Nikqi: Lojërat Mesdhetare janë momenti më i madh sportiv në historinë e Kosovës

13 Dhjetor 2025 | 21:53

Kosova po hyn në një fazë historike me organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030, një ngjarje që pritet të sjellë përfitime të mëdha sportive, ekonomike e politike për vendin.

Ky organizim po konsiderohet si një mundësi e rrallë për ta prezantuar Kosovën në nivel ndërkombëtar, por edhe për të ngritur standardet e sportit vendor. Federatat po e shohin këtë si moment vendimtar për rritjen e cilësisë, ndërsa volejbolli tashmë ka nisur përgatitjet konkrete.

Sekretari i Federatës së Volejbollit të Kosovës, Valon Nikqi, në një intervistë për KosovaPress, tha se federatat e sportit në Kosovë e kanë pritur me entuziazëm marrjen e Lojërave Mesdhetare, duke filluar përgatitjet për kombëtaret që më herët.

Nikqi konfirmon se Kosova do të garojë me ekipin më të fortë të volejbollit në këto lojëra, duke e parë këtë ngjarje si prioritet kombëtar.

“Zakonisht shtetet e forta që kanë zhvilluar sportin e volejbollit por edhe sportet tjera, ndonjëherë i dërgojnë edhe ekipet tjera mirë. Për ne si Kosovë është shumë prioritet që të kemi rezultate sa më të mira dhe me siguri se do të marrim me Kombëtaren A dhe me të gjithë potencialin më të mirë që e kemi për shkak se jemi organizator.

Edhe pse në Lojërat Mesdhetare do të marrin pjesë kombëtare mjaftë të forta që do të jetë e vështirë por ne do të bëjmë përpjekje maksimale që të dalim sa më të suksesshëm”, bëri të ditur Nikqi.

Sipas tij, sfidat më të mëdha mbeten mungesa e palestrave funksionale dhe hapësirave për stërvitje, duke e bërë vitin e ardhshëm vendimtar për ndërtim dhe përmirësim të infrastrukturës. Ai theksoi se Lojërat Mesdhetare do të sjellin përfitime të ndjeshme ekonomike dhe politike, duke përmirësuar imazhin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

“Sa i përket rëndësisë, janë mjaftë të rëndësishme në shumë aspekte, qoftë ekonomikisht por ndoshta edhe politikisht për faktin se ka ende shtete, ka ende lojtarë që mendojnë se Kosova është vend i pa zhvilluar. Që në Kosovë ende ka luftë, që Kosova është një vend i pa sigurt, kështu që edhe në këtë aspekt ka mjaftë rëndësi.

Për ne si sport i volejbollit por edhe për sportin në përgjithësi në Kosovë, mendoj që marrja e aktiviteteve dhe organizimeve të ngjashme ka përfitime në shumë aspekte. Kështu që çdo aktivitet që organizohet është i mirëseardhur, sidomos në sportin e volejbollit”, deklaroi Nikqi.

Lojërat Mesdhetare 2030 përbëjnë ngjarjen më të madhe sportive që ka marrë ndonjëherë Kosova përsipër, një provë e rëndësishme e kapacitetit organizativ të shtetit dhe një mundësi unike për të investuar në infrastrukturë moderne, zhvillim sportiv dhe promovim ndërkombëtar.

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Abdixhiku: Do të takohem me Kurtin, zgjedhjet e reja çmenduri politike

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, konfirmoi se e ka pranuar ftesën nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti. Ai tha se do të marrë pjesë...
19:02 | 09/07/2026

Takimi për krijimin e institucioneve të reja, PDK pranon ftesën e Kurtit. Gjini e refuzon

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza këtë të enjte ka konfirmuar se ka pranuar ftesën e kryeministrit, Albin Kurti për një takim lidhur...
17:18 | 09/07/2026

Kurti fton në takim liderët e opozitës për krijimin e institucioneve të reja

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka nisur konsultimet politike pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve. Kurti u ka dërguar këtë mëngjes ftesa për...
14:40 | 09/07/2026