Nis zbatimi i sanksioneve të SHBA-së kundër industrisë serbe të naftës, NIS
Shtetet e Bashkuara e kanë filluar mëngjesin e së enjtes zbatimin e sanksioneve kundër Industrisë së Naftës së Serbisë, NIS, për shkak se Rusia është pronarja shumicë e kompanisë, raportoi Radio Televizioni i Serbisë.
NIS-i tha në një komunikatë lidhur me sanksionet se “prioritetet, si më parë, mbeten furnizimi i rregullt i tregut vendas me produkte nafte, si dhe ruajtja e stabilitetit social të punonjësve”.
“NIS-i ka siguruar furnizime të mjaftueshme me naftë për përpunim në këtë kohë, ndërsa pompat e karburanteve furnizohen rregullisht me të gjitha llojet e produkteve të naftës”, u njoftua.
Kjo kompani paralajmëroi se, në rast se kartelat e huaja për pagesë pushojnë së funksionuari, pagesa në pikat e karburantit do të jetë e mundur me kartela vendase, me para në dorë, si dhe me metodën “IPS show”.
Në lidhje me shitjen me shumicë, kompania deklaron se është e gatshme t’i përmbushë “të gjitha detyrimet kontraktuale ndaj partnerëve të biznesit, duke përfshirë klientët e korporatave dhe klientët e mëdhenj”.
“Kartelat e pagesës së klientëve të korporatave po funksionojnë pa probleme”, shtoi ajo.
NIS-i shtoi se, në bashkëpunim me partnerët, Qeverinë e Serbisë dhe aksionarët, po punon për ta tejkaluar këtë gjendje.
Shtetet e Bashkuara e vendosën NIS-in në listën e sanksioneve më 10 janar për shkak të pjesëmarrjes në pronësi të kompanisë ruse, Gazprom Neft, me qëllim të parandalimit të Rusisë që të përdorë të ardhurat nga sektori energjetik për luftën në Ukrainë.
Zbatimi i sanksioneve ishte shtyrë tetë herë, herën e fundit deri më 8 tetor.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha më 7 tetor se Beogradi do të diskutonte me Rusinë çështjen e sanksioneve kundër industrisë serbe të naftës.
“Nuk kemi më për çfarë të flasim me amerikanët. Shtetet e Bashkuara e kanë bërë punën e tyre dhe Evropa do të mbështesë sanksionet amerikane”, tha Vuçiç.
Në shtator, NIS paraqiti një kërkesë të ndryshuar tek autoritetet amerikane për heqjen nga lista SDN (Shtetas të Përcaktuar Specialisht), i cili, siç deklaruan ata, është një proces i gjatë dhe kompleks, dhe kërkesa fillestare u dërgua më 14 mars të këtij viti.
Ndërkohë, struktura e pronësisë së NIS ka ndryshuar disa herë, por ajo është ende në pronësi të shumicës së kompanive ruse.
Gazprom doli nga NIS-i në shtator dhe një kompani tjetër e kontrolluar nga Gazprom – Intelligence nga Shën Petersburgu – u bë një nga pronarët kryesorë.
Intelligence Joint Stock Company u bë pronare e 11.3 për qind të aksioneve të kompanisë, sipas të dhënave të publikuara në faqen e internetit të Bursës së Beogradit më 21 shtator.
Pjesën më të madhe të aksioneve në NIS e mban ende Gazprom Neft, një degë e Gazprom (44.9 për qind), ndërsa shteti i Serbisë ka 29.9 për qind të aksioneve.
Aksionet e mbetura mbahen nga aksionarë të vegjël.
Në janar, Vuçiq hodhi poshtë mundësinë e shtetëzimit të NIS-it, duke shtuar se Serbia “nuk do të marrë pjesë në sekuestrimin e pronës ruse”.
LEXONI GJITHASHTU:
Tentoi të vidhte me thyerje një market në Krujë, shoqërohet në polici 14-vjeçari
Britania dënon deklaratat e ministres serbe për Kosovën: Të neveritshme dhe pa vend në shoqërinë e sotme
Rama dhe Lamallari në Qendrën e Komandës dhe Kontrollit të “Smart City”: Detekton rreziqet në kohë reale
- 18:15 “Malvinas janë argjentinas”, Britania thirrje FIFA-s të hetojë Argjentinën për banderolën që shfaqën lojtarët
- 18:00 U vonuan për shkak të luftës me Iranin, Estonia: Armët amerikane do të mbërrijnë në muajt e ardhshëm
- 17:59 Arrestohen në flagrancë dy efektivë të Komisariatit Nr. 3 në Tiranë, dyshohen për korrupsion dhe shpërdorim detyre
- 17:45 Deklarata e ministres serbe, Rama: Nuk bëhemi kor histerik sa herë del një çyryk në Beograd e flet përçart
- 17:38 Rubio: SHBA do të përqendrojë përpjekjet e saj kundër terrorizmit të ekstremit të majtë
- 17:28 Keqpërdorimet e fondeve publike, qeveria e Hungarisë i dërgon policisë raportet dhe kontratat e dyshimta