Ish-deputeti i Kosovës ndalohet nga autoritetet serbe në Merdarë

26 Maj 2025 | 15:34

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës ka thënë se ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Gramos Agusholli, është ndaluar nga autoritetet serbe në pikën kufitare në Merdarë, mëngjesin e së hënës, më 26 maj 2025.

Sipas njoftimit të MPJD-së, Agusholli – i cili nuk arriti të zgjedhet sërish si deputet në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, kur garoi sërish në listën e Lëvizjes Vetëvendosje – ishte në tranzit drejt Sllovenisë kur u ndalua nga autoritetet serbe.

Rasti është bërë i ditur përmes Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Serbi, e cila ka informuar misionet diplomatike të shteteve të KUINT-it dhe Zyrën e Bashkimit Evropian në Beograd.

“MPJD-ja ka ndërmarrë hapat e nevojshëm për të siguruar informacione të plota dhe zyrtare në lidhje me rastin,” thuhet në reagimin e Ministrisë, ku gjithashtu dënohet “fuqishëm ky veprim arbitrar i autoriteteve serbe”.

Ministria i ka bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të reagojë urgjentisht dhe të kërkojë lirimin e menjëhershëm të Agushollit, duke e cilësuar ndalimin si një praktikë represive që bie ndesh me të drejtën ndërkombëtare dhe me konventat për të drejtat e njeriut.

Ky njoftim vjen dy ditë pasi autoritetet serbe lëshuan fletarrestim për një pjesëtar të Policisë së Kosovës, në lidhje me një incident me maturantë një ditë më parë në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe.

Serbia nuk ka juridiksion në Kosovë, pasi Kosova shpalli pavarësinë e saj më 2008 dhe njihet nga mbi 100 vende të botës.

Incidenti në Mitrovicën e Veriut më 23 maj shkaktoi reagime të shumta kryesisht për shkak të mënyrës se si i ishte përgjigjur atij një pjesëtar i Policisë së Kosovës që ndodhej në afërsi.

Polici është kritikuar se veproi në mënyrë “selektive” dhe përdori “forcë të tepruar” kur e ndali një maturant serb të Kosovës gjatë një feste të maturantëve në Mitrovicën e Veriut për shkak se, siç thuhet, ai i kishte provokuar njerëzit në një kafene aty pranë.

Në pamjet që qarkullojnë në rrjetet sociale, shihet një maturant gjatë paradës duke treguar gishtin e mesëm në drejtim të një kafeneje, ndërsa nga aty një klient, siç thuhet, po bënte me duar simbolin e shqiponjës dykrenore – e cila është simbol në flamurit kombëtar shqiptar.

 

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Vrasja e policit në Korçë, kush është autori dhe si hapi zjarr ndaj efektivëve pasi i pikasi

Një person në kërkim prej disa vitesh dyshohet se ka vrarë një efektiv policie dhe ka plagosur një tjetër gjatë një operacioni policor në fshatin...
08:35 | 04/06/2026

SHBA-të shtrëngojnë kontrollin para Kupës së Botës, mbikëqyrje e veçantë për delegacionin iranian

Ndërsa afrohet fillimi i Kupës së Botës 2026, autoritetet amerikane kanë njoftuar kontrolle të hollësishme sigurie për të gjithë anëtarët e delegacionit iranian që udhëtojnë...
09:07 | 03/06/2026

Aksident i shumëfishtë në Levan-Tepelenë, përplasen 5 automjete

Një aksident i rëndë ka ndodhur të martën në aksin Levan-Tepelenë, në afërsi të fshatit Fratar. Pesë automjete janë përplasur mes tyre, përfshirë edhe një...
14:20 | 02/06/2026