‘Vëllezër përgjithmonë’, disa serbë solidarizohen me Rusinë
Teksa qindra mijëra njerëz po protestojnë çdo ditë në solidaritet me Ukrainën në mbarë botën, në Serbi po ndodh e kundërta.
Shumë qytetarë serbë mbështesin hapur Putinin dhe vendimin e tij për të pushtuar Ukrainën.
Në Beograd dje disa qytetarë u mblodhën në mbështetje të Rusisë. Kjo protestë u organizua nga grupi i krahut të djathtë që quhet “Patrulla Popullore”. Organizimi i djeshëm ishte më i vogël në numër, në krahasim me protestat e ditëve të mëparshme në Beograd.
“Kjo duhej të bëhej”, tha protestuesi serb Marko Vezmar, i veshur me një këmishë me portret të Putinit. “E keqja arriti në kufijtë e Rusisë dhe nëse nuk do veprohej do të kishte pasur një luftë botërore,” shtoi ai, ndërsa turma bërtiti “Serbo-Rusët, vëllezër përgjithmonë”.
Kohëve të fundit, bluza me fytyrën e Putinit shiten gjithandej nëpër kioskat përreth Beogradit.
“Në dy javët e fundit, këto janë bluzat më të shitura”, tha për AFP një shitës në kryeqytetin serb.
Shumë serbë nuk shohin arsye pse të mbajnë qëndrim kundër Rusisë, të cilën e konsiderojnë si “mbrojtëse” të shtetit të tyre.
Me shekuj, Serbia dhe Rusia kanë pasur lidhje të thella vëllazërore — nga trashëgimia e tyre sllave dhe ortodokse deri te aleancat e tyre të palëkundura gjatë Luftërave Botërore të shekullit të 20-të.
Ndikimi i Moskës në Serbi mbetet i madh, me naftën dhe gazin rus që janë shtylla e sektorit energjetik të vendit.
Në protestën e djeshme, disa vetura që kishin simbolin ‘Z’ dhe me flamuj rusë dhe serbë, protestuan duke parakaluar pranë qendrës “Sava” në Beograd.
Simboli ‘Z’ është parë në tanket ruse gjatë luftimeve në Ukrainë. Ky simbol po përdoret edhe nga personat që po e mbështesin vendimin e presidentit rus, Vladimir Putin, për pushtimin e Ukrainës.
“Jam e turpëruar që shteti im nuk iu bashkua gjithë pjesës tjetër të botës për të dënuar agresionin rus”, tha Dubravka Stojanovic, një historiane 59 vjeçare.
‘Pozitë e vështirë’ për Serbinë
Presidenti i Serbisë Alksandër Vuçiç ndodhet në një pozitë të vështirë, disa javë para zgjedhjeve të përgjithshme që mbahen në Serbi, më 3 prill.
Pas pushtimit të Ukrainës, Serbia dënoi zyrtarisht veprimet e Rusisë në Kombet e Bashkuara, por Vuçiç është zotuar se nuk do të vendosë sanksione ndaj Moskës.
Duke i kthyer shpinën Rusisë, qytetarët e Serbisë mund ta dënojnë atë në kutitë e votimit.
“Ajo që [qeveria] ka më shumë frikë është kaosi i brendshëm që do të shpërthente nëse Serbia zgjidhte një anë”, tha analisti politik Vuk Vuksanoviç për AFP.
Presidenti serb tha “jam plakur 10 vjet për 3 ditë” në ditët e para të fillimit të luftës.
‘Nuk kemi zgjidhje tjetër’
Vuçiç ka menaxhuar të balancojë marrëdhëniet me Rusinë dhe Perëndimin për vite me radhë.
Presidenti serb ka mbajtur mirë marrëdhëniet e Serbisë me fuqitë lindore dhe perëndimore, duke hapur rrugën për ndihmë të konsiderueshme financiare nga Bashkimi Evropian, si dhe marrëveshje të mëdha biznesi me Kinën dhe Rusinë.
Por, Rusia ka mbetur aleate dhe mbështetëse e fortë e Serbisë, sidomos për Kosovën dhe bllokimin e çdo njohjeje formale të pavarësisë së territorit të saj në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
Në një sondazh të vitit 2021 nga Instituti për Çështjet Evropiane, 83 për qind e të anketuarve serbë e shihnin Moskën si një “mik”. Putin është shpallur qytetar nderi në rreth dhjetë qytete serbe.
Gjatë tubimit pro-Rusisë në Beograd javën e kaluar, demonstruesit mbanin pankarta me parulla anti-NATO teksa marshonin nëpër rrugë, duke ndezur flakët dhe duke mbajtur lart ikonat ortodokse.
“Ukraina po çlirohet nga neo-nazistët,” tha Nikola Babiç, një roje sigurie 22-vjeçar. “Rusët — vëllezërit tanë — po çlirojnë vendin dhe shpresojmë të bëjnë të njëjtën në gjithë botën.”
Edhe më 4 mars, në Beograd ishte mbajtur një protestë në mbështetje të Rusisë, ku mijëra persona dolën para Ambasadës ruse dhe para misionit diplomatik të Bjellorusisë.
Rusia ka nisur më 24 shkurt një sulm të paprovokuar ndaj Ukrainës. Shtetet perëndimore, por edhe të rajonit të Ballkanit Perëndimor, kanë vendosur sanksione ndaj Moskës për shkak të agresionit ndaj Rusisë. Serbia ka refuzuar që t’i bashkohet sanksioneve të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara.
Burime: AFP, Reuters, Euronews Serbia
LEXONI GJITHASHTU:
Helmimi i studentëve në Akademinë e Sigurisë, reagon AKU
Lufta në Ukrainë, Bashkimi Evropian zgjat sanksionet ekonomike ndaj Rusisë edhe për 12 muaj të tjerë
Të shtënat në Shkodër, arrestohen 2 persona dhe shpallet në kërkim 1 tjetër. Sekuestrohen armë dhe municione (VIDEO)
- 22:10 Dita e 36-të, nis marshimi i qytetarëve në rrugët e Tiranës
- 22:07 Zjarri në Drizë dhe Peshtan vihet nën kontroll pas mbi 9 orësh operacion, u evakuuan përkohësisht 7 familje
- 21:50 “Mund të anulohet samiti i NATO-s në Shqipëri në 2027 prej buxhetit?” Profesor Shala jep shpjegimin
- 21:41 “Arrestime, investime miliardëshe..”, gazetari: Ankaraja e blinduar për Samitin e NATO-s, Trump do pritet me një delegacion të madh
- 21:05 Riorganizimi i Qendrës së Mjekësisë Familjare, institucioni: Nuk ndryshon shërbimi për pacientët
- 21:03 Samiti i NATO-s më 7-8 korrik, Meçollari: Shqipëria nuk plotëson kriteret e NATO-s për buxhetin, harxhuam më pak





















