KED nis mbledhjen e radhës me shkelje flagrante të Kushtetutës

1 Nëntor 2024 | 13:04

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi po shkel në mënyrë të hapur Kushtetutën, pasi, në kundërshtim flagrant me kompetencat e tij ligjore, ka vendosur të diskutojë mbi një vendimmarrje të Parlamentit për shpalljen e procedurave për vakancën e krijuar në Gjykatën Kushtetuese, pas dorëheqjes së gjyqtares Elsa Toska.

Në mbledhjen e parashikuar për ditën e sotme, në orën 14.00, Këshilli ka vendosur në rend dite “Diskutim lidhur me njoftimin e Kuvendit që ka të bëjë me përcaktimin kohëzgjatjes së mandatit të vakancës së krijuar në Gjykatën Kushtetuese”.

Në 30 Shtator 2024, Kuvendi shpalli thirrjen për aplikim për plotësimin e vakancës së plotë, të krijuar pas dorëheqjes së gjyqtares Elsa Toska. Në njoftimin e Kuvendit thuhej se mandati i Toskës duhej të përfundonte në nëntor të vitit 2028.

Por, ky përcaktim afati kohor ka krijuar premisat për diskutimin e rastit në Këshillin e Emërimeve në Drejtësi. Ky vendim i KED-it përbën shkelje flagrante të Kushtetutës dhe një uzurpim që KED-i po i merr kompetencave të Parlamentit.

Ligji Themeltar i Shtetit parashikon që procedurat për thirrjen për aplikimet për kandidatë për në Gjykatën Kushtetues u takojnë tre institucioneve të tjera-Presidentit të Republikës, Parlamentit dhe Gjykatës Kushtetuese.

Ndërkohë që Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka detyrë që “të vlerësojë cilësinë profesionale dhe morale të kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese…dhe t’i rendisë ata sipas meritës”. Ky detyrim është i parashikuar në nenin 149/d të Kushtetutës.

Më tej, ligji “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, në nenet 228 e vijues, parashikon procedurat e detajuara mbi veprimtarinë e KED-it, që nga marrja e listës së kandidatëve për në Gjykatë Kushtetuese nga tre institucionet e emërtesës, shorti për relatorin, detyrat e relatorit për verifikimin e pasurisë, integritetit personal dhe aftësive profesionale e deri tek vendimi për lejimin ose ndalimin e kandidimit të aplikantëve për të vijuar më tej procedurat garuese.

Në asnjë nen të Kushtetutës apo të kuadrit ligjor përkatës nuk është parashikuar që Këshilli i Emërimeve në Drejtësi të ketë të drejtën të diskutojë vendimmarrjen e institucioneve të emërtesës (President, Parlament dhe Gjykatë e Lartë) për listën e kandidatëve që i dorëzohen.

Gjithashtu, KED-i nuk ka asnjë lloj tagri kushtetues dhe ligjor që të shpreh qëndrime apo opinione për procedurat e ndjekura nga institucionet e tjera.

Reforma në Drejtësi, të paktën në këtë pikë, është munduar që të ndajë dhe balancojë në mënyrë të saktë dhe të plotë kompetencat e institucioneve të përfshira në përzgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Presidenti, Parlamenti dhe Gjykata e Lartë kanë të drejtën, por edhe detyrimin ligjor, që të shpallin vakancat dhe thirrjet për aplikim, bazuar në procedurat që atyre u njeh Kushtetuta dhe ligji.

Ndërsa KED-i ka detyrimin që të verifikojë cilësitë personale e profesionale të kandidaturave dhe të kryejë vlerësimin e tyre.

Por, në mbledhjen e kësaj dite të Premte, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi i ka njohur dhe dhënë vetes të drejta dhe përgjegjësi që as nuk i ka dhe as nuk i takojnë.

Kjo situatë rikthen në vëmendje një përplasje të fortë të disa viteve më parë, kur KED-i, në atë kohë i drejtuar nga Ardian Dvorani, tentoi të uzurponte kompetencat e Presidentit të Republikës për vakancat në Gjykatë Kushtetuese.

Në atë rast, rasti u paraqit para Komisionit të Venecias, i cili konstatoi shkeljet e rënda të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi dhe përcaktoi qartë se KED-i nuk mund të cënojë në asnjë mënyrë apo formë kompetencat e institucioneve të tjera të emërtesës.

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

“Jam i lodhur nga telenovela Veliaj”, Hasimja: Sa më e gjatë bëhet, aq më shumë lodhen njerëzit

Politologu Ermal Hasimja komentoi në emisionin Now në Euronews Albania vendimin e Gjykatës së Lartë që hodhi poshtë rekursin e kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj...
21:37 | 28/05/2026

Para, dashuri dhe krim, djali i themeluesit të ‘Mangos’ arrestohet për vrasjen e babait të tij

Autoritetet spanjolle kanë arrestuar djalin e themeluesit të dyqanit të modës Mango për vrasjen e dyshuar të babait të tij miliarder, i cili vdiq në dhjetor...
10:48 | 19/05/2026

Gazetari Vojka nga SHBA-ja: Irani ka ndaluar negociatorët iranianë që të bëjnë negociata

Gazetari, Dorand Vojka në një lidhje live nga SHBA-ja për emisionin “Balkan Talks” me Franko Egro në Euronews Albania ka folur lidhur me luftën në...
21:32 | 24/04/2026