Përfundon mbledhja e gjyqtarëve, propozimi: Policitë private të hiqen nga gjykatat
Gjyqtarët e Shqipërisë zhvilluan këtë të enjte një mbledhje të jashtëzakonshme ndërsa në nisje të saj u mbajt një minutë heshtje në nderim të gjyqtarit të vrarë në sallën e gjyqit, Astrit Kalaja.
Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, në fjalën e tij, tha se vdekja e Astrit Kalasë është një “vdekje e paralajmëruar” dhe theksoi se prej vitesh gjyqtarët janë bërë shënjestër e fyerjeve, kërcënimeve dhe denigrimeve të vazhdueshme.
Ndërkohë, drejtuesi i GJKKO-së, Erjon Bani, deklaroi se vrasja e gjyqtarit është një ngjarje që ka tronditur gjithë opinionin publik.
Ai theksoi se sistemi i drejtësisë duhet të bashkohet për të mbrojtur vlerat themelore mbi të cilat qëndron drejtësia shqiptare.
Gjyqtari Gerd Hoxha prezantoi propozimet e gjyqtarëve për masa urgjente me qëllim forcimin e sigurisë në ambientet e gjykatave.
Një ndër kërkesat kryesore të gjyqtarëve ishte heqja e menjëhershme e shërbimeve të policisë private nga ruajtja e gjykatave, duke argumentuar se këto kompani janë të papërshtatshme për të garantuar mbrojtje efektive.
Sipas gjyqtarëve, përvoja ka treguar se efektivët privatë janë të patrajnuar, të pajisur dobët, të keqpaguar dhe të pambështetur institucionalisht, duke sjellë një rrezik serioz për integritetin fizik të gjyqtarëve dhe funksionimin normal të institucioneve të drejtësisë.
Në vend të tyre, propozohet që Policia e Shtetit dhe ajo e Burgjeve të marrin në ruajtje të plotë të gjitha gjykatat në vend, 24 orë në ditë, gjatë gjithë vitit.
Propozimet përfshijnë edhe ngritjen e një force të posaçme për sigurinë gjyqësore, pajisje të gjykatave me skanera dhe detektorë metalikë, si dhe miratimin urgjent të rregulloreve të sigurisë në çdo institucion gjyqësor.
Propozim për masa urgjente për sigurinë në sistemin gjyqësor
Nisur nga situata aktuale dhe rreziqet e rënda që po i kanosen sistemit të drejtësisë dhe trupës gjyqësore, propozohet që:
a) T’u bëhet thirrje për përgjegjshmëri publike të gjithë aktorëve institucionalë, politikë dhe mediatikë, për të ndalur nxitjen e gjuhës së urrejtjes ndaj gjyqtarëve. Pa respekt dhe mbrojtje reale të tyre, nuk mund të ketë drejtësi të pavarur, shtet ligjor dhe as besim të qytetarëve në sistemin gjyqësor.
b) T’i kërkohet Qeverisë dhe Kuvendit të Shqipërisë të ndërhyjnë urgjentisht në ligjet që rregullojnë funksionimin e sistemit gjyqësor, konkretisht për:
-
rritjen e sigurisë në vendin e punës;
-
garantimin e jetës, shëndetit dhe pronës së gjyqtarëve dhe punonjësve të gjykatave;
-
uljen e ngarkesës së punës, rritjen e cilësisë së gjykimeve dhe shkurtimin e kohës për përfundimin e proceseve gjyqësore.
c) T’i kërkohet Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ), në bashkëpunim me Qeverinë dhe Kuvendin e Shqipërisë, që brenda 6 muajsh të përcaktojë vendin për ndërtimin e Pallatit të Drejtësisë, ku do të sistemohen Gjykata e Shkallës së Parë, Gjykata e Apelit dhe prokuroritë respektive. Afati maksimal për ndërtimin dhe dorëzimin e këtij objekti funksional dhe të sigurt duhet të jetë 5 vjet.
d) T’u bëhet thirrje institucioneve përgjegjëse të sistemit gjyqësor që, brenda një jave, të përfundojnë miratimin e Rregulloreve të Sigurisë për gjykatat në të gjithë vendin.
e) T’i kërkohet KLGJ-së, në bashkëpunim me institucionet përkatëse, që brenda një muaji të pajisë të gjitha gjykatat e vendit me pajisje të sigurisë si skanera dhe detektorë metali.
f) T’i kërkohet Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Drejtësisë, Policisë së Shtetit dhe Policisë së Burgjeve që, në bashkëpunim me KLGJ-në, të hartojnë brenda një jave një rregullore të re. Fillimisht, kjo rregullore të miratohet me një akt normativ të qeverisë dhe më pas të përfshihet në ligj. Qëllimi është që:
-
Policia e Shtetit dhe ajo e Burgjeve të marrin në ruajtje të gjitha godinat e gjykatave në territorin e vendit, jo vetëm gjatë orarit zyrtar (08:00–16:00), por 24 orë në ditë, çdo ditë të vitit;
-
Policia të garantojë sigurinë dhe rendin në sallat e gjyqit, sipas kërkesave të vetë gjyqtarëve.
g) Të përjashtohen nga ruajtja e godinave të gjykatave kompanitë private të sigurisë, pasi përvoja ka treguar se janë të patrajnuara, të papajisura, të keqpaguar dhe me mangësi serioze në garantimin e sigurisë fizike dhe të integritetit të gjyqtarëve.
h) T’i kërkohet KLGJ-së, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, që të nisë menjëherë trajnimin e punonjësve të sigurisë në gjykata.
i) Të krijohet një forcë e posaçme e trajnuar specifikisht për të garantuar sigurinë gjatë proceseve gjyqësore dhe në ambientet gjyqësore.
j) Të përpilohen protokolle të posaçme sigurie për situata të jashtëzakonshme në gjykata, duke përfshirë:
-
mbrojtje të shtuar për gjyqtarët dhe familjarët e tyre;
-
mbrojtje të pronës dhe vendit të punës të familjarëve;
-
mbrojtje të institucioneve arsimore që frekuentohen nga fëmijët e gjyqtarëve të kërcënuar;
-
garantimin e nivelit të njëjtë të jetesës në rast të paaftësisë për punë për shkak të incidenteve që lidhen me detyrën.
k) Të krijohet një grup i përhershëm pune me anëtarë gjyqtarë, të mandatuar nga mbledhja e gjyqtarëve, për të iniciuar krijimin e një Komiteti të Përhershëm të Sigurisë në Sistemin Gjyqësor. Ky komitet të përfshijë përfaqësues nga KLGJ, Prokuroria e Përgjithshme, Ministria e Brendshme, Ministria e Drejtësisë, Policia e Shtetit dhe Policia e Burgjeve. Qëllimi është hartimi dhe mbikëqyrja e zbatimit të legjislacionit që lidhet me sigurinë në gjykata dhe të gjyqtarëve.
LEXONI GJITHASHTU:
Studimi: Frutat dhe perimet me ngjyrë të kuqe më të mira për zemrën
Taksistët e Sarandës në protestë para bashkisë, përplasen me policinë
Dita e 10-të e protestës në Tiranë, aktivistët dhe qytetarët mblidhen në shesh
- 18:22 BE propozon paketën e 21-të të sanksioneve ndaj Rusisë. Synohet nafta, flota në hije dhe ushtarët
- 18:18 Administrata Tatimore rihap procesin, prindërit e refuzuar për shpenzimet e arsimit mund të riaplikojnë në DIVA
- 18:13 Zgjerohet harta e përdoruesve të drogërave në Evropë, autoritetet japin alarmin për substancat sintetike
- 18:12 Alarm për diabetin në Europë, Shqipëria mes vendeve me prevalencë të lartë
- 18:06 Studimi: Frutat dhe perimet me ngjyrë të kuqe më të mira për zemrën
- 18:00 Numërohen 30% e votave për kandidatë, Albin Kurti kryeson me 60 mijë vota