Përfundon ndeshja Serbi-Shqipëri, Manaj shkruan historinë me 1 gol
Ka përfunduar ndeshja mes Serbisë dhe Shqipërisë, në kuadër të kualifikueseve për Kupën e Botës 2026. Ndeshja ka përfunduar 0 me 1 me golin e Rei Manajt, një gol që do mbetet në histori. Takimi konsiderohet si vendimtar për fatet e dy përfaqësueseve në Grupin K, ku gara për vendin e dytë mbetet e hapur.
Me 8 pikë të grumbulluara pas pesë ndeshjesh, Shqipëria renditet e dyta në grup, ndërsa Serbia ndodhet një pikë më poshtë, por me një ndeshje më pak. Anglia ka marrë distancë të sigurt në krye, duke lënë kombëtaret ballkanike të luftojnë për një vend në “play-off”.
Ndeshja zhvillohet në një klimë të mbingarkuar sigurie. Autoritetet serbe kanë ndaluar shitjen e biletave në treg të lirë, ndërsa tifozët shqiptarë nuk do të jenë të pranishëm në stadium. Masa të shtuara janë marrë pas incidenteve të shumta të regjistruara në ndeshjet e kaluara nga huliganë serbë.
Në aspektin sportiv, kuqezinjtë zbresin në fushë me një formacion të konsoliduar. Sylvinho i qëndron besnik vijës mbrojtëse me Strakoshën në portë dhe katërshen Hysaj, Ajeti, Gjimshiti, Mitaj. Asllani, Shehu dhe Laçi pritet të udhëheqin mesfushën, ndërsa në sulm do të aktivizohen Broja, Daku dhe Uzuni ky i fundit favorit për të nisur në krah, përpara Bajramit.
Në kampin serb, mungesa të rëndësishme si Milinković-Savić, Milenković dhe Lukić i japin një tjetër peshë përgatitjes së skuadrës së Stojković. Vlahović udhëheq repartin ofensiv përkrah Kostić dhe Zivković, në një formacion që mbështetet te përvoja, por që vjen me disa pikëpyetje.
Historiku mes dy ekipeve ka lënë gjurmë të thella. Nga tri takime të mëparshme, Shqipëria ka vetëm një fitore në tavolinë, ndërsa kujtohet ende sfida e ndërprerë në Beograd në vitin 2014, ku një dron me flamurin “Autochthonous” shkaktoi përplasje të ashpra në fushë dhe jashtë saj. Ndeshja u regjistrua 3-0 për Shqipërinë dhe u kthye në një pikë kthese për rrugëtimin drejt Euro 2016.
Në sfondin e tensioneve dhe mungesës së tifozëve, vëmendja do të përqendrohet te ajo çka ndodh në fushën e blertë. Një rezultat pozitiv në Leskovac mund të afrojë Shqipërinë më shumë se kurrë me një tjetër ëndërr botërore.
23:03-VIDEO/ Incident me armë në qendër të Prishtinës pas golit të Shqipërisë
Një incident me armë zjarri është regjistruar mbrëmjen e sotme në qendër të Prishtinës, teksa po transmetohej ndeshja mes Serbisë dhe Shqipërisë.
Sipas gazetarit Ardit Hoxha i cili ishte në lidhje të drejtëpërdrejtë me emisioni Review me moderatoren Greta Topjana në Euronews Albania, ngjarja ka ndodhur menjëherë pas golit të Rei Manajt, një person ka shkrepur një armë në ajër.
Policia ka ndërhyrë menjëherë dhe e ka arrestuar autorin e ngjarjes në vendngjarje
22:04-VIDEO/ Momenti i golit të Manajt në stadiumin e Leskovacit në Serbi
Ky është momenti i golit të sulmuesit Rei Manaj në ndeshjen Serbi-Shqipëri.
Një gol historik i lojtarit, jo vetëm për rëndësinë e tij në kuadër të kualifikimeve, por edhe për sensitivitetin që përmban përballja me skuadrën serbe.
Golin e ka publikuar Kryeministri Edi Rama në rrjetet e tij sociale.
21:54-Thirrje raciste nga serbët pas golit të Manaj, gjuhë tensioni në Serbi
Në ndeshjen e zhvilluar këtë të shtunë mes Serbisë dhe Shqipërisë në Serbi, tifozët serbë kanë bërë thirrje fyese ndaj shqiptarëve.
Pas golit të shënuar nga Manaj, në stadium dëgjoheshin thirrje “Vrit, vrit shqiptarët”. Ky moment ka ngjallur reagime dhe shqetësim për atmosferën gjatë ndeshjes.
21:37–Gool, shënon Manaj në Serbi, kuqezintjë kalojnë në epërsi ndaj Serbisë
Kuqezinjtë kalojnë në avantazh në fundin e pjesës së parë.
Pas një goditjeje dënimi, topi i mbetur kontrollohet nga Manaj, i cili lëshon një gjuajtje të fuqishme dhe tund rrjetën.
20:59-VIDEO/ Atmosferë elektrizuese në Tiranë, tifozët: Do fitojmë 5 me 0
Atmosfera është elektrizuese në pritje të një rezultati pozitiv për Kombëtaren, e cila po luan në Serbi.
19:30–VIDEO/ Forca të shumta sigurie në ndeshjen Serbi-Shqipëri! Mbërrin Kombëtarja kuqezi
Pamje të drejtpërdrejta kanë ardhur nga stadiumi i Leskovacit nga gazetari Enriko Gabaj, ku ka mbërritur Kombëtarja shqiptare. Siç shihet edhe nga pamjet, bien në sy forcat e shumta të sigurisë.
19:05-Publikohet formacioni zyrtar i Kombëtares Shqiptare në ndeshje me Serbinë
Formacioni zyrtar i Shqipërisë:
(4-3-3): Thomas Strakosha; Elseid Hysaj, Arlind Ajeti, Berat Gjimshiti, Mario Mitaj; Kristjan Asllani, Qazim Laçi, Lindon Shehu; Armando Broja, Myrto Uzuni, Rey Manaj
Trajner: Sylvinho
Nga ana tjetër Serbia do të luajë si mëposhtë:
Serbia (3-4-1-2): Petrovic; Erakovic, Veljkovic, Pavlovic; Maksimovic, Stankoviç, Zivkovic, Kostic; Samardzic; Vlahovic, Mitroviç Trajner: Dragan Stojkovic
18:23–Ndeshja Serbi-Shqipëri/ Vuçiç telefonon pronarin e hotelit, ku qëndron Kombëtarja
Autoritetet serbe kanë marrë masa të forta sigurie, ndërsa presidenti Aleksandar Vuçiç ka ndërhyrë direkt duke telefonuar pronarin e hotelit ku është akomoduar kombëtarja shqiptare, për t’u siguruar që gjithçka është në rregull dhe delegacioni kuqezi është i sigurt.
17:33–Letonia ndalet në barazim nga Andorra, ndryshon situta në grupin e Shqipërisë
Aktualisht, kreun e Grupit K e mban Anglia me pikë të plota, e ndjekur nga Shqipëria me 8 pikë. Serbia renditet në vend të tretë me 7 pikë dhe një ndeshje më pak. Në fund të tabelës qëndrojnë Letonia me 5 pikë dhe Andorra me 1 pikë.
16:57– Provokim në hotelin e Kombëtares, vendoset harta e Kosovës me flamurin serb
Ashtu siç ishte parashikuar, nuk kanë munguar provokimet në prag të sfidës. Rasti më i fundit është shënuar në qytetin e Nishit, aty ku është akomoduar ekipi përfaqësues dhe delegacioni kuqezi.
12:50- Snajperë dhe ekspertë të dronëve, Serbi–Shqipëri është shumë më tepër se futboll
Nga Ronny Blaschke
Kur kombëtaret e Serbisë dhe Shqipërisë të përballen këtë të shtunë në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës, qindra oficerë policie – përfshirë snajperë, efektivë me veshje civile dhe ekspertë të dronëve – do të sigurojnë stadiumin.
Në vend të kryeqytetit serb, ndeshja do të zhvillohet në qytetin e vogël të Leskovcit, ku stadiumi ka vetëm 8.100 vende për spektatorë.
Seksioni për tifozët shqiptarë do të mungojë, pasi biletat nuk janë lëshuar për shitje të përgjithshme. Autoritetet vendase dhe UEFA synojnë të parandalojnë përsëritjen e skandalit të tetorit 2014.
Në atë kohë, Serbia dhe Shqipëria po përballeshin në kualifikueset e Kampionatit Evropian. Para ndeshjes, tifozë serbë hodhën gurë drejt autobusit të ekipit shqiptar, ndërsa himni i Shqipërisë u mbulua nga protestat dhe fishkëllimat.
“Vritini shqiptarët!” bërtisnin tifozët, kur një dron që mbante një flamur fluturoi mbi fushë në minutën e 42-të. Ai paraqiste skicën e “Shqipërisë së Madhe”, simbol i nacionalistëve shqiptarë. Mbrojtësi serb, Stefan Mitroviç, rrëmbeu flamurin, ndërsa lojtarët shqiptarë u vërsulën drejt tij. Pati përleshje në fushë dhe jashtë saj.
Ndeshja u ndërpre, por pasojat u ndjenë gjatë: në Prishtinë, qindra tifozë festuan me autokolona dhe fishekzjarrë.
Në zonat kufitare mes Serbisë dhe Kosovës u dogjën flamuj të të dy vendeve. Edhe në diasporë në Vjenë dhe Berlin – ndodhën përleshje mes grupeve shqiptare dhe serbe. Një vizitë e planifikuar e kryeministrit shqiptar Edi Rama në Beograd u shty. Që atëherë, përballja mes Serbisë dhe Shqipërisë konsiderohet si një nga më të tensionuarat në historinë e futbollit evropian.
Tifozët kanë vijuar të zgjerojnë konfliktin shekullor nëpërmjet futbollit.
Djegie flamujsh dhe slogane fyese
12:47- Ndryshim në listën e Kombëtares, Silvinho grumbullon Nazmi Gripshin
Trajneri Silvinho ka bërë një ndryshim në listën e Kombëtares pas dëmtimit të dyshes Ismajli-Pajaziti, duke thirrur mesfushorin e Astanës, Nazmi Gripshi.
Më parë, Sylvinho ishte kritikuar për mos thirrjen e tij, por tani është radha e Gripshit për të treguar veten me fanellën e ekipit kombëtar.
Mesfushori që aktivizohet në Kazakistan do të jetë nën urdhrat e teknikut brazilian për dy duelet e kualifikuesve ndaj Serbisë dhe më pas në miqësoren me Jordaninë në Tiranë.
12:26- “S’më ka ndodhur kurrë”, gazetari flet nga Serbia: Na kontrolluan fotot në celular
Gazetari i Euronews Albania, Enriko Gabaj, raportoi nga Leskovaci, pak orë para sfidës Serbi–Shqipëri, që zhvillohet këtë të shtunë në mbrëmje në kuadër të kualifikueseve për Botërorin.
Gabaj tregoi për situatën përreth stadiumit ku sipas tij, gjithçka për momentin duket e qetë, ndërsa qarkullimi është i bllokuar.
Gazetari tha se gazetarët shqiptarë janë kontrolluar në mënyrë të imtësishme nga policia serbe, ku gjithë fokusi ka qenë tek simbolet kombëtare shqiptare, të cilat nuk lejohen në mënyrë kategorike.
Ai përshkroi si të pazakontë një situatë që, sipas tij, nuk i kishte ndodhur kurrë më parë: kontrolli i galerisë së telefonit personal për të verifikuar nëse kishte fotografi me simbole kombëtare shqiptare, shqiponjën ose simbole të UÇK-së.
11:32- VIDEO/ Flamuri kuqezi ngrihet në stadiumin e Leskovacit para sfidës me Serbinë
Këto janë pamjet nga jashtë të stadiumit të Leskovacit, aty ku mbrëmjen e sotme Serbia pret kombëtaren shqiptare të futbollit, në kuadër të kualifikueseve të Botërorit.
Gazetari i Euronews Albania, Enriko Gabaj, sjell këtë video ku, pavarësisht se u përfol se mund të mungonte flamuri kuqezi në stadium, pasi një ditë më parë nuk ishte vendosur, sot organizatorët kanë rregulluar gjithçka.
9:54- Gazetarët shqiptarë i nënshtrohen kontrollit të imtësishëm në kufirin me Serbinë
Gazetarët shqiptarë të cilët janë nisur drejt Leskovacit, aty ku Serbia do të përballet me Shqipërinë, i janë nënshtruar një kontrolli të imtësishëm në kufi.
Sipas informacioneve që ata sjellin në redaksinë e Euronews Albania, në pikën e kalimit kufitar në hyrje të Serbisë nga Maqedonia e Veriut, janë kontrolluar dokumentat, çantat dhe u është bërë kontroll fizik.
Përveç kontrollit në ambient të hapur, është kryer edhe një kontroll i veçantë fizik në ambient tjetër, për gazetarët dhe shoferët.
“Nuk na lejohej ta filmonim, pasi na bënë kërkesë për heqjen e celularëve”, raportojnë gazetarët.
SPAK njoftim zyrtar: Goditet grupi i trafikut të drogës dhe pastrimit të parave, mes të dyshuarve edhe biznesmenë
Rama reagon sërish: Shënim i detyruar për ata që po shfrytëzojnë protestat për të rritur ndjekësit
“Jam i lodhur nga telenovela Veliaj”, Hasimja: Sa më e gjatë bëhet, aq më shumë lodhen njerëzit
- 22:39 “Humbësit e mëdhenj janë PS dhe PD”, Çela bën bilancin pas 24 ditë proteste
- 22:34 Studiuesi: Familja e Goxhajt iu përkushtua Kosovës, politika jonë nuk vlerëson kontributet
- 22:27 “Rama s’ka shans të dialogojë”, parashikimi i Alibeajt: Do vazhdojë luftën e fortë
- 22:07 “Rama me zor po priste që të dilte koka e protestës”, Iljazaj: Sulmi ndaj Goxhajt, strategji
- 22:02 Protestuesit vendosin shirita “skenë krimi” dhe një sirenë policie para Kryeministrisë
- 21:55 Aksident në Lungomare, motori përplas një të moshuar