Stabilizim-Asociimi, Bardhi: S’ka zgjedhje të lira, Balla: Vota e diasporës arritje

29 Tetor 2025 | 12:31

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi gjatë fjalës së tij në takimin e Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit ka folur lidhur me raportin e OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 11 majit.

Bardhi u shpreh se në raport theksohet se partia në pushtet përdori burimet shtetërore dhe administratën publike dhe çdo mekanizëm tjetër që kishte në dispozicion me qëllim rritjen e mbështetjes për Partinë Socialiste dhe kandidatët e saj. Ai theksoi se u krijua një garë tërësisht e pabarabartë ndërmjet palëve.

“Kolegu juaj, eurodeputeti Michael Gahler, kryetar i Misionit Vëzhgues të Parlamentit Evropian për Zgjedhjet në Shqipëri, do të shprehej më 4 qershor se grupet kriminale në Shqipëri kishin një interes të fshehtë në ruajtjen e pushtetit politik të pandryshuar, me qëllim vazhdimin e aktiviteteve të paligjshme të pastrimit të parave dhe trafikimit të drogës.

Ai nënvizoi se ndikimi i përhapur i këtyre rrjeteve kriminale jo vetëm shtrembëroi procesin zgjedhor, por gjithashtu përbën një pengesë themelore për integrimin evropian të Shqipërisë, duke theksuar se Bashkimi Evropian nuk mund të mbyllë sytë ndaj infiltrimit të rrjeteve kriminale dhe ndikimit të tyre shkatërrues në demokracinë e vendit.

Nuk është pra, Partia Demokratike apo Opozita shqiptare që flet për shkeljen e rëndë të standardeve të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, por janë vëzhguesit ndërkombëtarë të OSBE/ODIHR-it dhe eurodeputetët e Parlamentit Evropian”, tha Bardhi.

Ai më tej u ndal edhe te raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit për klimën e biznesit për vitin 2025. Bardhi u shpreh se raporti  tregon se zhvillimi ekonomik mbetet i ndjeshëm ndaj korrupsionit të përhapur në të gjitha nivelet e qeverisjes, krimit të organizuar, mungesës së konkurrencës së ndershme.

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla gjatë fjalës së tij kërkoi bashkëpunim ndërpartiak për të adresuar problematikat e zgjedhjeve të 11 majit, të cilat u vlerësuan nga OSBE/ODIHR si konkurruese dhe të administruara profesionalisht.

Ai theksoi nevojën që Komisioni i Posaçëm për Reformën Zgjedhore të nisë menjëherë punën, me qëllim që zgjedhjet e ardhshme, përfshirë ato për Parlamentin Europian, të përmbushin standardet më të larta demokratike.

“Lidhur me zgjedhjet. Zgjedhjet e 11 majit janë vlerësuar nga OSBE/ODIHR si konkurruese dhe të administruara në mënyrë profesionale. Të gjitha çështjet dhe ankesat që lidhen me problematikat e konstatuara duhet të jenë detyra e shtëpisë e Kuvendit të Shqipërisë, përmes Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore, që t’i adresojë në mënyrë që zgjedhjet vendore të vitit 2027, zgjedhjet parlamentare të prill–majit të vitit 2029, përfshirë këtu edhe zgjedhjet për Parlamentin Europian në Shqipëri, ku do të zgjidhen 9 apo 11 anëtarë të Parlamentit Europian që vijnë nga Shqipëria, të jenë zgjedhje të standardeve më të mira europiane.

Puna duhet të fillojë që nesër në Kuvendin e Shqipërisë, ku duhet të miratojmë, meqenëse këtu janë edhe kryetarët e grupeve parlamentare të Partisë Demokratike dhe të Partisë së Lirisë, nesër të kemi gati emrat, që të fillojë puna dhe të adresohen të gjitha çështjet që lidhen me reformën zgjedhore.

Sa i përket përsëri zgjedhjeve, personalisht mendoj që një prej arritjeve më të rëndësishme të zgjedhjeve të fundit në Shqipëri ishte fakti që, për herë të parë, votuan edhe shqiptarët që jetojnë jashtë vendit, i cili u konsiderua si një hap i madh për përfshirjen e diasporës shqiptare në procesin demokratik”, tha Balla.

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

SPAK njoftim zyrtar: Goditet grupi i trafikut të drogës dhe pastrimit të parave, mes të dyshuarve edhe biznesmenë

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dalë me një njoftim zyrtar në lidhje me finalizimin e një operacioni të gjerë ndërkombëtar,...
19:24 | 12/06/2026

Rama reagon sërish: Shënim i detyruar për ata që po shfrytëzojnë protestat për të rritur ndjekësit

Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj asaj që në rrjetet sociale po etiketohet si “Revolucioni i Flamingove”, një lëvizje proteste kundër projekteve të zhvillimit në...
21:38 | 07/06/2026

“Jam i lodhur nga telenovela Veliaj”, Hasimja: Sa më e gjatë bëhet, aq më shumë lodhen njerëzit

Politologu Ermal Hasimja komentoi në emisionin Now në Euronews Albania vendimin e Gjykatës së Lartë që hodhi poshtë rekursin e kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj...
21:37 | 28/05/2026