Vengu nga Mynihu: Shqipëria po forcon kapacitetet e mbrojtjes, rajoni përballet me kërcënime hibride

16 Shkurt 2026 | 15:59

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, në një intervistë me Bjorn Stritzel në Konferencën e Sigurisë së Mynihut, të publikuar në portalin Euractiv, u shpreh se Ballkani Perëndimor përbën një pjesë qendrore të arkitekturës së sigurisë së Europës.

Sipas tij, rajoni vijon të përballet me kërcënime hibride dhe kibernetike, dezinformim dhe ndikime të jashtme, të cilat synojnë të gërryejnë institucionet dhe të fragmentojnë shoqëritë. Në këtë kontekst, ai theksoi se përgjigjja e Shqipërisë është linjëzimi i plotë me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së, si dhe zbatimi i reformave të rekomanduara. Tirana kontribuon me trupa si në misionet e NATO-s, ashtu edhe në ato të udhëhequra nga BE-ja.

I pyetur nëse Shqipëria do të kërkonte akses në kreditë prej 150 miliardë eurosh të instrumentit SAFE, në rast të përshpejtimit të negociatave për anëtarësim në BE, Vengu theksoi se Shqipëria është tashmë një aleate e NATO-s, plotësisht e ndërveprueshme dhe e angazhuar operacionalisht. Sipas tij, anëtarësimi në BE do ta konsolidonte më tej profilin e mbrojtjes së vendit.

Instrumenti Security Action for Europe (SAFE) është një nismë e BE-së me vlerë 150 miliardë euro, që ofron kredi me interes të ulët për shtetet anëtare për investime në prodhimin industrial të mbrojtjes dhe në prokurime të përbashkëta.

“Para më shumë se një viti, ne nënshkruam një Partneritet të ri për Sigurinë dhe Mbrojtjen me BE-në. Ne punojmë ngushtë me Agjencinë Evropiane të Mbrojtjes. Përfitojmë nga Mekanizmi Evropian i Paqes. Megjithatë, mbetemi jashtë financimit SAFE,” u shpreh ai.

Ministri theksoi se për aleatë më modestë nevojiten mekanizma financimi afatgjatë për të konkretizuar projekte të përbashkëta dhe për të integruar industrinë shqiptare të mbrojtjes në zinxhirin evropian të furnizimit. Ai shtoi se zgjerimi i BE-së drejt Europës Juglindore lidhet si me koherencën gjeopolitike të vetë BE-së, ashtu edhe me përmbushjen e standardeve nga vendet kandidate. Shqipëria synon anëtarësimin në BE deri në vitin 2030.

Sa i përket mësimeve nga lufta në Ukrainë, Vengu theksoi se “shpejtësia dhe masa kanë marrë sërish rëndësi” në inovacion, kapacitetet prodhuese, logjistikë dhe rezerva.

“Tashmë është e qartë se shkurajimi pa zinxhirë të fortë furnizimi është një iluzion. Qëndrueshmëria është fillimisht një detyrë kombëtare përpara se të jetë përgjegjësi aleate. Gatishmëria e një vendi nuk mund të delegohet,” tha ai.

Sipas tij, Shqipëria po ringjall segmente të industrisë së mbrojtjes, po forcon korridoret logjistike dhe po përmirëson portet dhe infrastrukturën e ndërlidhjes. Ai theksoi gjithashtu se industria vendase e mbrojtjes përfiton nga rritja ekonomike, ndërsa Prodhimi i Brendshëm Bruto i vendit është dyfishuar që nga viti 2016.

Deri më tani, kjo nismë ka prodhuar katër ndërmarrje të përbashkëta dhe gjashtë marrëveshje, të fokusuara në sisteme kundër-dron, mjete taktike, municione, pajisje mbrojtëse dhe komponentë të specializuar.

Në përputhje me angazhimet e marra në samitin e fundit të NATO, Forcat e Armatosura të Shqipërisë po përqendrohen në rritjen e kapaciteteve në të gjitha forcat e luftimit, modernizimin e sistemeve tokësore, ajrore e detare, si dhe në investimet në sistemet tokë-ajër.

“Të gjitha marrëveshjet tona të modernizimit janë realizuar me kompani nga vende aleate dhe partnere, përfshirë SHBA-në dhe kompani evropiane,” deklaroi ai, duke përmendur kompani si Lockheed Martin, Elbit Systems, Thales Group, Heckler & Koch, Saab, si dhe negociatat me Leonardo dhe Fincantieri.

“Në tërësi, synimi ynë është të jemi një vend anëtar i besueshëm dhe i parashikueshëm, që kontribuon në stabilitetin rajonal dhe prosperitetin evropian. Nëse Europa dëshiron të dëshmojë thellësi strategjike, duhet të anëtarësojë ato vende që kontribuojnë vazhdimisht për ta garantuar atë,” përfundoi Vengu.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Kosova kujton Adem Demaçin në tetëvjetorin e ndarjes nga jeta, Reçica: Simbol i qëndresës dhe lirisë

Bashkëveprimtarë dhe bashkëluftëtarë të Adem Demaçit kanë bërë homazhe pranë varrit të Nderit të Kombit, në tetëvjetorin e ndarjes së tij nga jeta. Deputeti i...
14:55 | 26/07/2026

Makina del nga rruga dhe përfundon në përrua, 5 viktima dhe 2 të plagosur në Antalia

Pesë persona kanë humbur jetën dhe dy të tjerë kanë mbetur të plagosur pasi një automjet me shtatë pasagjerë doli nga rruga dhe ra në...
14:46 | 26/07/2026

Kurti nga veriu i Kosovës: Asnjë kriminel nuk do të lejohet të mbijetojë i pandëshkuar

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë homazhe tek lapidari në vendin e rënies së heroit Enver Zymeri në Varage të Zubin Potokut,...
14:36 | 26/07/2026