Human Rights Watch ka dokumentuar raste të shumta të shkeljes së ligjeve të luftës nga ushtarët rusë në dëm të civilëve ukrainas, në zonat e Çernihivit, Kharkivit dhe Kievit.
Trupat ruse akuzohen për përdhunim, ekzekutime dhe përdorim të paligjshëm të dhunës. Trupat që nuk janë djegur tërësisht janë dërguar në institutin e mjekësisë ligjore në Çernihiv.
“Po, në territoret që ishin të pushtuara nga rusët ne gjetëm njerëz të vdekur që kishin shenja torture. Kemi parë shumë raste kur duart ose këmbët e viktimave kanë qenë të lidhura me litarë, ngjitëse, apo kabllo para se të qëlloheshin me armë. Ndaj është e qartë se kemi të bëjmë me ekzekutime. Ose të qëlluar në kokë, ose nga një distancë e afërt”, tha Yury Volodymyrovych Polik, shef i institutit të mjekësisë ligjore në Çernihiv,
Kur rusët u larguan nga qytetet që kishin pushtuar, ata lanë pas mina, bomba dhe granata tankesh. Ato u vendosën nëpër shtëpi, lulishte, makina, rrugë dhe shkolla.
Një fshat pranë Çernihivit është pastruar nga minat dhe grupi hetimor mund të fillojë të kërkojë viktimat. Ai do të zbulojë se si kanë vdekur, për të përcaktuar nëse janë kryer krime lufte.
“Ata iu vërsulën vajzave. Një nga vajzat iu ankua shefit të grupit të rusëve, por ai nuk deshi t’ia dinte, u bëri keq atyre. Gjithashtu, ata vodhën gjithçka në fshat, vranë gjedhët, pulat dhe plaçkitën. Bënë shumë gjëra të tmerrshme”.
Aktet e dhunës për të cilat akuzohen ushtarët rusë e që janë dokumentuar nga Human Rights Watch janë kryer mes datave 27 shkurt-14 mars.
LEXONI GJITHASHTU: