Kryetari i Partisë Socialiste, njëkohësisht Kryeministri Edi Rama, në një takim me asamblenë socialiste të Kamzës dhe njësive 7 dhe 10 argumentoi pse vota e 11 majit është e rëndësishme për të futur Shqipërinë në Bashkimin Evropian brenda vitit 2030.
Rama u ndal sërish te reforma në drejtësi dhe tha se PS-ja ia ka dorëzuar shpatën drejtësisë dhe është në duar të saj për të bërë prerjet. Ai tha se pavarësisht se reforma në drejtësi po prek dhe nga socialistët, përsëri duhet të jenë krenarë për këtë gjë.
“Duhet të jemi krenarë për luftën ndaj korrupsionit dhe zhvillimet e fundit. Jo sepse dikush ose disa nga njerëzit që kanë qenë në të njëjtën barrikadë me ne dalin me hije në radiografi, por sepse ne kemi mësuar të jemi të fortë dhe të vendosur për të ndërtuar një shtet të denjë dhe të barabartë për Bashkimin Evropian. Këto ngjarje dhe kjo histori nuk do të kishin dalë në aktualitet në Shqipëri, po të mos ishin bërë nga ne”, tha Rama.
Ai shtoi se dorëzimi i shpatës ishte një hap vendimtar për të çuar drejtësinë përpara.
“Kjo shpatë ka qenë në duar të pushtetarëve, por ne ia kemi dorëzuar zonjës së drejtësisë. Kjo zonjë ka qenë, hajde ta marrim në telefon se kemi një vaki, ta marrim në telefon se na kanë ndaluar njërin, etj., etj. Shpatën e ka pasur pushteti politik. Ne këtë shpatë, me reformën në drejtësi, ja dorëzuam zonjës. Patjetër, kur ke dorëzuar shpatën, ti në fakt nuk ke dorëzuar thjesht një shpatë. Nuk mund të thuash “merr këtë shpatë dhe përdore siç të them unë” sepse nuk funksionon kështu. Vetëm injorantët e kenetës e mendojnë kështu. Në momentin që e ke dorëzuar, nuk ndodh që ta përdorë ashtu siç do ti. Po duke i dhënë shpatën, i ke hapur sytë që të shohë dhe qafën tënde dhe mundësinë për ta përdorur, jo për ta mbajtur në dollap”, tha Rama.
Rama theksoi se, megjithë sfidat e mundshme, Shqipëria po kalon një periudhë të rëndësishme reformash ndërsa u shpreh se drejtësia e re ende nuk është marrë me çështjen e vrasjes së protestuesve në bulevard.
“Sigurisht, në Shqipëri ka tumore që duhen pastruar me këtë shpatë. Ka dhe aksidente në këtë proces, si historia e mjekëve që harruan diçka në trupin e të operuarit. Sigurisht që ka incidente që janë gabim, dhe ne kemi mbyllur gojën për 5 vjet me radhë, jo vetëm unë, por të gjithë, me vetëdijen se po bëjmë gjënë e duhur. Por me kë do të merret drejtësia, me të vdekurit? Apo me kënetën? Me kënetën, aq sa ka. Dhe me kënetën nuk është marrë me gjënë e madhe, që e dini shumë mirë kush është. Nëse ka një gjë për t’u marrë me kënetën, është gjaku që është derdhur aty nga vrasja e njerëzve të pafajshëm. Sa i takon korrupsionit dhe problematikave të tjera, ato janë çështje që kanë të bëjnë me administrimin e pushtetit”, tha Rama.
Kryeministri Rama gjithashtu përmendi arritjet e tjera të qeverisë, duke përmendur ndërtimin e 53 spitaleve të reja dhe përmirësimin e situatës energjitike në vend, duke ulur çmimin dhe duke eliminuar varfërinë energjitike. “10 vjet më parë, do të ishim duke mbajtur këtë mbledhje me gjeneratorë, pasi të gjitha rrugët e vendit lëviznin me gjeneratorë. Sot, situata është përmirësuar ndjeshëm”, tha ai.
Përfundimisht, Rama e mbylli fjalën e tij duke theksuar rëndësinë e mbështetjes nga qytetarët dhe rëndësinë e votës së 11 majit për të çuar Shqipërinë përpara dhe për të realizuar aspiratën e saj evropiane.
LEXONI GJITHASHTU: