Zgjedhjet në Kosovë, Vetëvendosje shpall fitoren

7 Qershor 2026 | 18:30

Rezultatet e paraprakte të Komisionit Qendror të Zgedhjeve e nxjerrin LVV-në të parën me rreth 43% të votive.

Lëvizja Vetëvendosje ka shpallur fitoren në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura këtë të diel në Kosovë. Sipas rezultateve paraprake të publikuara pas numërimit të mbi 98 për qind të vendvotimeve, partia e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, kryeson me rreth 43.7 për qind të votave. Pas saj renditen Partia Demokratike e Kosovës me rreth 21.6 për qind, Lidhja Demokratike e Kosovës me afro 18 për qind dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me mbi 7 për qind të votave.

Procesi zgjedhor u zhvillua në 38 komunat e vendit dhe, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, pa incidente që do të cenonin mbarëvajtjen e votimit. Pjesëmarrja në zgjedhje ishte 36.33 për qind. Mbi 2 milionë qytetarë kishin të drejtë vote, ndërsa më shumë se 900 kandidatë nga 17 parti politike dhe tre koalicione garuan për 120 vendet në Kuvendin e Kosovës.

Procesi i votimit

Qendrat e votimit u hapën në orën 07:00 dhe u mbyllën në orën 19:00. Procesi zgjedhor u zhvillua në 949 qendra votimi me gjithsej 2,550 vendvotime në të gjithë vendin. Prej tyre, 911 qendra me 2,498 vendvotime u dedikuan për votimin e rregullt, ndërsa 38 qendra, nga një në secilën komunë me 52 vendvotime, shërbyen për votimin me kusht.

Në këto zgjedhje patën të drejtë vote 2,092,174 qytetarë. Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, tha në një konferencë për media se procesi zgjedhor është duke u zhvillua në mënyrë të rregullt dhe pa asnjë incident në 38 komunat e vendit.

“Sipas të dhënave të raportuara nga komisionet komunale të zgjedhjeve, votimi deri në këtë kohë është duke u zhvilluar në kushte të rregullta dhe pa probleme që do ta cenonin mbarëvajtjen e procesit zgjedhor”, tha Radoniqi.

Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi se ka angazhuar mbi 100 prokurorë të shtetit dhe staf mbështetës të sistemit prokurorial po qëndrojnë kujdestarë për vëzhgimin e zgjedhjeve.

Më shumë se 900 kandidatë nga 17 parti politike dhe tri koalicione po garojnë për ulëse në Kuvendin e Kosovës, i cili ka gjithsej 120 deputetë.

30 Updates
23:00

Abdixhiku: Qëndrimi ynë për presidentin nuk ndryshon

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka vlerësuar se ka shënuar rritje të konsiderueshme në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, duke e cilësuar rezultatin preliminar si fillim të ringritjes së partisë.

Në konferencën për media pas publikimit të rezultateve preliminare, kandidati për kryeministër nga LDK-ja, Lumir Abdixhiku,  bëri të ditur se partia e tij nuk do të heqë dorë nga kandidatura e Vjosa Osmanit për presidente në kuadër të diskutimeve për formimin e institucioneve të reja.

“Nuk do të kishte kuptim që të dilnim në fushatë me kandidaturën për presidente e më pas në konferencë për media pas përfundimit të zgjedhjeve t’i refuzonim në momentin e parë. Nuk është politikë e imja e as e LDK-së. Nuk kemi ndërmend të bëjmë kompromise me gjërat që kemi kërkuar mbështetje qytetare. Jemi të interesuar për stabilitet institucional. Ne kemi qenë të gatshëm për bisedime me të gjitha partitë shqiptare, përveç Listës Serbe. Dhe jemi të vetëdijshëm se çështja e presidentit do të jetë çështja e parë që do të diskutohet. Ne kemi kandidaten tonë dhe ajo do të jetë pikënisja e çdo bisedimi”, ka deklaruar Abdixhiku.

Ai tha se qytetarët e Kosovës folën qartë përmes votës së tyre në një proces që, sipas tij, ishte i lirë, i qetë dhe demokratik.   “Kosova foli sot qartë. Qytetarët tanë folën me votë, folën lirshëm, folën qetë dhe demokratikisht. Në një rajon që njeh shumë tensione zgjedhore, Republika e Kosovës dëshmoi edhe njëherë pjekuri demokratike. Për këtë meritoni falënderim ju, të dashur qytetarë, që me pjesëmarrjen tuaj dhe me sjelljen tuaj e bëtë këtë ditë një festë të demokracisë së Kosovës. Demokracia e Kosovës forcohet pikërisht në ditë si kjo zgjedhore, kur vullneti i qytetarëve respektohet dhe institucionet funksionojnë. Në veçanti dua t’i falënderoj mbështetësit dhe votuesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës, secilin qytetar që besoi te ne, që na dha mbështetje gjatë këtyre javëve, na hapi derën, na dha dorën, na dha zemrën dhe mbi të gjitha na dha besimin”, tha Abdixhiku.

Ai falënderoi qytetarët për pjesëmarrjen në zgjedhje dhe mbështetësit e LDK-së për besimin e dhënë gjatë fushatës, duke theksuar se rezultati është produkt i angazhimit të strukturave të partisë, aktivistëve, kandidatëve, komisionarëve dhe vëzhguesve. “Ky rezultat i sotëm është reflektim i një bashkimi të madh njerëzor e politik. Është rezultat i një fryme të re që e kemi ndërtuar së bashku me Vjosa Osmanin. Është rezultat i punës së jashtëzakonshme dhe të palodhshme të strukturave tona, të kryetarëve të degëve, aktivistëve, grave, të rinjve, kandidatëve tanë, të 110 kandidatëve, komisionerëve, vëzhguesve që ruajtën votën dhe mbi të gjitha të qytetarëve që donin ndryshim në Kosovë”, u shpreh ai.

🔗 Shpërndaje
22:51

Osmani pas rezultateve: Ky është veç hapi i parë i ringritjes së LDK-së

Kandidatja për presidente nga radhët e LDK-së, Vjosa Osmani, ka folur pas rezultateve preliminare të zgjedhjeve parlamentare, ku kjo parti ka marrë 17,69 për qind.

“Dua edhe njëherë t’i falënderoj të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës për përkrahjen që na kanë dhënë në këto zgjedhje, të cilat, përkundër kohës tepër të shkurtër që kishim në dispozicion për fushatë dhe për të prezantuar vizionin tonë, e rritën LDK-në apo votën elektorale për rreth 34 për qind, apo tani jemi në 20 mandate, e që është rritja më e madhe që ka pasur cilido subjekt politik që ka garuar në këto zgjedhje”, tha Osmani në konferencë për media.

“Natyrisht që ky është veç hapi i parë drejt ringritjes, por kjo rritje na jep shpresë se jemi në rrugë të drejtë dhe, edhe me shumë më shumë punë në terren, afër qytetarëve tanë, besoj që LDK-ja do të vazhdojë të ringritet edhe më tej”.

🔗 Shpërndaje
21:34

Numërohet rreth 90% e votave në Kosovë, LVV prin por shënon rënie në përqindje

Janë numëruar rreth 90 për qind të votave nga vendvotimet në Kosovë.

Lëvizja Vetëvendosje nga numërimi i 90.47 për qind të vendvotimeve, ka marrë 43.71 për qind të votave si partia më e madhe. Ajo ka marrë më shumë se 273 mijë vota.

Partia Demokratike e Kosovës ka marrë 21.58 për qind të votave, apo 135 mijë vota.

Lidhja Demokratike ka 17.99 për qind të votave apo rreth 113 mijë vota.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka marrë 7.28 për qind të votave apo rreth 46 mijë vota.

Në total, më 7 qershor në zgjedhjet e parakohshme parlamentare pati rënie të daljes së votuesve. Aktualisht, LVV-ja nga katërshja e madhe është e vetmja me rezultat më të dobët se në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

🔗 Shpërndaje
21:23

Rezultatet e fundit/ Numërohen mbi 80% e kutive në Kosovë

KQZ-ja ka përditësuar rezultatet e zgjedhjeve të mbajtura këtë të diel.

Nga 2122 kuti të numëruara nga 2498 që janë gjithsej apo 84.55% e tyre rezultatet janë si në foton më lart.

Ndërsa më poshtë keni rezultatet e zgjedhjeve të fundit, të mbajtura në 28 dhjetor 2025 për të bërë krahasimin se kush humbi dhe kush fitoi.

🔗 Shpërndaje
21:14

Zgjedhjet në Kosovë, Demokracia në Veprim publikon rezultatet paraprake

Organizata Demokracia në Veprim publikoi rezultatet preliminare të zgjedhjeve të 7 qershorit, bazuar në të dhënat e mbledhura nga vëzhguesit e saj.

Sipas këtyre rezultateve, Lëvizja Vetëvendosje prin me 42.7 për qind të votave, me një marzh gabimi prej 1.7 për qind.

Partia Demokratike e Kosovës renditet e dyta me 21.5 për qind, me marzh gabimi 1.6 për qind, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës është e treta me 17.7 për qind dhe marzh gabimi 1.1 për qind.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës mori 7.1 për qind të votave, po ashtu me marzh gabimi 1.1 për qind.

Këto rezultate nuk përfshijnë votat me kusht dhe ato të diasporës.

🔗 Shpërndaje
20:54

Albulena Haxhiu: Numërimi, faza vendimtare. Përgjegjësit të angazhohen në mbrojtjen e vullnetit të popullit

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu pas procesit të votimit në zgjedhjet e parakohshme parlamentar në vend, ka ftuar të gjithë personat përgjegjës që të angazhohen maksimalisht në mbrojtjen e vullnetit të popullit dhe integritetit të procesit.

“Pas mbylljes së qendrave të votimit, fillon faza vendimtare e procesit zgjedhor, numërimi. Çdo votë është zëri i qytetarëve dhe duhet të trajtohet me përgjegjësinë më të lartë.

Ftoj të gjithë personat përgjegjës që me përkushtim, vigjilencë dhe profesionalizëm të angazhohen maksimalisht në mbrojtjen e vullnetit të popullit dhe integritetit të procesit.

Ju uroj shumë suksese, punë të mbarë dhe që rezultati përfundimtar të pasqyrojë besnikërisht vullnetin e qytetarëve”, shkruan ajo në rrjete sociale.

🔗 Shpërndaje
20:53

Numërohen 70% të votave, Albin Kurti në epërsi me 43%

Numërimi i votave ka sjellë një përditësim të ri të rezultatit zgjedhor, ku Lëvizja Vetëvendosje vijon të mbajë vendin e parë me 43.09% të votave, ose 207,253 vota.

Forca e dytë politike mbetet Partia Demokratike e Kosovës (PDK), e cila ka siguruar 21.82% të votave, e ndjekur nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 17.98%.

Ndërkohë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) renditet e katërta me 7.63% të votave të numëruara deri më tani.

Rezultatet e përditësuara tregojnë se gara për vendin e dytë dhe të tretë mbetet e hapur, ndërsa Vetëvendosje ruan një epërsi të konsiderueshme ndaj kundërshtarëve politikë.

Rezultatet e përditësuara:

  • Vetëvendosje – 43.09% (207,253 vota)
  • PDK – 21.82% (104,943 vota)
  • LDK – 17.98% (86,456 vota)
  • AAK – 7.63% (36,683 vota)

Procesi i numërimit dhe verifikimit të votave vijon, ndërsa pritet publikimi i rezultateve.

🔗 Shpërndaje
20:48

Numërohen mbi 40% e votave në Kosovë: LVV prin me 41,24 %, ndiqet nga PDK me 21,93%, LDK me 18,08% dhe AAK me 8,31%

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka njoftuar se deri më tani janë numëruar 40.23% të votave, në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të zhvilluara ditën e sotme.

Nga rezultatet deri më tani, Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 41,24% të votave. Partia Demokratike e Kosovës ka marrë 21,93% të votave. Lidhja Demokratike e Kosovës ka marrë 18,08% të votave. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka marrë 8,31% të votave

🔗 Shpërndaje
20:33

Hamza: Qytetarët treguan kulturë demokratike, çdo votë të numërohet me kujdes

Kandidati për kryeministër nga Partia Demokratike e Kosovës, Bedri Hamza, ka vlerësuar se qytetarët e Kosovës kanë treguar qytetari, përgjegjësi dhe kulturë demokratike gjatë procesit zgjedhor.

Ai ka thënë se në një proces të qetë dhe dinjitoz, qytetarët kanë dëshmuar besimin e tyre në fuqinë e votës dhe në të drejtën për të vendosur për të ardhmen e vendit.

Hamza ka falënderuar pjesëmarrësit në zgjedhje, si dhe institucionet, komisionerët, vëzhguesit, mediat dhe forcat e rendit për angazhimin e tyre në mbarëvajtjen e procesit.

Ai ka theksuar se është me rëndësi që çdo votë të numërohet me kujdes dhe të respektohet plotësisht vullneti i qytetarëve, duke shtuar se demokracia nuk përfundon me votim, por me respektimin e tij.

🔗 Shpërndaje
20:27

Kurti reagon pas mbylljes së procesit të votimit: Vullneti i qytetarëve u shpreh

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti përmes një postimi në Facebook ka reaguar pas mbylljes së procesit të votimit për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Kurti theksoi se vullneti i qytetarëve është shprehur dhe se tani përgjegjësia peshon te komisionerët dhe vëzhguesit.

Sipas tij mbrojtja e votës është kusht i pandashëm i legjitimitetit.

“Vullneti i qytetarëve i shprehur në zgjedhjet e sotme është brenda kutive të votimit. Mbrojtja e tij është kusht i pandashëm i legjitimitetit dhe kredibilitetit të procesit zgjedhor.

Në këto momente, sytë, veshët dhe vëmendja jonë janë te ju komisionerë dhe vëzhgues. Mbi juve peshon një përgjegjësi e lartë institucionale dhe fisnike. Ju falemnderit për angazhimin dhe punë të mbarë në numërimin e çdo vote’, shkruan Kurti.

🔗 Shpërndaje
20:26

Zgjedhjet në Kosovë, KQZ publikon rezultatet e para, LVV në avantazh

Exit poll-et e disa televizioneve në Kosovë e nxjerrin LVV-në të parën me rreth 42% të votave, nën rezultatin prej mbi 51% në zgjedhjet e 28 dhjetorit. Sipas KQZ, janë numëruar 26.66% të votave, LVV ka 40.58% të votave, PDK 22.19% të votave.

Më pas LDK 18.53% të votave, AAK 9.24% të votave.

Rreth 2 milionë qytetarë të Kosovës kishin të drejtë vote në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit, të cilat u organizuan pas dështimit të Kuvendit për zgjedhjen e presidentit.

Zgjedhjet u zhvilluan pa incidente që do të ndikonin në mbarëvajtjen e procesit.

🔗 Shpërndaje
20:03

Zgjedhjet në Kosovë, KQZ: Rezultatet dalin sot rreth orës 22:00

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, ka njoftuar se rezultatet preliminare të zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit, do të dalin po sonte rreth orës 22:00.

Në konferencën e mbajtur për media pas përmbylljes së vendvotimeve, Radoniqi ka thënë se dalja e qytetarëve me të drejtë vote është rreth tetë për qind më e ulët krahasuar me zgjedhjet paraprake të mbajtura më 28 dhjetor 2025.

“Nga të dhënat preliminare të mbi 98% të vendvotimeve, numri i qytetarëve me të drejtë vote që kanë votuar deri në orën 19:00 është 712 mijë e 128 votues, apo 36.38% nga 1 milionë e 959 mijë e 962 votues. Deri në të njëjtën kohë për zgjedhjet e 28 dhjetorit kishin votuar 44.99 për qind. Në shumë vendvotime ka filluar numërimi i fletëvotimeve… Rezultatet preliminare do të dalin sonte, unë besoj që diku rreth orës 21:30 apo 22:00 maksimum, do të dalim me rezultate, megjithatë nuk do ta caktojë tani orën”, tha ai.

🔗 Shpërndaje
19:38

Rezultatet e para në Kosovë, gazetari jep detaje nga exit pollet

Gazetari i Euronews Albania, Xhemajl Rexha në një lidhje live nga një qendër votimi ka njoftuar se është mbyllur procesi i votimit. Ai ndër të tjera ka dhënë detaje lidhur me exit pollet e para që janë publikuar. Gazetari theksoi se sipas exit poll-it të Klan Kosovës, Vetëvendosja ka fituar 42.3% të votave, Partia Demokratike e Kosovës 21.6% të votave, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) 17.3% të votave dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) 6.8% të votave.

“Në fakt këtu në qendrën e votimit në qendër të Prishtinës, në shkollën “Faik Konica”, në orën 19:00 ka rënë zilja, siç bie për të nisur mësimi. Ka rënë zilja për të dhënë sinjalin se ka përfunduar votimi. Siç e shihni, korridoret e kësaj qendre votimi janë boshatisur.

Ka vetëm punonjës të KQZ-së të cilët kujdesen dhe po shkojnë në secilën klasë për të parë nëse procesi i votimit ka përfunduar. Nuk ka më njerëz që hyjnë, nuk po shoh. Kjo qendër do të mbyllet, dhe janë mbyllur edhe qendrat e votimit në gjithë Republikën e Kosovës.

Ka dalë edhe një exit poll tjetër, Esmeralda, i Klan Kosova dhe Pipos, dhe i ka shumë të ngjashme rezultatet me ato që i the të Albanian Post. Sipas exit poll-it të Klan Kosovës, Vetëvendosja ka fituar 42.3% të votave, Partia Demokratike e Kosovës 21.6% të votave, Lidhja Demokratike e Kosovës17.3% të votave dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 6.8% të votave.

Janë shumë të ngjashme. Do të shohim se si do të jenë këto me rezultatet paraprake që do të nisin nga ora 20:00 dhe që janë gjithmonë pa diasporën. Duhet vënë gjithmonë në dukje kjo, nuk janë votat e atyre që kanë votuar në ambasada, por as votat e atyre që kanë votuar me postë, as votat me kusht. Janë thjesht, mbi të gjitha është perceptim natyrisht është exit poll.

Por Vetëvendosja pritet, pritje e përgjithshme që do të bjerë nga rezultati i dhjetorit ku kishte 51%. Vetëm duhet parë se sa e madhe është kjo rënie’, tha ai ndër të tjera.

🔗 Shpërndaje
19:16

Mbyllet procesi i votimit në Kosovë, pjesëmarrja 31.72% deri në orën 19:00

Është mbyllur zyrtarisht orari i procesit të votimit për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë. Qendrat e votimit u hapën në orën 07:00 dhe u mbyllen në orën 19:00. Procesi është cilësuar i qetë dhe pa problematika madhore. Pjesëmarrja në votim deri në orën 19:00 është 31.72%

Demokracia në Veprim, DnV pak para mbylljes së procesit të votimit u shpreh në një deklaratë për mediat tha se dalja e qytetarëve në zgjedhje është 10% më e ulët sesa dy zgjedhjet e 2025.

Dalja në votime, sipas vëzhguesve të DnV-së, deri në orën 17:00 ishte rreth 29%. Deri në orën 17:00, raste të votimit me dokumente me afat të skaduar janë hasur në 25% të vendvotimeve, deri në 4 raste. Raste të fotografimit të votës kanë qenë gjithsej 25, të hasura në 4% të vendvotimeve.

Është raportuar edhe për disa incidente që kanë të bëjnë me tentime për të votuar në emër të familjarëve të tyre.

🔗 Shpërndaje
18:50

DnV: Pjesëmarrja në votim,10% më e ulët se në dy zgjedhjet parlamentare të 2025-ës

Demokracia në Veprim, DnV pasditen e kësaj të diele ka dalë në një deklaratë për mediat ku ka zbuluar detaje nga ecuria e procesit zgjedhor në zgjedhjet e parakohshme në Kosovë. DnV në njoftim bëri me dije se dalja e qytetarëve në zgjedhje është 10% më e ulët sesa dy zgjedhjet e 2025.

Dalja në votime, sipas vëzhguesve të DnV-së, deri në orën 17:00 është rreth 29%. Dalja në votime në të njëjtën kohë në dy zgjedhjet e kaluara parlamentare të mbajtura gjatë 2025 ishte rreth 39%, pra 10% më e lartë.

Sipas DnV ka pasur disa problematika ku votuesit janë paraqitur jo në qendrat e duhura te votimit. Nga hapja e vendvotimeve deri në orën 17:00, këto vështirësi janë raportuar në 65% të vendvotimeve, me deri në 10 raste. Në rajonin e Prishtinës dhe Pejës ka patur deri në 30 raste.

Votimi me asistencë që nga mëngjesi ka mbetur përgjithësisht i njejtë, pra 0.2%, ndonëse është i përhapur në 55% të vendvotimeve. Rreth 78% të këtyre rasteve lidhen me asistimin e votueseve gra.

Votimi me asistencë nuk po evidentohet në 6% të vendvotimeve, deri në 10 raste. Komisionerët në mbi 65% të vendvotimeve kanë vazhduar të kërkojnë dokumente mjekësore nga të gjithë qytetarët që kanë kërkuar të votojnë me ndihmën e dikujt tjetër. Për me tëpër, në 45% të vendvotimeve nuk kanë lejuar që të votohet me asistencë pa dokumente mjekësore, përkundër insistimit të votuesve, sidomos në Prishtinë.

Deri në orën 17:00, raste të votimit me dokumente me afat të skaduar janë hasur në 25% të vendvotimeve, deri në 4 raste. Raste të fotografimit të votës kanë qenë gjithsej 25, të hasura në 4% të vendvotimeve.

Është raportuar edhe për disa incidente që kanë të bëjnë me tentime për të votuar në emër të familjarëve të tyre, por që të gjitha janë trajtuar nga policia në mënyrë profesionale.

🔗 Shpërndaje
16:53

Kurti thirrje qytetarëve: Votoni. Vendosim për zhvillimin, sigurinë dhe stabilitetin e vendit tonë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pak minuta më parë ka shpërndarë në rrjetet sociale një video teksa u bën thirrje qytetarëve që të dalin dhe të votojnë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në vend.

Për pak orë do të mbyllet procesi i votimit teksa theksoi se ata që ende nuk kanë votuar kanë ende kohë për të vendosur për zhvillimin dhe sigurinë e Kosovës.

 “Të dashur qytetarë, Kanë mbetur më pak se 3 orë kohë për të votuar. Të gjithë ju, që ende nuk keni votuar, ju lutem ta bëni një gjë të tillë. Për pak minuta vendosim për zhvillim, siguri dhe stabilitet për vendin tonë. E ju që tashmë keni votuar, ftoni miqtë, farefisin e dashamirët të shkojnë për të votuar. Sa më e gjerë vendimmarrja aq më e fortë demokracia dhe Republika jonë.

E juve që ju ka zënë puna të jeni në komuna tjera, mund të votoni me kusht në cilëndo komunë ku jeni. Secila komunë e ka një qendër të votimit bash për këtë punë. Dil dhe voto! Pak kohë ka mbetur. Mos e le për në fund! Ju dua”, shtoi Kurti.

🔗 Shpërndaje
16:30

Zgjedhjet në Kosovë, ambasadori gjerman: Po vëzhgojmë procesin me 4 ekipe. Gjithçka, qetë dhe pa probleme

Ambasadori gjerman në Kosovë, Rainer Rudolph këtë të diele ndodhet në terren teksa po monitoron ecurinë e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në vend. Rudolph përmes një video në rrjetet sociale theksoi se po monitorojnë procesin me ekipe.

Ai theksoi se deri tani gjithçka duket e qetë dhe se procesi i votimit po zhvillohet pa problem.

‘’Përshëndetje, sot është dita e zgjedhjeve në Kosovë dhe, me vendosmërinë për të vëzhguar procesin, po marrim pjesë me katër ekipe në ushtrimin e monitorimit të zgjedhjeve të organizuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë.

Aktualisht jam duke vizituar qendrat e votimit në Prishtinë dhe rrethinën e saj. Gjithçka që kam parë deri tani duket e qetë dhe po zhvillohet pa probleme. Prandaj, presim me interes rezultatet e zgjedhjeve sonte. Shihemi atëherë’’, tha ai.

🔗 Shpërndaje
15:55

Ndalohen dy persona në Kosovë, dyshohet se grisën fletët e votimit

Dy persona janë ndaluar nga Policia e Kosovës dhe janë dërguar në mbajtje për 48 orë, pasi dyshohet se kanë grisur fletët e votimit gjatë procesit zgjedhor në Prishtinë dhe Drenas.

Rastet janë konfirmuar nga Policia e Kosovës, e cila bën me dije se bëhet fjalë për dy incidente të ndara, ku në të dyja rastet personat e dyshuar kanë dëmtuar fletëvotimet duke i shqyer.

“Deri tani në rajonin e Prishtinës janë hapur dy raste Asgjësim i dokumentit të votimit (në Drenas dhe në Prishtinë), ku dyshohet se nga personat e dyshuar kanë dëmtuar (shqyer) fletëvotimet. Personat e dyshuar janë dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërkohë që veprimet hetimore po kryhen në koordinim me prokurorinë”, deklaroi për “Express” zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

Hetimet për të dy rastet janë duke vazhduar në koordinim me prokurorinë kompetente.

🔗 Shpërndaje
14:00

Institucionet e reja duhet të formohen sa më shpejt pas zgjedhjeve

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka deklaruar se pas përfundimit të procesit zgjedhor, Kosova ka nevojë që sa më shpejt të formojë institucionet e reja dhe të sigurojë stabilitet politik.

Duke folur për KosovaPress gjatë vëzhgimit të procesit zgjedhor në Zubin Potok, Hargreaves tha se është pjesë e ekipit diplomatik të vëzhgimit të koordinuar nga Bashkimi Evropian, i njohur si “Diplo Watch”, i cili po monitoron zgjedhjet në të gjithë territorin e Kosovës.

Ai vlerësoi procesin zgjedhor dhe punën e stafit në qendrat e votimit.

“Puna jonë është të sigurohemi që të kemi një pasqyrë të qartë në të gjithë Kosovën për atë që po ndodh. Njerëzit në qendrat e votimit kanë qenë shumë ndihmues dhe mikpritës. Dua t’i përgëzoj ata dhe të gjithë ata që po mundësojnë mbarëvajtjen e këtyre zgjedhjeve”, tha Hargreaves.

I pyetur nëse pret që këto të jenë zgjedhjet e fundit për katër vitet e ardhshme, ambasadori britanik u shpreh se kjo është një pritshmëri që e ndajnë shumë qytetarë në Kosovë.

“Kam përshtypjen se shumë njerëz në këtë vend shpresojnë që këto të jenë zgjedhjet e fundit për këtë vit. Nëse është e nevojshme të shkohet sërish në zgjedhje, atëherë kjo do të ndodhë. Por do të ishte shumë mirë nëse pas këtyre zgjedhjeve partitë politike do të mund të arrinin një marrëveshje, jo vetëm për kuvendin dhe qeverinë, por edhe për zgjedhjen e presidentit”, deklaroi ai.

Sipas Hargreaves, është në interes të Kosovës që institucionet e reja të krijohen sa më shpejt.

“Kjo i takon tërësisht partive politike ta zgjidhin mes vete. Unë mendoj se Kosova ka nevojë për një kuvend, një qeveri dhe një president sa më shpejt të jetë e mundur, ndërsa partive u takon të përcaktojnë renditjen dhe rezultatin e këtij procesi”, u shpreh ambasadori britanik.

🔗 Shpërndaje
13:42

Largohet flamuri i Serbisë nga një qendër votimi në Pejë

Në fshatin Gorazhdec të Komunës së Pejës është vërejtur flamuri i Serbisë në Qendrën e Votimit, e cila është larguar menjëherë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Zëdhënësi i Policisë nga rajoni i Pejës, Fadil Gashi tha se pasi që është njoftuar Policia e Kosovës, ka raportuar KQZ-në dhe flamuri është larguar nga komisioneri i Qendrës së Votimit.

Ai tha se pas largimit të flamurit nuk ka pasur ndonjë incident dhe deri më tani situata është e qetë.

“Policia është njoftuar, e ka raportuar, ka vërejtur vetëm flamuri i Serbisë. Policia është për siguri nuk është me heq flamuj, KQZ e ka hequr. E ka vërejtur që veç flamuri i Serbisë është në vendvotimin e Gorazhdecit. Menjëherë kemi raportuar në KQZ dhe e ka larguar komisioneri. Qetë është gjithçka”, tha Gashi.

 

🔗 Shpërndaje
13:20

Djali i Hashim Thaçit: Presim një ndryshim që duhet të ndodh

Pasardhësit e dy prej ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë, Endrit Thaçi dhe Klestor Veseli sot kanë shfrytëzuar të drejtën e votës.

Që të dy votuan paraditen e së dielës në qendrën e votimit, saktësisht në shkollën “Faik Konica”, në Prishtinë.

Klestor Veseli, i shoqëruar nga nëna dhe vëllau, nuk pranoi të prononcohet për media. I shoqëruar nga nëna e tij ishte edhe Endriti, djali i Hashim Thaçit.

Ai për KosovaPress, tha se presin një ndryshim që duhet të ndodh.

“Presim një ndryshim i cili duhet të ndodh”, tha Thaçi. Sot në vend po mbahen zgjedhjet e parakohshme, ku qytetarët votojnë për të zgjedhur legjislaturën e re.

Ndërkohë, kujtojmë që gjykimi në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së është ende duke vazhduar.

 

🔗 Shpërndaje
13:01

Dardan Molliqaj voton në Prishtinë, fton qytetarët të dalin masivisht në votime

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka votuar këtë të dielë në zgjedhjet parlamentare dhe ka bërë thirrje për pjesëmarrje sa më të lartë të qytetarëve në procesin zgjedhor.

Pasi ushtroi të drejtën e votës në shkollën “Iliria” në Prishtinë, Molliqaj deklaroi se sipas tij, të dhënat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve tregojnë një pjesëmarrje të kënaqshme të qytetarëve deri në mesditë.

“Ajo çka po shohim sot në mesditë, fluksi i qytetarëve që po votojnë dhe nga statistikat e KQZ-së, aty-aty jemi dhe ka pjesëmarrje të kënaqshme të qytetarëve të Kosovës. Unë besoj se është jetike që pas debateve dhe fushatës që ka ndodhur, sa më shumë njerëz të shkojnë në kutitë e votimit. Sa më i madh numri i qytetarëve në kutitë e votimit, aq më e madhe është garanci për demokraci. Ne besojmë që demokracia është çelësi i organizimit shoqëror dhe politik në secilin vend, e në veçanti te ne. Ftesa jonë është e qartë që secili që ka mundësi dhe vullnet të dalë të votojë, pasi kjo është garanci për një mundësi të mirë dhe zgjedhje të mira”, përfundoi ai.

Molliqaj theksoi se pjesëmarrja e lartë në zgjedhje është e rëndësishme për forcimin e demokracisë dhe legjitimitetin e institucioneve që do të dalin nga ky proces.

🔗 Shpërndaje
12:09

Haxhiu: Qytetarët të votojnë

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka votuar sot në shkollën “Meto Bajraktari”, në Prishtinë.

Me këtë rast, Presidentja Haxhiu ka ftuar të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që sot, ditë e diel, 7 qershor, të dalin dhe ta ushtrojnë të drejtën e tyre të votës.

“Sa më e lartë pjesëmarrja në këto zgjedhje, aq më e fortë është demokracia jonë”, ka thënë Presidentja Haxhiu.

Ajo ftoi të gjitha palët dhe të gjithë qytetarët që kjo ditë zgjedhjesh të kalojë me maturi, respekt të ndërsjellë dhe dashuri për vendin.

“Unë sapo ushtrova të drejtën time të votës. Me këtë rast, nga këtu i ftoj të gjithë qytetarët e Kosovës që sot të dalin dhe ta ushtrojnë të drejtën e tyre të votës. Sa më e lartë pjesëmarrja në këto zgjedhje, aq më e fortë është demokracia jonë. I ftoj të gjithë palët, të gjithë qytetarët që në këtë ditë të bukur me diell të dëshmojmë maturi, respekt për njëri-tjetrin dhe dashuri për vendin”, tha Haxhiu.

Në fund, Haxhiu falënderoi qytetarët, mediat dhe të gjithë ata që gjatë ditës janë të angazhuar në procesin zgjedhor, duke uruar që dita të kalojë sa më lehtë dhe sa më mbarë.

 

🔗 Shpërndaje
12:00

Bedri Hamza: Sot vendosim për katër vitet e ardhshme

Kandidati për kryeministër nga Partia Demokratike e Kosovës, Bedri Hamza, ka ushtruar të drejtën e votës këtë të diel, së bashku me familjen e tij, në kuadër të zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Pas votimit, Hamza u bëri thirrje qytetarëve që të dalin në votime dhe të shprehin vullnetin e tyre në mënyrë të lirë dhe demokratike.

“Bashkë me familjen time sapo e shfrytëzuam të drejtën tonë për të votuar. I ftoj të gjithë qytetarët që ta shfrytëzojnë këtë të drejtë, të dalin të votojnë sipas bindjeve të tyre politike, në mënyrë të lirë, të qetë dhe demokratike. Është një ditë e bukur dhe ne sot vendosim për të ardhmen e katër viteve të ardhshme”, deklaroi Hamza.

Ai votoi në shkollën “Andon Zako Çajupi” në Mitrovicë.

Sipas të dhënave të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, deri në orën 10:19, pjesëmarrja në votime në Mitrovicën e Jugut kishte arritur në 3.49%, ose 2,805 qytetarë nga 80,271 votues me të drejtë vote.

 

🔗 Shpërndaje
11:38

Lumir Abdixhiku voton në Prishtinë: Zgjedhjet janë festë e demokracisë

Kandidati për kryeministër nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka votuar këtë të diel në zgjedhjet parlamentare, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, në shkollën “Faik Konica” në Prishtinë.

Pas votimit, Abdixhiku u bëri thirrje qytetarëve që të dalin masivisht në zgjedhje dhe të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës.

Ai theksoi se zgjedhjet janë një moment i rëndësishëm për demokracinë dhe të ardhmen e vendit, duke i cilësuar si “festë të demokracisë dhe shprehjes së lirë të vullnetit të qytetarëve të Kosovës”.

“Zgjedhjet janë festë për popullin tonë. Janë festë e demokracisë, shprehjes së lirë të vullnetit të popullit të Kosovës. Siç kemi dëshmuar tash e sa kohë dhe tash shpesh kohët e fundit, Kosova organizon zgjedhje të mira, të mbara dhe demokratike. Sot presim këtë ditë të mirë të kemi zgjedhje të mira dhe demokratike”, deklaroi ai.

Ai shtoi se brenda ditës së votimit vendoset fati i qeverisjes për katër vitet e ardhshme.

“Sot është një ditë ku brenda 12 orëve vendoset fati i republikës për katër vitet e ardhshme. Në këtë drejtim pres pjesëmarrje masive të qytetarëve të Kosovës”, u shpreh Abdixhiku.

 

🔗 Shpërndaje
10:04

Albin Kurti, thirrje qytetarëve: Shfrytëzoni të drejtën tuaj demokratike

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka ushtruar të drejtën e tij të votës në kuadër të procesit zgjedhor, duke votuar në Fakultetin Juridik në Prishtinë.

Kurti iu drejtua qendrës së votimit gjatë paradites, ku kreu procedurat e nevojshme dhe hodhi votën e tij në kutinë e votimit.

Ai u bëri thirrje qytetarëve që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre demokratike dhe të marrin pjesë në procesin zgjedhor.

Procesi i votimit po zhvillohet në qendrat e votimit në të gjithë vendin, ndërsa institucionet përgjegjëse kanë bërë të ditur se deri më tani nuk janë raportuar pengesa serioze në mbarëvajtjen e tij.

 

🔗 Shpërndaje
10:00

Osmani: E bindur se me votën e sotme të qytetarëve do të dalim nga kriza

Vjosa Osmani, kandidate për presidente nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), sapo ka hedhur votën e saj.

Osmani para mediave ka thënë se ka optimizëm që zgjedhjet e sotme do ta shtrojnë rrugën drejt formimit të institucioneve dhe daljes së vendit nga kriza.

“Jam e bindur që me votën e qytetarëve sot do të mundësohet rruga drejt formimit të institucioneve dhe daljes nga kriza. Kam optimizëm të madh që sot vota e qytetarëve do ta nxjerrë vendin nga kriza”, tha Osmani.

 

🔗 Shpërndaje
09:00

Nusja shkon me vello për të votuar

Këtë të dielën po mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë, ku qytetarët po ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në të gjithë vendin.

Në qendrën e votimit “Sveti Sava” në Mitrovicën e Veriut është raportuar një rast i veçantë gjatë procesit zgjedhor, ku një votuese me origjinë serbe ka ushtruar të drejtën e saj të votës e veshur me vello.

Ngjarja është vënë re gjatë votimit në këtë qendër, ndërsa procesi zgjedhor po zhvillohet normalisht.

Ndërkohë, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të drejtën e votës e kanë 2.092.174 qytetarë. Votimi organizohet në 949 qendra votimi me 2.550 vendvotime në të gjithë Kosovën. KQZ ka bërë të ditur se këto janë zgjedhjet e 11-ta në nivel nacional që nga përfundimi i luftës.

Në garë marrin pjesë 22 parti politike dhe tre koalicione parazgjedhore. Vetëvendosje garon në koalicion me Guxo, Alternativën dhe Partinë Shqiptare Demokristiane, ndërsa PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja konkurrojnë të vetme. Pjesë e kësaj gare është edhe ish-presidentja e vendit, Vjosa Osmani, e cila i prin listës për deputetë të LDK-së, partisë ku ishte pjesë përpara mandatit presidencial.

E vetme garon edhe Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës, e cila mbështetet nga Beogradi zyrtar.

Një ditë më parë ka votuar diaspora në përfaqësitë diplomatike të Kosovës. Sipas të dhënave zyrtare, nga 27.724 votues të regjistruar jashtë vendit kanë votuar 22.414 qytetarë, ose 80.85% e tyre. Procesi është zhvilluar në 30 përfaqësi diplomatike, përfshirë ambasada dhe konsullata në Evropë, SHBA dhe Kanada.

 

🔗 Shpërndaje
07:05

Kreu i KQZ-së hedh votën i pari

Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, ka qenë i pari që ka hedhur votën në kutitë e zgjedhjeve ditën e sotme.

Ai votoi në shkollën fillore “Lidhja e Prizrenit” në Pejë dhe pas votimit ai u bëri thirrje qytetarëve të Kosovës që të dalin dhe të shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të votuar.

“Sot fillon dita e zgjedhjeve dhe për këtë ditë KQZ ka qenë e angazhuar që nga shpallja e saj për përgatitjet. Të gjitha përgatitjet deri më sot pothuajse kanë përfunduar, tash fillon procesi zgjedhor dhe më pas fillon numërimi në të gjitha qendrat komunale të numërimit. I bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës që të dalin dhe të shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të votuar, me zgjedhjen e tyre do të zgjedhin përfaqësuesit për Kuvendin e Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Radoniqi.

 

🔗 Shpërndaje
06:45

Detajet e zgjedhjeve në Kosovë

Këtë të dielë, rreth 2 milionë qytetarë me të drejtë vote, janë ftuar të votojnë prapë për të zgjedhur legjislaturën e 11-të të Kosovës.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, KQZ, ka bërë të ditur se numri i shtetasve të Kosovës me të drejtë vote është 2,092,174 votues.

Kjo listë sipas KQZ-së, përmban 15,884 votues më shumë se në zgjedhjet e parakohshme për Kuvend të cilat u mbajtën më 28 dhjetor 2025.

“Sipas të dhënave nga Lista Votuese, numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime, në Republikën e Kosovës është 1,959,962 votues, ndërkaq numri i qytetarëve që janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës është 132,212 votues, prej të cilëve, 100,970 janë regjistruar për të dërguar fletëvotimin në kutinë postare jashtë Kosovës, 3,518 për të dërguar fletëvotimin në kutinë postare në Kosovë dhe 27,724 për të votuar fizikisht në përfaqësi diplomatike”, tha KQZ.

Numri i votuesve të rinj që do të votojnë për herë të parë në zgjedhjet e parakohshme më 7 qershor, është: 22,685 votues, prej të cilëve:

16,934 votues konsiderohen të rinj që, pas zgjedhjeve për Kuvend (28.12.2025), kanë arritur moshën 18 vjeç dhe do të votojnë për herë të parë në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, që do të mbahen më 7 qershor. Prej tyre 8,752 (51.68 %) janë meshkuj, ndërsa 8,182 (48.31 %) janë femra; dhe5,751 votues konsiderohen të regjistruar për herë të parë në Regjistrin Qendror Civil midis dy palë zgjedhjesh, ose votues që kanë rikthyer shtetësinë e Kosovës.

Sipas të dhënave nga ky raport, numri i përgjithshëm i votuesve që janë larguar nga LPV pas zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës (28.12.2025) është 6,801. Ky numër përfshin:

6,165 votues të larguar si persona të vdekur, të evidentuar nga Agjencia e Regjistrit Civil (ARC);419 votues të larguar për shkak të humbjes së shtetësisë së Republikës së Kosovës, të evidentuar nga ARC; dhe217 votues të larguar nga lista votuese pas pranimit të dhënave nga KGjK.

Procesi zgjedhor brenda vendit do të zhvillohet në 949 Qendra të Votimit, me gjithsej 2,550 vendvotime, prej të cilave 911 qendra me 2,498 vendvotime për votimin e rregullt dhe 38 qendra, nga një për çdo komunë, me 52 vendvotime për të mundësuar votimin me kusht.

“Ndërkaq, procesi zgjedhor jashtë vendit, përveç votimit me postë, do të organizohet në 30 përfaqësi diplomatike, prej të cilave 17 ambasada dhe 13 konsullata, me gjithsej 47 vendvotime. Votimi fizik në këto përfaqësi do të zhvillohet më 6 qershor 2026”, thotë KQZ.

 

🔗 Shpërndaje
Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Ankesa të reja në Gjykatën Supreme kundër rezultatit të zgjedhjeve në Kosovë

Të tjera ankesa janë dërguar pak para afatit të fundit kundër vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve në...
15:29 | 03/07/2026

Shtyhet certifikimi i zgjedhjeve në Kosovë, ankesat e kandidatëve të PDK-së bllokojnë procesin

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të duhet të presë edhe më gjatë për certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve të 9 shkurtit në Kosovë. Vetëm një...
17:21 | 29/06/2026

KQZ certifikoi rezultatin e zgjedhjeve në Kosovë, ja sa ulëse fituan LVV, PDK, LDK dhe AAK në Kuvend

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në mbledhjene sotme ka shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të mbajtura më 7 qershor, ku partia e parë ka dal...
13:36 | 27/06/2026