‘Nuk do të jetë më Samiu ynë’ – shembja e gjimnazit ikonë të Tiranës mbush me nostalgji ish-nxënësit

24 Prill 2020 | 17:50

Godina e gjimnazit me trashëgiminë dhe historinë që do e kishte zili çdo institucion tjetër arsimor i ngjashëm, sot u shemb, duke humbur rolin e saj si simboli, që i rikthente kujtimet brezave të cilët studiuan aty, prej vitit 1962. 

“Sami Frashëri” që të gjithë njohin, gjimnazi i shpallur ndër vite si më i miri i kryeqytetit, prej rezultateve të nxënësve, si dhe figurave të panumërta që janë formësuar intelektualisht, por edhe si qytetarë në atë godinë simbol, do t’i mungojë Tiranës. 

Ajo që i bashkon të gjithë “samistat”, përfshirë edhe mua që po shkruaj këtë artikull, është një ndjenjë optimiste për t’i parë gjërat të përmirësuara, një shkallë më lart. Kjo ndjenjë nxitëse për ta përqafuar përparimin dhe për t’i bërë ballë të pashmangshmes me optimizëm (në rastin konkret prishjes së godinës), duket edhe te ish-gjimnazistët e Sami Frashërit, të cilët ndonëse të përfshirë nga një tis melankolie dhe nostalgjie, ndihen mirë që të paktën, me ndërtimin e një godine të re do t’i jepen shanse më të mira brezave të ardhshëm.

Ndërtesat nuk janë asnjëherë thjesht mure. Ato kanë energjinë dhe shpirtin e të gjithë atyre që i kanë përshkuar dhe zgjojnë më fortë ndjesi dhe kujtime te ata që kanë kaluar kohë aty. Gjimnazi më i populluar i Tiranës, i cili ka patur një raport të pazakontë, të drejtë të sasisë me cilësinë, nuk do të ngjallë më njëlloj kujtimet e atyre që e prekën. Një humbje më shumë për memorien e qytetit, por një shans më shumë për qytetarët e së ardhmes.

“Shembja është sigurisht për një qëllim të mirë duke qenë se shkolla u dëmtua edhe nga tërmeti, megjithatë nuk do të jetë më “Samiu ynë”. Më duket sikur janë duke u shembur edhe brezat e viteve të shkuara bashkë me ndërtesën. Mendoj se kur të shoh ndërtesën e re, ndjenja e nostalgjisë nuk do të jetë më njëlloj si kur shihja të vjetrën. Më vjen keq, pasi nëse do t’i ishte bërë rikonstruksion përgjatë viteve, mbase sot nuk do të gjendeshim në këto rrethana. Kujtimi më i bukur nga Sami Frashëri? Kam shumë, por do të thoja shakatë gjatë orëve të mësimit dhe lënia e të gjitha orëve gjatë një të premteje së bashku me të gjithë shokët e klasës. Mbetet kujtim i bukur sepse ia hodhëm pa shkuar në drejtori”, kujton me shaka dhe nostalgji të përzier, Melihate Qehaja, ish-nxënëse e gjimnazit Sami Frashëri, matura 2009-2012.

Ndërsa Gentiana Hajdarmataj, maturante e po të njëjtit vit e sheh si një mundësi për brezat e rinj ndërtimin e gjimnazit nga fillimi, me një infrastrukturë të përmirësuar. Megjithatë, edhe asaj duket se do t’i mungojë godina që i zgjonte kujtimet e adoleshencës.

“Dua ta shoh me optimizëm këtë nismë duke shpresuar që ndërtesa e re t’i shërbejë më së miri nxënësve, duke iu ofruar kushte më të mira mësimore (laboratorë, biblioteka, klasa me hapësira më të mëdha, kënde sportive etj). Kjo ndihmon gjithashtu edhe mësuesit, që të mund të  përcjellin dijen me metodat dhe kushtet më të mira të mundshme. Së fundmi, kjo i shërben edhe komunitetit duke i krijuar më shumë familjeve mundësinë që fëmijët e tyre t’i bëjnë pjesë të këtij gjimnazi elitar. Kam shumë kujtime, por do të veçoja një nga viti i dytë. Pas shumë kohësh ishte hera e parë që binte borë në Tiranë. Ne të gjithë ndërpremë mësimin për të dalë jashtë në oborr, gjimnazi gumëzhinte dhe kishte marrë një tjetër pamje!”, thotë Gentiana për ditën që me siguri e kujtojnë të gjithë nxënësit e atij viti, pjesë e të njëjtit komuniteti.

1f598b87 4bda 4fbb a002 a5697879f195

Tronditjen e godinës nga tërmeti i 26 nëntorit, më shumë se nxënësit e dikurshëm të gjimnazit “Sami Frashëri”, e ndjenë maturantët e këtij viti. Matura 2019-2020 mund të konsiderohet pa mëdyshje si më e pafata e dekadës së fundit.

Në fillim tërmeti, e më pas pandemia e COVID-19 i trazuan edhe më shumë ëndrrat e maturantëve në vitin e fundit, atë që përgjithësisht mbetet më tepër në kujtesë. Klea Agalliu, nxënëse në klasën e 12 në gjimnazin “Sami Frashëri” i kujton kështu peripecitë e këtij viti.

“Gjatë periudhës që ra tërmet nuk janë lejuar të futen nxënës në shkollë, përveç ditës së parë më 26 nëntor. Më pas është ndaluar rreptësisht hyrja e nxënësve në gjimnaz. Dëmtimet e shkollës nga brenda janë kapur në video dhe kanë qarkulluar goxha në rrjet. Si fillim do të bëhej një “rikonstruktim”, nxënësit u mbajtën me shpresa që do të futeshin në godinë, por asgjë e tillë nuk ndodhi. Thonë se arkitekti dhe inxhinierët nuk hidhnin firmën për shkak se kishte dëme madhore që rrezikonin jetën tonë, kështuqë u vendos që të rrëzohej si godinë. Unë personalisht ndihem shumë keq që nuk pata shansin të isha një “samiste e mirëfilltë” dhe të mbaroja edhe vitin e tretë aty ku e nisa dhe aty ku dëshiroja më shumë. Vijimi i mësimit në gjimnazin “Andon Zako Çajupi” na penalizoi pafund për shkak të mungesës së konsultimeve apo orareve të vona të daljes nga shkolla dhe hapësira e pakët për të mësuar siç duhej.  Si maturante them që ky ka qenë një vit shumë i lodhshëm, stresues dhe pa produktivitet. Të gjithë maturantët janë në gjendje kaosi sepse ky duhet të ishte viti që duhet të “shkëlqenim” për të pasur një të ardhme sa më të mirë. Prishja e godinës ka shkaktuar melankoli tek nxënësit për shkak se aty kemi kaluar pjesën më të bukur të jetës deri më tani dhe aty do të donim ta mbyllin në mënyrë të përshtatshme vitin. Ku i dihet, edhe vitet e treta që do të vijnë nuk do të mundin të shkelin në atë godinë sipas parashikimeve të dhëna”, rrëfen Klea, e cila vijon të qëndrojë dhe t’i bëjë ballë sfidave të shumta të këtij viti.

Gazmiri maturant i 20 viteve më parë në gjimnazin Sami Frashëri i sheh me dyshim investimet që bëhen në kryeqytet, përzier me optimizmin dhe dëshirën e mirë për të parë përparim në brezat që do të vijnë.

“Pavarësisht se brenda gjithçkaje që bëjnë qeveria me bashkinë ka korrupsion dhe vjedhje, cilësi të ulët etj, gjëja e re ka probabilitet më të madh të jetë më e mirë. Ndaj, shpresoj kushtet e shkollës të përmirësohen, të ketë laboratorë, hapësira më të mëdha, për të akomoduar më shumë nxënës dhe për të përmbushur nevojat që ka qyteti. Duhet të ruajmë një sens optimist duke parë drejt së ardhmes, ku mbi kujtimet dhe arritjet e brezave (Samistave) të mëparshëm, të ndërtojnë suksesin brezat e ardhshëm”, thotë Gazmir Ferhati.

Albi Sulo, maturant i vitit 2012, me shpresën që e njëjta rrugë t’i sjellë sërish kujtimet e së shkuarës, uron që edhe në “Samiun e ri” të ketë pak nga gjurmët e të vjetrit.

“Fakti që u prish, tregon që ndërtesat publike si shkollat, të cilat duhet të jenë të projektuara në mënyrë të tillë që të jenë të forta për shkak se mbajnë një numër të konsiderueshëm individësh brenda, nuk janë të projektuara si të tilla me standartet e mirëfillta. Keqardhje që janë bërë edhe disa rikonstruksione si dhe shtesa. Mesa duket janë anashkaluar bazat inxhinierike në strukturë apo themele, përderisa është arritur deri te prishja e saj.

Sa herë kaloja pranë ndërtesës së gjimnazit më rikujtohej vetja si kam qenë dhe si mendoja. Mënyra si e shihja botën në atë moshë ka qenë shumë më ndryshe. Më zgjojnë ndjesi nostalgjie klasat ku kam qenë, korridoret, zona përpara derës apo përpara shkollës, ku rrinim me shokët e shoqet, shakatë e moshës. Prishja e godinës duket edhe si shkatërrim i pjesëve ku kemi kujtime, të cilat sa herë kalonim i ndjenim edhe më tepër pikërisht prej mjedisit. Fatkeqësisht koha kalon shpejt dhe janë kujtimet ato që mbeten. Rrëzimi i ndërtesës na i zbeh pak më shumë ato kujtime. Shpresoj që shkolla e rindërtuar, përpos anës inxhinierike sipas standarteve, të ketë edhe pak nga “Samiu i Vjetër” i brezave që i dhanë emër dhe kujtime atij vendi”, thotë Albi.

Shpresës së tij me gjasë i bashkohen të gjithë “samistat”, të cilët kërkojnë të gjejnë një pjesë të vetes, në rrugën që ndodhet në veri-lindje të qendrës së kryeqytetit. 

 

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Vala e të nxehtit në Shqipëri, Ministria e Shëndetësisë nxjerr masat për qytetarët: Ja çfarë duhet të bëni

Vala e të nxehtit që ka përfshirë Shqipërinë gjatë ditëve të fundit ka sjellë temperatura të larta në të gjithë vendin, duke ngritur alarmin për...
10:38 | 24/06/2026

Protestuesi Erlis Sina i përgjigjet Ramës nga protesta: Nuk mund të jemi miq

Protestuesi Erlis Sina, të cilit kryeministri Edi Rama iu drejtua këtë të martë me një mesazh publik, i ka kthyer përgjigje nga protesta. Gjatë fjalës...
20:16 | 23/06/2026

Dita e 24-t e protestës, publikohen 5 kërkesat kryesore të protestuesve

Në ditën e 24-t të protestës, një nga përfaqësuesit e saj deklaroi gjatë fjalimit se protestuesit po i kujtojnë kryeministrit pse janë në këtë protestë....
20:00 | 23/06/2026