U mbajt këtë të enjte në Tiranë takimi i dytë i nivelit të lartë “Shqipëria 2030 në BE – Rruga e Reformave”.
Gjatë fjalës së tij, kryeministri Edi Rama u ndal dhe te reforma në drejtësi, ku tha se deri në integrimin e vendit në Bashkimin Evropian, do të jetë një sfidë e madhe dhe një alarm pakthyeshmëria e reformës në drejtësi.
Rama theksoi se institucionet e drejtësisë duhet të jenë të paprekshme dhe të mbrojtura nga kërcënimi për shpërbërjen e tyre nga forcat politike.
“Garantimi i pakthyeshmërisë së reformës në drejtësi është sfida kryesore, deri kur të hyjmë në BE. Ky duhet të jetë një alarm i vazhdueshëm që reforma në drejtësi të jetë e pakthyeshme. Institucionet e drejtësisë, patjetër që mund të përmirësohen, por duhet të jenë të paprekshme në kuptimin e ekzistencës së tyre. Të jenë të paprekshme nga çdo forcë politike që kërcënon shpërbërjen ose përmbysjen e tyre, sepse kjo ka ndodhur më shumë se një herë dhe nuk ka arsye të mendojmë se nuk do të ndodhë përsëri. Prandaj, është e rëndësishme që pakthyeshmëria të jetë një nga pikat kyçe të referimit”, tha Rama.
“Ne u bëmë të pavarur në vitin 1912, dhe që nga ai vit e deri përpara tre katër vitesh, këtu në Shqipëri nuk është bërë asnjë hetim i pavarur për asnjë individ me pushtet politik. Kemi pasur ministra dhe deputetë të pushkatuar, të varur në litarë, të përzënë nga vendi, por jo nga gjykata të pavarura. Fati i tyre është vendosur në zyrën time; aty kur unë vajta në zyrë, ishte shpata që mbante në dorë zonja e drejtësisë, ishte shpata aty. Kjo është arsyeja që, në Shqipëri, pas shembjes së regjimit komunist, ka pasur akoma të burgosur politikë. Kryetari i opozitës, paraardhësi im, ka qenë në burg politik. Sot është ndryshe, ne e kemi dorëzuar shpatën. Drejtësia tani vepron përmes institucioneve të reja. Ajo thërret në pyetje kë të dojë dhe akuzon kë të dojë. Ne nuk kemi asnjë pendesë për këtë, përkundrazi. Edhe pse kjo është një rrugë e vështirë, me problematika dhe të metat e veta, është e vetmja rrugë. Nuk ka një tjetër. Çdo rrugë tjetër është kthim pas në të kaluarën. Kështu që ne jemi shumë të vendosur ta konsolidojmë këtë proces”, tha Rama.
“Bashkimi Evropian është një perimeter sigurie, brenda të cilit vendet dhe popujt që e përbëjnë ndjehen dhe duan të mbeten të paprekur në të gjitha ato që kanë arritur dhe mbi të gjitha, në lirinë e tyre individuale dhe barazinë para ligjit. Për ne, shqiptarët, ka qenë dhe është e domosdoshme të bëhemi pjesë e BE-së për të qenë të lirë nga hija e historisë sonë dhe që liria jonë individuale dhe barazia para ligjit të mos jenë më atribut i lëvizshëm nga kushdo që qeveris në Tiranë. Sot, jemi në një nivel tjetër. Kemi hapur zyrtarisht dy grupe kapitujsh të negociatave dhe kemi ambicien të hapim të tjerë në vijim. Jemi pozicionuar më mirë se kurrë më parë në të gjitha renditjet evropiane, si në fushën e mirëqeverisjes, ashtu edhe në luftën kundër korrupsionit”, tha Rama.
“Ne u vendosëm si lider në rajon për administrimin e financave publike, prokurimin publik dhe menaxhimin e burimeve njerëzore. Shqipëria ishte një nga 8 vendet, mes 137 vendeve të botës, që ka shënuar progres të thelluar në dekadën e fundit në aspektin e qeverisjes. Ky është një vlerësim që na thotë shumë për angazhimin tonë, por nuk na pengon të vazhdojmë të kemi besim në një pikë konsolidimi të domosdoshëm. Jemi shumë ambiciozë, dhe ka shumë shembuj që na japin shpresë, si shembulli i prokurimeve publike, ku jemi vlerësuar nga SIGMA. Po punojmë për një model revolucionar me inteligjencën artificiale për prokurimet publike. Jemi besimplotë se vitin e ardhshëm do të kemi një proces prokurimesh publike, ku pjesëmarrja e njeriut do të jetë vetëm 5%”, përfundoi Rama.
LEXONI GJITHASHTU:
- Rama viziton qendrën e inovacionit ‘Durana Tech Park’: Hapen 5 mijë vende pune
- Rama dhe Balluku inspektojnë kantierin e rrugës Ndroq-Plepa, kur përfundojnë punimet