Shpallja e zgjedhjeve në Kosovë zgjat buxhetin edhe për dy muajt e parë të 2026-ës

20 Nëntor 2025 | 17:29

Me shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Kosovë më 28 dhjetor, aktivizohet edhe neni 24 i Ligjit për menaxhimin e financave publike, që mundëson zgjatjen buxhetore edhe për dy muaj të vitit pasues për pagat e sektorit publik.

Sipas këtij ligji, kjo zgjatje mund të bëhet nëse zgjedhjet e përgjithshme mban më pak se katër muaj para vitit të ri fiskal, përkatësisht 1 janarit.

Kjo zgjatje dymujore “siguron një ndarje buxhetore për çdo organizatë buxhetore, që është i barabartë me 16.67 për qind të ndarjes buxhetore të siguruar për organizatën e tillë buxhetore nga ligji i ndarjeve buxhetore”, thuhet në Ligjin për menaxhimin e financave publike.

Më 20 nëntor, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, caktoi 28 dhjetorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve pasi paraprakisht për dy herë radhazi, deputetët dështuan të zgjidhnin një ekzekutiv të ri.

Osmani, që mbajti konsultime me partitë politike, tha se në takimin e së mërkurës nuk u arrit pajtim që deputetët të zhvillonin një seancë për miratimin e zgjatjeve buxhetore, për ratifikimin e disa marrëveshjeve ndërkombëtare, buxhetet për tri komunat – Prishtinë, Gjilan dhe Zubin Potok – dhe buxheti për Radio Televizionin e Kosovës.

Kosova po hyn në vitin 2026 pa miratim të buxhetit shtetëror, pavarësisht se Qeveria në detyrë e udhëhequr nga Albin Kurti, e ka miratuar një projektligj për buxhetin. Partitë që mandatin e kaluar ishin në opozitë e kishin kritikuar këtë vendim, duke thënë se Kurti si kryeministër në detyrë nuk mund të dërgojë në Kuvend – që ka përbërjen e një legjislature të re, përkatësisht të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit – projektligjin e përgatitur.

Vetë Osmani kishte shprehur shqetësim disa herë për mosmiratimin e buxhetit apo një projektligji për ndarje buxhetore, duke thënë se do të rrezikoheshin pagat e nëpunësve të sektorit publik. Ajo madje kishte thënë se do të ishte e gatshme të dërgonte në Kuvend një propozim për zgjatje buxhetore që të kishte buxhet “së paku deri në mars”.

Ndërkaq, ekspertët e ekonomisë më herët kishin ngritur alarmin se vendi po shkon drejt një kolapsi buxhetor, duke thënë se shteti për herë të parë do të mund “të mbyllej” dhe të mos ketë mundësi të paguajë për asnjë shërbim./REL

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Incidentet në festimet për “Vidovdan”, reagon policia e Kosovës: 37 të shoqëruar për thirrje provokuese

Policia e Kosovës ka dalë me një njoftim zyrtar lidhur me shoqërimin e disa serbëve dhe mbarëvajtjen e aktiviteteve gjatë manifestimeve për “Vidovdan”.  Policia bën...
19:30 | 28/06/2026

Aksident i trefishtë në aksin Gjakovë-Prizren, plagosen 7 persona. Policia jep detaje

Një aksidenti i trefishtë është regjistruar këtë të diele në aksin Gjakovë-Prizren, në fshatin Rogovë. Policia bën me dije se nga ku aksident janë plagosur...
16:30 | 28/06/2026

Arrestimi i serbëve në Gazimestan, reagon Lista Serbe: Dëshmi e represionit të regjimit në Prishtinë

Pas arrestimit të disa serbëve në Gazimestan kanë reaguar Lista Serbe dhe Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë. “Për këtë veprim, të cilin e...
16:07 | 28/06/2026