Këtë të diel shënohet Dita Kombëtare e Rinisë. Prej vitit 2009, me vendim të marrë nga Kuvendi i Shqipërisë, kjo datë përkujtohet si festë kombëtare në nderim të të gjithë studentëve të dhjetorit 1990 dhe gjithë rinisë shqiptare.
Më 8 dhjetor 1990, një grup studentësh e pedagogësh të Universiteteve të Tiranës, u bënë iniciatorë e protagonistë të kthesës së madhe historike, protestave paqësore që sollën rënien e sistemit komunist dhe lindjen e demokracisë.
Me shprehjen “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, të rinjtë kërkuan ngritjen e sistemit të vlerave perëndimore dhe të shtetit të së drejtës; integrimin në Europë dhe garantimin e pluralizmit politik si bazë kryesore për një shoqëri të lirë e demokratike.
Rezistenca e tyre i dha fund epokës të gjatë të vetëizolimit duke i hapur kështu rrugën e ekonomisë së tregut dhe shoqërisë së hapur.
Lëvizja Studentore e vitit 1990 është e vetmja Lëvizje paqësore që ndryshoi historinë e Shqipërisë.
8 Dhjetori, Rama: Qindra e mijëra të rinj të sotëm punojnë për një Shqipëri të transformuar në anekënd
Kryeministri Edi Rama me rastin e 8 Dhjetorit, Ditës Kombëtare të Rinisë, ndau një video me shembullin e Jon Goxhas, i cili ka vijuar traditën e familjes duke e çuar përpara biznesin e fabrikës së vajit të ullirit “Konispoli”.
“Respekt. Në këtë Ditë të Rinisë me mishërimin e qartë të forcës së shembullit të qindra e mijëra të rinjve të sotëm, që nën traditën e prindërve, por me energjinë dhe me vizionin për të ardhmen, punojnë, ndërtojnë e frymëzojnë për një Shqipëri të transformuar në anekënd”, shkruan Rama.
“Ne kemi një biznes familjar, fabrikë vaji. Duke qenë se ky është viti i 30-të i përpunimi të ullirit, duke përpunuar me një teknologji gjermane në gjithë këto 30 vite, duke sjellë në treg vaj me një kualitet shumë të mirë, ekstra i virgjër”, u shpreh Goxha.
“Në punishten tonë në përgjithësi janë të gjithë fermerët e zonës, të cilët sjellin produktin e tyre për ta përpunuar dhe për të sjellë produktin final të vajit të ullirit”, theksoi ai.
Meta mesazh nga burgu për Ditën e Rinisë: Besoj në shpirtin energjik të të rinjve për të marrë në dorë fatet e tyre
Ilir Meta ka përcjellë një mesazh nga burgu me rastin e 8 Dhjetorit, Ditë Kombëtare të Rinisë. Me anë të një postimi në Facebook, Meta shprehet besimplotë se të rinjtë do të marrin në dorë fatet e tyre dhe të vendit.
Pluralizmi politik, liria dhe demokracia- shkruan Ilir Meta- janë nën agresionin e një regjimi të dhunshëm.
“Gëzuar 8 Dhjetorin, Ditën Kombëtare të Rinisë! Mirënjohje të veçantë ndaj Lidershipit Heroik të Azem Hajdarit, të gjithë djemve dhe vajzave, që 34 vite më parë, duke vrarë frikën i prinë me guxim, kurajë e patriotizëm Lëvizjes Studentore që e futi Shqipërinë në rrugën e Lirisë dhe të Demokracisë.
Unë besoj shumë në shpirtin energjik të të rinjve të Shqipërisë për të marrë në dorë fatet e tyre dhe të mbarë vendit, sot më shumë se kurrë, kur pluralizmi politik, liria dhe demokracia janë nën agresionin e një regjimi të dhunshëm.
Kjo është rruga për të ndaluar shpopullimin dhe garantuar një Shqipëri që u përket të rinjve”, thuhet në mesazhin e Metës.
Basha: 8 Dhjetori moment reflektimi mbi idealet e tradhtuara nga ata që e mbajtën peng Shqipërinë
Kryetari i Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha, ka përkujtuar sot 8 Dhjetorin, Ditën e Rinisë dhe Lirisë, duke vlerësuar guximin dhe vizionin e studentëve të Dhjetorit ’90. Në një postim në Facebook, Basha thekson se kjo ditë shërben si një kujtesë për sakrificën ndaj diktaturës dhe si një thirrje për ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë.
Basha u bën thirrje të rinjve shqiptarë që të ndjekin shembullin e studentëve të Dhjetorit dhe të punojnë për një Shqipëri ku talenti, merita dhe mundësitë reale janë prioritet. Ai theksoi rëndësinë e ruajtjes së lirisë dhe demokracisë si trashëgimi e çmuar, duke apeluar për përkushtim të vazhdueshëm për një epokë të re shprese, zhvillimi dhe drejtësie.
“Është një moment reflektimi mbi idealet e tradhtuara të atij Dhjetori nga ata që e mbajtën peng Shqipërinë duke përvetësuar dhe vonuar ëndrrën e Shqipërisë si Europa” – shkrun Basha në postimin e tij.
LEXONI GJITHASHTU:
- Nesër 8 Dhjetori, të rinjtë e PD paralajmërojnë marshim-protestë
- Berisha me drejtuesit e qarqeve: Së shpejti nisin takimet me diasporën