Mes fishkëllimave| Konstituohet Kuvendi i Serbisë, opozita betohet në korridor

6 Shkurt 2024 | 12:33

Seanca konstituive e Kuvendit të Serbisë, ku u konfirmuan mandatet e deputetëve të përbërjes së re, kaloi me fishkëllima nga opozita.

Deputetët e opozitës ishin vendosur para foltores me pankarta ku shkruhej “I keni vjedhur zgjedhjet” dhe “Hajdutë kthejini mandatet”.

Lista e opozitës, Serbia kundër dhunës, pretendon se zgjedhjet e dhjetorit ishin të parregullta, gjë që pushteti e refuzon.

Për shkak të akuzave për vjedhje zgjedhore, deputetët e koalicionit Serbia kundër dhunës e kanë bërë betimin në korridorin e Kuvendit dhe jo në sallë, shkruan REL.

Siç thanë ata, nuk kanë dashur ta bëjnë betimin me njerëz që kanë fituar mandate duke “vjedhur në zgjedhje”.

Para tyre, këtë e kanë bërë deputetët e koalicionit të djathtë Shpresa, i cili përbëhet nga Partia e Re Demokratike e Serbisë dhe Lëvizja për Rimëkëmbjen e Mbretërisë së Serbisë.

Seanca konstituive e Kuvendit të Serbisë ka zgjatur rreth gjysmë ore. Gjatë asaj kohe vetëm janë konfirmuar mandatet, ndërsa deputetët kanë bërë betimin. Kryesuesi tha se do të njoftohen për vazhdimin e seancës.

Deputeti i koalicionit Serbia kundër dhunës, Radomir Lazoviq, ka vlerësuar se ndërprerja e seancës konstituive është “fitore” e opozitës.

Deputetja e kësaj liste, Marinika Tepiç, deklaroi në korridorin e Kuvendit se policia në sallë i ka ndarë deputetët e opozitës nga deputetët e shumicës qeverisëse.

Në vazhdim të seancës së parë, e cila nuk duhet të jetë në të njëjtën ditë, deputetët duhet të zgjedhin kryetarin dhe nënkryetarët e Kuvendit, të emërojnë sekretarin e përgjithshëm, të zgjedhin anëtarët e trupave punues, si dhe anëtarët e përhershëm të delegacioneve parlamentare në institucionet ndërkombëtare.

Anëtari i Partisë Progresive Serbe (SNS) në pushtet, Millosh Vuçeviç, tha në sallën e Kuvendit se të gjithë mund të shohin “fytyrën e vërtetë” të të gjithë deputetëve.

Vuçeviç, i cili është edhe lider i progresistëve, tha se institucionet do të punojnë.

Kush mori mandate?

Në zgjedhjet e jashtëzakonshme të dhjetorit, mandatet i fituan 10 lista zgjedhore, pesë prej të cilave janë pakicë.

Partia Progresive Serbe (SNS) me partnerët e saj të koalicionit do ta ketë shumicën në Kuvend.

Lista e saj zgjedhore, Aleksandar Vuçiç – Serbia nuk duhet të ndalet, fitoi 129 nga gjithsej 250 mandate deputetësh. Për të pasur shumicën parlamentare kërkohen 126 mandate.

I dyti për nga numri i ulëseve në Kuvend është koalicioni opozitar Serbia kundër dhunës, me 65 mandate.

Më pas është lista zgjedhore Ivica Daçiç – kryeministër i Serbisë, me 18 mandate dhe koalicioni i djathtë Shpresa për Serbinë, dhe lista e djathtë dhe pro-ruse Ne – Zëri i Popullit, do të ketë 13 deputetë secili.

Nga partitë e pakicës, Partia e Hungarezëve të Vojvodinës fitoi gjashtë mandate.

Listat zgjedhore të Usama Zukorliçit dhe Partisë së Veprimit Demokratik do të kenë nga dy mandate, ndërsa Lufta Politike e Shqiptarëve vazhdon, dhe Partia Ruse, nga një mandat.

Disa të rinj u mblodhën para Kuvendit për të përshëndetur deputetët dhe për të treguar mendimin e tyre për “parregullsitë zgjedhore”.

Ata mbanin maska lepuri dhe lakër për simpatizantët, duke thënë se lista e votuesve është si lakra.

Seanca konstituive e Kuvendit të Serbisë është mbajtur dy ditë para votimit të paraparë të rezolutës në Parlamentin Evropian për zgjedhjet në Serbi. Parlamenti Evropian, i cili kishte një mision vëzhgues në zgjedhjet në Serbi, diskutoi për këto zgjedhje më 17 janar.

Koalicioni opozitar Serbia kundër dhunës, kishte kërkuar që seanca konstituive e Kuvendit të Serbisë të mbahet pas datës 8 shkurt, kur deputetët e Parlamentit Evropian do të shpallin zgjedhjet e dhjetorit në Serbi.

Raportet e organizatave monitoruese vendore dhe ndërkombëtare, përfshirë misionin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), tregonin se kishte parregullsi zgjedhore në zgjedhjet e 17 dhjetorit në Serbi. SNS-ja në pushtet dhe udhëheqja shtetërore i kanë hedhur poshtë këto akuza.

Më 18 dhjetor, Zyra e OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) njoftoi se zgjedhjet u përcollën me parregullsi, keqpërdorim të fondeve publike, dominim mediatik nga presidenti i shtetit Aleksandar Vuçiq, fushata negative dhe përhapje frike.

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Protestat në Tiranë, Gjyli: Mendimi ndryshe po përballet me linçim në rrjete sociale

Duke komentuar protestat në Tiranë, analistja dhe pedagogia Arsejda Gjyli tha në emisionin “Now me Erla Mëhillin” se figurat që dalin në krye të protestës...
22:35 | 24/06/2026

Analisti Lita: Protestat në Tiranë do të vazhdojnë deri në mbylljen e tranzicionit

I ftuar në emisionin “Now me Erla Mëhillin”, analisti Lavdrim Lita komentoi protestat në Tiranë, duke u ndalur te zhvillimet dhe perspektiva e tyre në...
22:24 | 24/06/2026

E rëndë në Kavajë, u godit me thikë nga vëllai, humb jetën një person

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e kësaj të mërkure në Kavajë, ku një 74-vjeçar ka humbur jetën pasi dyshohet se është goditur me...
21:37 | 24/06/2026