjera të pavarura, që nuk varen nga pushteti gjyqësor në vendimmarrjet e tyre dhe as nuk i japin llogari pushtetit gjyqësor për ushtrimin e kompetencave të tyre kushtetuese dhe ligjore.

Kështu funksionon drejtësia europiane dhe kjo është panorama e së ardhmes që ne duhet të punojmë të gjithë së bashku, që drejtësia e re të bëhet një drejtësi europiane në të gjithë territorin.

Se nuk mjafton që një individ të shkojë para ligjit se ka një kostum politik, por duhet që çdo individ që shkon në dyert e gjykatave të Shqipërisë, të jetë i garantuar që e drejta e tij as nuk shitet e as nuk blihet.

Të mos presim vetëm nga SPAK që të luftojmë me korrupsionin në organizmin e pushtetit ekzekutiv, as të mos e lëmë progresin e drejtësië jashtë vëmendjes dhe progresit të përlamentit, i cili duhet të përfshihet shumë më tepër”, është shprehur Rama.

Rama tha gjithashtu se duhet ndërgjegjësimi i të gjitha institucioneve të të gjitha pushteteve në vend, për luftimin e korrupsionit.

Ai tha se roli i Kuvendit është i rëndësishëm në procesin e zbatimit të Reformës dhe shtoi se Republika e Shqipërisë është minisioni dhe arsyeja pse të tre pushtetet, legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor, ekzistojnë.

Kryeministri tha se “21 janari” është peng i drejtësisë së vjetër, pasi sipas tij, drejtësia e re ende nuk ka mbërritur në Prokurorinë e Tiranës, po shtoi se kjo do të ndodhë shumë shpejt.

Pjesë nga fjala e Ramës:

Sot ka shumë përpjekje për t’i treguar frytet e para të kësaj reformë si një produkt i imponuar, importi nga SHBA dhe BE, madje për t’i treguar si provë të kapjes me pahir nga hallatet të të gjitha forcave politike vendimmarrëse të këtij vendi nga aleatët tanë strategjik. Asgjë më të pavërtetë se sa kjo nuk ka dhe le të hidhen përpjetë kush të dojë, sa të dojë, por reformë në drejtësi pa Partinë Socialiste dhe fitoren tonë të vitit 2013, nuk ka anglo-amerikanë apo euro-perëndimor që bënte dot në Shqipëri.

Ambasada Amerikane dhe delegacioni europian nuk erdhën në Shqipëri në vitin 2013. Këtu ishin që kur Shqipëria u çlirua nga kthetrat e diktaturës dhe nevojën për një drejtësi demokratike në Shqipëri as europianët e as anglo-amerikanët nuk e zbuluan në vitin 2016, kur ne kaluam në Parlament paketën e ndryshimit historik të kursit kushtetues të drejtësisë në këtë vend.

Nga ana tjetër, nëse reforma në drejtësi do të ishte një produkt eksporti i detyrueshëm për vendet që do të duan të anëtarësohen në Bashkimin Europian, atëherë BE dhe SHBA do ta kishin eksportuar dhe në vendet e tjera të rajonit. Janë të paktën dhe dy vende të tjera të NATO-s në Ballkan, plus dhe një vend tjetër që nuk është i NATO-s, por është totalisht pro amerikan dhe pro perëndimor që është Kosova. Pse nuk e kanë importuar meqë e kanë kaq të lehtë që e sjellin me aeroplan reformën?

Ndërkohë që atyre vendeve, përfshirë edhe Serbisë dhe Bosnje dhe Hercegovinës ju tregojnë Shqipërinë. U thonë, merrni shembull se si duhet ta bëni reformën në drejtësi. U thonë, merrni shembull se si bëhet pastrimi i sistemit të drejtësie nga gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar. U thonë, merrni shembull se si bëhet një organizim tërësor i drejtësisë. Prandaj ata që thonë të kundërtën, e bëjnë nga pozitat e kundërshtarit të Partisë Socialiste apo e bëjnë nga ai pozicioni i shqipos që meazallah se ia njeh shqipove të tjerë meritën për një punë të mirë. E keni vënë re? Çdo punë të mirë që bëjmë ne, “e solli koha”. Çdo gjë që nuk shkon, “nuk shkon se e kemi bërë ne”. Jam dakord me të dytën, por me të parën nuk jam dakord.

Nuk e solli koha këtë transformim, por e solli Partia Socialiste e Shqipërisë dhe Partinë Socialiste të Shoqërisë nuk e solli Amerika e as Europa, por e solli populli shqiptar në vitin 2013 dhe duke qenë se populli shqiptar është populli që nëse do kishte një kampionat botëror për politikë do fitonte kupën e botës dhe ka një instinkt të pagabueshëm, jo vetëm na e dha votën në 2013, por kur ia kërkuam përsëri në 2017 dhe i thamë, “na e jep të qeverisim pa të tjerë në prehër, se ndryshe nuk e çojmë përpara këtë proces”. Se i kaluam ndryshimet kushtetuese në 2016 dhe paketën që duhej të të gjithë korpusit bazë ligjor na e morën peng thuajse 3 vjet në Parlament. Na e dha votën, na i hoqi nga prehri pasagjerët me dy patenta. Prandaj ky aspekt i autorësisë së reformës në drejtësitë ka pak rëndësi për historinë e shtet ndërtimit demokratik. Unë e nënvizoj më shumë për tu thënë shqiptarëve, ne jemi në gjendje ti bëjmë të gjitha gjërat që i ëndërrojmë me sy hapur dhe nuk kemi pse presim të na i bëjnë të tjerët dhe ja, e bëmë dhe këtë.

Patjetër që nuk e bëmë vetëm dhe patjetër që asgjë nuk bëhet vetëm në këtë botë, por ne jemi në gjendje që t’i bëjmë Shqipërisë aleatë, miq e partnerë në atë nivel që Shqipëria nuk i ka pasur kurrë prandaj përpara se sa të thoni sa mirë na e bëri Amerika, sa mirë na e bëri Europa, thoni: ore sa interesant, e bëkemi dhe ne një gjë nëse i hymë. Për sa i përket historisë, këtë meritë historia nuk ka kujt emri tjetër ia njeh përveç Partisë Socialiste.

Mirëpo, thënë të gjitha këto, problemi i madh sot sa një mal përpara nesh është çfarë duhet të bëjmë ne më shumë dhe shumë më mirë që ta afrojmë sa më shumë ditën kur drejtësia në Shqipëri të jetë e tëra drejtësi e drejtë, drejtësi e pavarur, drejtësi e aftë dhe e ndershme me të gjithë shqiptarët dhe për të gjithë shqiptarët.

Gjithçka po ndodh sot me hetimin, vendosjen nën akuzë apo ndëshkimin penal të një sërë individësh me profil të lartë në nivelin qendror të politikë, është vetëm zgjimi i një shpirti drejtësie të fjetur prej më shumë se 100 vitesh në koma në nëntokën e shtetit shqiptar, por nuk është drejtësia europiane që duam për Shqipërinë e fëmijëve tanë. Ky zgjim ka vetëm një arsye: Kalimin e fuqisë sonë si forca më e madhe politike e vendit, që zotëron pushtetin ekzekutiv dhe udhëheq rrugën e ndërtimit të shtetit të së drejtës tek një strukturë e re që lindi nga reforma në drejtësi dhe që përbëhet nga një organ special akuze, SPAK-u dhe një organ special gjykimi, GJKKO-ja. Vetëm kjo është arsyeja, por është shumë pak. Është jashtëzakonisht shumë në aspektin e moralit politik, është jashtëzakonisht shumë në aspektin e vullnetit politik sepse që një pushtet ekzekutiv shqiptar të transferojë të gjithë fuqinë e vet në raport me gjithçka ka të bëjë me drejtësinë, tek një strukturë e re, e pavarur prej tij, kjo është historike, por s’është drejtësia europiane kjo. Ky është voluntarizmi i i Partisë Socialiste të Shqipërisë dhe nëse ne mendojmë për një momentet të vetëm që ne e bëmë tonën, ky progres nuk ka asnjë garanci. U deshën disa vite që kjo strukturë t’i zgjaste duart e pavarura drejt pushtetit të politikës dhe të fillonte vënien para ligjit të individëve që as mund të imagjinohej se mund te prekeshin ndonjëherë nga drejtësia, që nga viti 1912 dhe patjetër që kjo është një domosdoshmëri absolute për të shkuar përpara në rrugën e ndërtimit të drejtësisë europiane dhe të forcimit të mirëqeverisjes.

Prandaj do të vazhdojmë ta mbështesim pa kushte këtë krijesë të sapolindur. Në jetën e një njeriu çdo vit ka një peshë të veçantë ndërsa në procesin e shtet ndërtimit demokratik, një vit është vetëm një ditë dhe asgjë më shumë dhe nuk mjaftojnë vetëm disa ditë për të kaluar nga një fazë shekullore pa liri, pa demokraci, mbi të gjitha pa shtet të së drejtës, në një fazë të funksionimit të shtetit të së drejtës si një orë e përpiktë. Ua thashë pak më parë shembullin se si pavarësisht vullnetit tonë dhe gatishmërisë sonë, faktikisht armiqtë publik të reformës në Parlamentin e Shqipërisë, na morën thuajse 3 vjet nga dita kur u kalua në ndryshimet kushtetuese tek dita kur u aprovua e gjithë ajo paketë, por teksa ne do të vazhdojmë ta mbështesim drejtësinë e re në hapat e saj, ka ardhur koha që ne t’i drejtojmë pyetje të rëndësishme vetës. Ka ardhur koha që ne të bëjmë shumë më tepër me veten dhe pastaj përmes Patisë Socialiste për ta nxitur dhe ndihmuar drejtësinë e re, që e para një herë të shtrihet në të gjithë organizmin e sistemit të drejtësisë, se SPAK-u dhe Gjykata e Krimeve të Rënda janë 1, 2 kilometra larg në distancë nga Prokuroria e Tiranës për shembull.

Këtu u fol për 21 janarin. 21 janari është peng i drejtësisë se vjetër. 2 kilometra janë! Nuk ka vajtur akoma drejtësia e re tek Prokuroria e Tiranës. 21 janari është i mbyllur në ato sëndukët e gjysheve. Gjysheve jo, se gjysheve mos t’u biem në qafë, po në ato sëndukët e maskarenjve të Shqipërisë qysh nga viti 1912 që penguan, sabotuan dhe rrëzuan këdo që tentoi t’i bënte gjërat pak më ndryshe. Imagjinoni Prokuroritë e tjera, imagjinoni Gjykatat e tjera se në çfarë gjendje janë, se nuk dua të marr kohë me këtë, por ne duhet të mendojmë seriozisht se çfarë duhet të bëjmë ne që drejtësia të rrisë profesionalizmin e saj. Drejtësia europiane është gjithnjë, në çdo rast, garante e shtetit ligjor, është garante e lirive dhe të drejtave kushtetuese të çdo individi. Është garante e barazisë reale të të gjithë individëve para ligjit, përfshirë dhe vetë prokurorët dhe gjykatësit të cilët kurrsesi nuk duhet të ndihen, dhe jo më pastaj të bëhen një pushtet që ndjehet i pa kontrolluar, i pakontrollueshëm dhe i pa balancuar nga asnjë mekanizëm kushtetues dhe ligjor i Republikës sonë. Kjo është Republika e Shqipërisë, jo republika e prokurorëve apo e gjykatësve të cilët janë po, janë pa diskutim një pushtet i pavarur nga Parlamenti dhe nga qeveria, por nuk janë i vetmi pushtet i pavarur i kësaj Republike, e cila ka edhe dy pushtete të tjera të pavarura që nuk varen nga pushteti gjyqësor në vendimmarrjet e tyre dhe as nuk i japin llogari pushtetit gjyqësor për ushtrimin e kompetencave të tyre kushtetuese dhe ligjore. Kështu funksionon drejtësia europiane dhe kjo është panorama e së ardhmes për të cilën ne duhet të punojmë të gjithë së bashku, institucionalisht, që drejtësia e re të bëhet një drejtësi europiane në të gjithë territorin, se nuk mjafton që një individ, një tjetër e një tjetër të shkojnë përpara ligjit edhe pse kanë një kostum politik, por duhet që çdo individ që shkon në dyert e Prokurorive dhe të Gjykatave në të gjithë 28 mijë kilometrat katrorë të Shqipërisë, të jetë i garantuar që e drejta e tij as nuk shitet, as nuk blihet, as nuk merret, as nuk vidhet dhe kjo është koha që as mos flemë mbi dafinat e rezultateve të  pamohueshme të punës së strukturës së re speciale të drejtësisë, as mos presim vetëm nga SPAK-u që të luftojë me korrupsionin në organizmin e pushtetit ekzekutiv, por as mos e lëmë progresin e drejtësisë jashtë vëmendjes dhe kujdesit të Parlamenti,  i cili duhet të përfshihet shumë më tepër në betejën për këtë progres, pakthyeshmëria dhe cilësia e të cilit janë jetike për fatin e gjithë progresit tërësor të Shqipërisë për të cilin folëm gjithë ditën këtu.

Fjala vjen ka dy vjet që flitet për një grup të ri propozimesh për ndryshime të ligjeve të reformës në drejtësi dhe ky grup i ri propozimesh vjen jo nga ne, vjen nga vetë sistemi i drejtësisë. Ka nisur fillimisht për disa ndërhyje racionale të lidhura me SPAK dhe misionet ndërkombëtare për asistencë dhe monitorim dhe pastaj është zgjedhur.

Është zgjeruar me propozime nga të gjitha institucionet e sistemit të drejtësisë, të cilat mund të përmblidhen dhe janë relevante për këtë bisedë sepse mund të përmblidhen kryesisht si kërkesa për më shumë pushtet, por dhe më shumë privilegje. Unë nuk pendohem aspak, që kjo shumicë qeverisëse ka miratuar në parlament një rritje pagash, e dëgjuat ministren e drejtësisë. 200 e 300% për prokurorët dhe gjykatësit. 200 e 300%! Ndërkohë që rritja e pagave për forcat e armatosura, rritja e pagave për punonjësit e policisë, rritja e pagave për mësuesit, rritja e pagave për infermierët, rritja e pagave për mjeket, rritja e pagave për të gjithë punonjësit është larg së qeni kaq.

Nëse ne, fatmirësisht kemi nisur t’i afrohemi nivelit të lartë të pagave të rajonit, e dini ju që prokurorët dhe gjykatësit e Shqipërisë kanë pagat absolutisht më të larta në rajon me diferencë nga presidentet e rajonit.

E kemi bërë të vetëdijshëm për të gjitha arsyet, të cilat nuk ndryshojnë. Nuk ndryshojnë! 10 herë të ktheheshim mbrapa, 10 herë do ta ribënim, por ama kemi detyrën përveçse të drejtën që, jo vetëm të japim mbështetje pa rezervë për strukturën speciale, por të kërkojnë rezultate për njerëzit nga i gjithë sistemi i drejtësisë se nuk janë rritur vetëm për strukturën speciale. Dhe dy vjet pas dyerve nëpër korridoret e institucioneve është krijuar dhe madje ushqyer dhe perceptimi komplet i gabuar se e gjitha kjo bëhet për qoka, për influencim dhe deri dhe për kapje të sistemit nga pushteti ynë ekzekutiv. Edhe vetë formatimi i institucioneve të reja ka pasur vonesa të ndjeshme, por edhe problematika të rënda të cilësisë së përbërjes dhe të përfaqësimit.

Nuk po merrem këtu fare me rolin destruktiv të armiqve publikë të reformës në drejtësi, përpjekjet e tyre të pa ndalura për t’i penguar, delegjitimuar, demotivuar institucionet e reja të drejtësisë.

Por ne, sot duhet ta njohim dhe duhet ta marrim përgjegjësinë lidhur me mbështetjen dhe me koordinimin e këtij procesi madhor nga Kuvendi, komisionet dhe strukturat e ngritura posaçërisht pranë Kuvendit, ashtu siç duhet të njohim dhe të marrim përgjegjësi për të adresuar nevojën e një strategjie të re që të rriten prurjet në shkollën e Magjistraturës. Të plotësohen vakancat në një kohë sa më të shpejtë në sistem. Të ruhet pa diskutim cilësia dhe profesionalizmi, por edhe për mënyrën e rritjes së shpejtësisë në hetim dhe në gjykim të çështjeve që janë pa hetuar dhe pa gjykuar për vite dhe janë çështje pafund familjesh, çështje pafund individësh, çështje pafund qytetarësh shqiptarë që kanë të drejtën e tyre të marrin përgjigje dhe të marrin të drejtën e tyre.

Rritja e aksesit në drejtësi, garantimi i standardeve për një proces të rregullt ligjor. Zbatimi më i mirë i gjithë atyre që janë parashikime të ligjeve të reformës. Edhe zbutja e kostos për qytetarët, për buxhetin se janë kosto të tmerrshme gjithë këto mbingarkesa, gjithë këto vonesa, gjithë këto ngatërresa të sistemit që është në ndryshim e sipër. Nuk janë probleme që ne duhet t’ia lëmë në derë të tjerëve e të themi tani “ne e bëmë ç‘kishim për të bërë, merruni ju”. Se ne këtu nuk jemi qiraxhinj, jemi zotër shtëpie që të gjithë së bashku.

Por ama të gjitha këto nuk janë si projektet e shkollave, të spitaleve, të rrugëve. Nuk janë as si problemet e funksionimit të agjencive të varësisë së qeverisë se për këto duhet një tjetër përpjekje që i bën bashkë të treja pushtetet e pavarura. I bën bashkë, duke bërë bashkë një numër shumë të madh institucionesh që janë në varësi të tyre, në respekt të pavarësisë së secilit, por më vetëdijen se drejtësia europiane dhe futja e gjakut të modernizmit në çdo venë të organizmit të shtetit tonë nuk bëhen dot kurrë ndryshe. Ne duhet të jemi në lartësinë e  kësaj sfide që është shumë serioze sepse pavarësisht ndërtimit të një kuadri të ri ligjor, arkitekture të re të sistemit të drejtësisë dhe faktikisht ngritjes së një sistemi të ri nga e para, faktori themelor për suksesin e kësaj reforme është ushqimi i shëndetshëm i një fryme dhe një mendësie shtetërore europiane.

Mendësia shtetërore kërkon ndërgjegjësimin e të gjithë drejtuesve të institucioneve të të gjitha këtyre pushteteve dhe drejtuesit e të gjitha niveleve në këto institucione në radhë të parë që pushtetet e pavarura nuk janë republika më vete. Dhe Republika e Shqipërisë nuk është një federatë mes atyre të trejave, por Republika e Shqipërisë është arsyeja, është qëllimi, është misioni pse këto pushtete ekzistojnë.

Roli i Kuvendit në procesin e zbatimit të reformës është i përcaktuar, parashikimet kushtetuese, është i rregulluar në ligje, por po ta pyesin veten çfarë ka ndryshuar në praktikën tradicionale të kuvendit në raport me këtë rol të ri strategjik se është kuvendi qendra e gravitetit, nuk është qeveria, është kuvendi. Përgjigja, qoftë për përgjegjshmërinë, qoftë për llogaridhënien, qoftë për efikasitetin e organeve të drejtësisë pas reformës do të ishte e tipit “më ka çuar nana me la gojën” mbi bazën e po atyre raportimeve të vjetra rutinë “Ka ardhur kaq herë filani”, po se ç’ka thënë filani e seç i kemi thënë filanit, e si është ndërtuar ky proces në funksion që çfarë na thotë filani e çfarë i themi filanit shkon për përshpejtimin e europianizimit të sistemit të drejtësisë, kjo nuk përfshihet në këtë praktikë të Kuvendit dhe kjo duhet të ndryshojë plotësisht. Dhe puna për këtë ndryshim duhet të nisë një orë e më parë nga ne. Por, siç e preka në fillim, nga ana tjetër, ne nuk do të kemi një drejtësi europiane dhe një mirëqeverisje europiane nëse ne nuk do guxojmë ta thyejmë kornizën e progresit gradual përmes inovacionit jo gradual dhe jo thjeshtë në aspektin teknologjik, por në gjithë filozofinë e qasjes së institucioneve ndaj vetë idesë së progresit. E ne duhet të punojmë çdo ditë me vetëdijen që luftën kundër korrupsionit nuk mund ta bëjë ekskluzivisht drejtësia, por edhe mirëqeverisja, e cila duhet të modernizohet dhe e dyta nuk duhet në asnjë mënyrë që të mos e rrokim ne me gjithë fuqinë e dëshirës tonë për ta rritur shpejtësinë e progresit, mundësinë e re, oportunitetin e këtij momenti historik për të gjithë shoqërinë njerëzore që është teknologjia dhe inteligjenca artificale.

Lufta kundër korrupsionit dhe rritja e cilësisë së institucioneve demokratike kërkon një drejtësi që ndëshkon keqbërësit e veshur me pushtet, po kërkon dhe modernizimin e shtetit përmes krijimit dhe aftësimit të vazhdueshëm të sistemeve të funksionimit të institucionit.

Karrigia e pushtetit është një kafshë e egër, që po e le të të hyjë në trup, të mbush xhepin, por të merr mendjen. Prandaj kush e harron që ajo karrige është e popullit dhe e shtetit, jo e veta dhe e tarafit të vetë, meriton çdo ndëshkim që parashikon ligji për këtë lloj harrese të neveritshme. Në këtë pikë unë nuk do zgjatem se e dini qëndrimin që nuk ndryshon për të gjithë ata, që harrojnë se për çfarë e kanë karrigen e dhënë nga kjo familje politike, dhe pastaj kur i kap rrjeta e drejtësisë presin mbrojtje nga partia apo bëjnë viktimën e konspiracioneve imagjinare të partisë.

Partia Socialiste qëllon të ta japë privilegjin që të ulesh në karrige për t’iu shërbyer qëllimeve të saj të shpallura publikisht dhe të votuara masivisht nga shqiptarët. Ndërsa për ta mbajtur atë karrige me dinjitet dhe me sukses, është detyra, është përgjegjësia dhe është nderi yt, por paralelisht me këtë dhe pavarësisht se sa individë të korruptuar do të ndëshkohen nga drejtësia e re sot, nesër, pasnesër, korrupsioni do të vazhdojë të mbetet një problem jo i vogël në Shqipëri, për sa kohë modernizimi i sistemeve të funksionimit të shtetit, si edhe cilësia e proceseve vendimmarrëse nuk do të arrijë në nivelin e masës kritike të transformimit. Nëse do të jetonim në një kohë tjetër, kjo punë mund të na merrte 50 vjet, po koha që jetojmë, na ka dhënë një mundësi që asnjë gjeneratë njerëzore nuk e ka imagjinuar. Bekimin e teknologjisë digjitale dhe tanimë dhe të inteligjencës artificiale. Se dhe ju vetë këtu, që jeni në një farë mënyre qytetarë në vijën e parë të ndryshimeve 10 vitet e fundit, i keni harruar pamjet e tmerrshme të radhëve të pafundme, ecejaket në dyert e shtetit, pirgjet me letra që duheshin mbledhur derë më derë, shko aty merr një letër, ik aty merr një letër, të duhet një nga zjarrfikësi, shko merr atje te e Mjedisit, dil atje tek Urgjenca për të marrë një shërbim. Dhe çfarë shërbimi? Për të marrë një copë letër në një sportel të caktuar. Keni harruar bakshishet deri dhe për një certifikatë lindje se një herë nuk kishte drita për printerin, pastaj zonja që duhet të ishte aty kishte vizitë te gjinekologu, pastaj zotëria që të dilte përpara ishte me dhimbje koke, derisa i jepje atë 100 lekësh që të arratiseshe sa më parë nga radha.

Kjo është Republika e Shqipërisë, jo republika e prokurorëve apo e gjykatësve të cilët janë po, janë pa diskutim një pushtet i pavarur nga Parlamenti dhe nga qeveria, por nuk janë i vetmi pushtet i pavarur i kësaj Republike, e cila ka edhe dy pushtete të tjera të pavarura që nuk varen nga pushteti gjyqësor në vendimmarrjet e tyre dhe as nuk i japin llogari pushtetit gjyqësor për ushtrimin e kompetencave të tyre kushtetuese dhe ligjore. Kështu funksionon drejtësia europiane dhe kjo është panorama e së ardhmes për të cilën ne duhet të punojmë të gjithë së bashku, institucionalisht, që drejtësia e re të bëhet një drejtësi europiane në të gjithë territorin, se nuk mjafton që një individ, një tjetër e një tjetër të shkojnë përpara ligjit edhe pse kanë një kostum politik, por duhet që çdo individ që shkon në dyert e Prokurorive dhe të Gjykatave në të gjithë 28 mijë kilometrat katrorë të Shqipërisë, të jetë i garantuar që e drejta e tij as nuk shitet, as nuk blihet, as nuk merret, as nuk vidhet dhe kjo është koha që as mos flemë mbi dafinat e rezultateve të  pamohueshme të punës së strukturës së re speciale të drejtësisë, as mos presim vetëm nga SPAK-u që të luftojë me korrupsionin në organizmin e pushtetit ekzekutiv, por as mos e lëmë progresin e drejtësisë jashtë vëmendjes dhe kujdesit të Parlamenti,  i cili duhet të përfshihet shumë më tepër në betejën për këtë progres, pakthyeshmëria dhe cilësia e të cilit janë jetike për fatin e gjithë progresit tërësor të Shqipërisë për të cilin folëm gjithë ditën këtu.

LEXONI GJITHASHTU:

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Etiketimet

TË FUNDIT

Sondazh

Kush mendoni se mund ta marrë drejtimin e Rithemelimit nëse Berishës i caktohet masa “Arrest në shtëpi”?
×