”Normalja e re”: Profesionistët humbin entuziazmin për punën nga shtëpia dhe kthejnë sytë nga zyrat

5 Maj 2020 | 13:30

Përhapja e pandemisë globale të COVID-19, përveçse mbylli shumë biznese dhe la mijëra punonjës në Shqipëri pa punë, disa të tjera i bëri që të përshtateshin rrufeshëm me mjedisin e ri, në të cilin u gjendën të papërgatitur dhe pa paralajmërim.

Si rrjedhojë, të punuarit nga shtëpia ishte opsioni që u përqafua më tepër prej pjesës dërrmuese të sipërmarrjeve.

Euronews Albania foli me disa profesionistë për të mësuar rreth eksperiencës së tyre lidhur me balancën e jetës profesionale dhe asaj personale.

Albi Zhulali, sipërmarrës dhe drejtues i kompanisë Softmogul, tregon se për vetë natyrën e punës që lidhet me teknologjinë, nuk e ka pasur tepër të vështirë të orientojë stafin e tij si dhe të arrijë objektivat e vendosura duke u bazuar edhe te puna nga shtëpia. Megjithatë, sipas tij, bashkëveprimi i afërt nuk zëvendëson asnjë mjet të përparuar teknologjik.

“Të punuarit nga shtëpia të jep mundësinë dhe kohën të fokusohesh në objektiva më afatgjata për kompaninë. Ekzistojnë shumë produkte të avancuara të cilat e bëjnë më të thjeshtë tranzicionin e punës në distancë ose nga shtëpia, duke filluar që nga menaxhimi i detyrave, video konferencat, komunikimi dhe bashkëpunimi në skuadër. Në varësi të industrisë, ky tranzicion bëhet më i thjeshtë ose i vështirë. Në një kompani teknologjike si Softmogul, kalimi në të punuarit në distancë është më i thjeshtë, por përsëri bashkëveprimi i stafit me njëri-tjetrin, shkëmbimi i ideve, dijes dhe kulturës është i pa zëvendësueshëm. Bashkëveprimi i afërt nxit zhvillimin e individit më tepër, sidomos në një kompani si e jona ku inovacioni dhe kreativiteti janë ato që na diferencojnë”, tregon Albi.

2

Kristi Kaba, ish-studentja ekselente e diplomacisë, e cila aktualisht është e angazhuar si specialiste në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivës, e sheh më efektive të punuarit nga zyra për shkak të ndërveprimit të drejtpërdrejtë me kolegët.

“Puna e kryer nga shtëpia është kaotike. Në dallim nga puna në zyrë, ku veprimtaria e ditës shtrihet në mënyrë të njëtrajtshme përgjatë 8-orarëshit zyrtar, me punën nga shtëpia haset nevoja për një mirëmenaxhim të kohës, në intervale që zgjasin edhe përtej pasdites, për shkak edhe të angazhimeve familjare. Pra, dita e punës e zhvendosur në shtëpi është shumë fleksibël. Por, përveç kësaj, edhe efektiviteti për pasojë bie, për arsye se koordinimi me kolegët në mënyrë elektronike nuk barazohet me komunikimin e drejtpërdrejtë në zyrë”.

Pas më shumë se 50 ditësh që prej shfaqjes së koronavirusit në Shqipëri, entuziazmi i fillimit i nxitur nga ideja e të kaluarit më shumë kohë në shtëpi, duket se ka rënë te të gjithë.

Mësimi i nxjerrë është se në një moment si ky, distancimi social ishte një e keqe e domosdoshme dhe se të punuarit me njerëz, me gjithë të metat e veta, duket se ka një efektivitet më të madh. 

4

Deborah Keçi, e njohur si ish-notare profesioniste dhe si trajnere personale, tregon se leksionet e dhëna online nuk kanë të njëjtin rezultat.

“Trajnimin e klientëve jam munduar ta kryej online me Skype ose me video call nga shtëpia, por gjithsesi qasja dhe rezultati nuk është i njëjtë. Ka diferencë nga të pasurit klientin pranë nga ajo që sheh përmes videos. E ke të pamundur ta korrigjosh apo të kuptosh se si po e bën ushtrimin. Në këtë sens më ka penalizuar pak”, tregon Deborah.

3

Mungesa e fokusimit dhe e përqendrimit, që shpesh krijohet në ambiente me shumë njerëz, duket se ka motive edhe më të forta të forcohet si fenomen në shtëpi. Këtë tregon edhe aktorja Enxhi Cuku, e cila një prej punëve të saj e kryen nga shtëpia.

“Të punuarit nga shtëpia ka avantazhet dhe disavantazhet e veta. Të punuarit në rehati, e pozicionuar në këndin më komfort është elementi i përbashkët, i cili e shndërron në problematikë përqendrimin në punë”. 

6

Ndërsa ekonomistja Gentiana Hajdarmataj, i vë në balancë të mirat dhe të këqijat e të punuarit nga shtëpia, por megjithatë, edhe ajo del në konkluzionin se bashkëveprimi social sjell më shumë efektivitet dhe rezultate në punë.

“Javët e para kur nisi puna nga shtëpia dhe izolimi kisha mendim krejtësisht tjetër. Në javët e para na entuziazmonte ideja që do të kalonim më tepër kohë me familjen, dhe na dukej sikur do të shfrytëzonim kohën që shpenzonim për t’u bërë gati për në punë, të cilën tani e zëvendësojmë me kohën kur flemë gjumë. Për individët që punojnë me shumë pjesëtarë në zyrë, puna nga shtëpia të ofron dhe një lloj qetësie më të madhe, të ndihmon të fokusohesh dhe të mos kesh shpërqendrime që vijnë shpesh prej të tjerëve,” tregon ajo për Euronews Albania.

5

“Puna në dhomën time më ofron më tepër qetësi dhe më ndihmon të fokusohem në atë që bëj. Megjithatë me kalimin e kohës dhe të javëve ndjen mungesën e bashkëpunimit me kolegët, të bashkëveprimit social, të mungojnë bisedat me ta etj. Nëse më parë mund të kishe një pyetje të thjeshtë që mund ta zgjidhje duke shkuar në zyrë dhe duke komunikuar menjëherë, tashmë duhet të komunikosh përmes telefonit, të biesh dakord për një orar të caktuar. Mungesa e aktivitetit fizik ndikon shumë në performancën, durimin dhe përqendrimin në punë. Lodhesh me kalimin e kohës, bie fokusi dhe rezistenca. Kemi nevojë të përcjellim emocione me njëri-tjetrin përmes komunikimit përballë dhe jo nëpërmjet teknologjisë” shton ekonomistja Hajdarmataj.

Përpos padurimit për t’iu rikthyer normalitetit të punës dhe kohës së lirë, e gjitha bota tanimë gjendet përballë sfidës për t’u përshtatur me normalitetin e ri, me të cilin sipas të gjitha parashikimeve nga ekspertët do të na duhet të mësohemi patjetër të paktën për vitin e ardhshëm.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Vala e të nxehtit në Shqipëri, Ministria e Shëndetësisë nxjerr masat për qytetarët: Ja çfarë duhet të bëni

Vala e të nxehtit që ka përfshirë Shqipërinë gjatë ditëve të fundit ka sjellë temperatura të larta në të gjithë vendin, duke ngritur alarmin për...
10:38 | 24/06/2026

Protestuesi Erlis Sina i përgjigjet Ramës nga protesta: Nuk mund të jemi miq

Protestuesi Erlis Sina, të cilit kryeministri Edi Rama iu drejtua këtë të martë me një mesazh publik, i ka kthyer përgjigje nga protesta. Gjatë fjalës...
20:16 | 23/06/2026

Dita e 24-t e protestës, publikohen 5 kërkesat kryesore të protestuesve

Në ditën e 24-t të protestës, një nga përfaqësuesit e saj deklaroi gjatë fjalimit se protestuesit po i kujtojnë kryeministrit pse janë në këtë protestë....
20:00 | 23/06/2026