Ambasadorja e SHBA në NATO përmend përpjekjet e Rusisë për destabilizim të Ballkanit

2 Prill 2024 | 18:48

Ambasadorja amerikane në selinë e NATO-s në Bruksel, Julianne Smith, ka thënë të martën se Rusia është duke tentuar të destabilizojë rajonin e Ballkanit Perëndimor me metoda klasike, por NATO-ja është duke i monitoruar me kujdes këto veprime dhe po punon me partnerët për të ruajtur stabilitetin e rajonit.

Ajo i ka bërë të ditura këto qëndrime gjatë një deklarimi para gazetarëve, në prag të takimit të ministrave të Jashtëm të NATO-s , që zhvillohet të mërkurën dhe të enjten në Bruksel.

“NATO-ja ka pasur prani të kamotshme në Ballkanin Perëndimor. Që nga vitet 1990, aleatët e NATO-s kanë bërë gjithçka që kanë mundur për ta mbajtur stabil këtë rajon. Kemi praninë tonë ushtarake në rajon akoma dhe aleatët e NATO-s patën një vizitë të përbashkët në Bosnje-Hercegovinë, ku është një mision i NATO-s, krahas atij të KFOR-it në Kosovë“, ka thënë Smith, kur është pyetur nëse NATO-ja është në dijeni për ndonjë veprim të Rusisë, që ka për synim destabilizimin e rajonit të Ballkanit Perëndimor.

“Kur është fjala për aktivitetet e Rusisë, ne kemi parë tash e disa vjet përpjekje klasike të saj për të destabilizuar rajonin përmes sulmeve hibride. Rusia përdor një listë klasike të mjeteve, ku fokusi kryesor është fushata e dezinformimit që ka për qëllim nxitjen e ndarjeve dhe destabilizimin. Ndarjeve mes aleatëve, ndarjeve mes SHBA-së dhe partnerëve në rajon dhe mes aleatëve evropianë. Ne me kujdes monitorojmë situatën dhe punojmë me një numër të vendeve anëtare të NATO-s në rajon, e disa veçse janë vende anëtare. Punojmë edhe me vendin aspirant Bosnje-Hercegovinën dhe u ndihmojmë të modernizojnë ushtrinë. Punojmë edhe me partnerët në rajon. Kemi për shembull partneritet me Serbinë“, ka thënë Smith, duke nënvizuar se përmes këtyre kanaleve NATO-ja punon dhe mban fokusin mbi rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Kjo lidhet edhe me monitorimin tonë të veprimeve të Rusisë, në përgjithësi, në Evropë dhe në fqinjësi. Pra, nuk mund të thuhet se nuk kemi fokus, sepse me kujdes vëzhgojmë se çfarë po bën Rusia në atë rajon”, ka thënë ajo.

Në takimin e Ministrave të jashtëm të NATO-s do të mirëpritet për herë të parë si pjesëmarrës edhe ministri i Suedisë, si vendi i 32-të anëtar i NATO-s.

Në këtë takim do të shënohet edhe 75-vjetori i themelimit të NATO-s.

Pos agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës – të nisur në shkurt të vitit 2022 – ministrat do të diskutojnë edhe për bashkëpunimin me partnerët jashtë hapësirës euro-atlantike, me të cilat ndajnë vlerat e përbashkëta, sikurse Australia, Zelanda e re, Japonia dhe Koreja e Jugut.

Në takim pritet të diskutohet edhe për përgatitjen e samitit të NATO-s, i cili në muajin korrik pritet të mbahet në Uashington.

LEXONI GJITHASHTU: 

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Vrasja e policit në Korçë, kush është autori dhe si hapi zjarr ndaj efektivëve pasi i pikasi

Një person në kërkim prej disa vitesh dyshohet se ka vrarë një efektiv policie dhe ka plagosur një tjetër gjatë një operacioni policor në fshatin...
08:35 | 04/06/2026

Rama publikon pamje me mbeturina nga Zvërneci: Kjo është parajsa që duan të mbetet e paprekur

Kryeministri Edi Rama ka publikuar këtë mëngjes një video që, sipas tij, është filmuar në Zvërnec dhe tregon një sipërfaqe të madhe të ndotur me...
07:56 | 04/06/2026

Humbje diplomatike për Gjermaninë në OKB, Berlini ngre dyshime për ndikimin rus

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Johann Wadephul, ka deklaruar se mbështetja e fortë e Berlinit për Ukrainën dhe Izraelin mund t’i ketë kushtuar vendit vota...
07:40 | 04/06/2026