Gështenja, 300 ton në vit prodhim por pa fitim, sfidat e fermerëve të Labinot-Mal

1 Nëntor 2025 | 19:44

Në Labinot- Mal, gështenja është burimi kryesor i të ardhurave, por fermerët e shesin vetëm 100 lekë për kilogram, ndërsa në tregjet e Tiranës e Elbasanit çmimi shkon deri në 400 lekë. Mungesa e fuqisë punëtore dhe e mbështetjes po e kthejnë këtë pasuri të zonës në një sfidë për mbijetesë.

Në Labinot- Mal, gështenja është burimi kryesor i të ardhurave për shumë familje. Por ndonëse në tregjet e Tiranës dhe Elbasanit çmimi arrin deri në 400 lekë për kilogram, këtu në zonë fermerët e shesin vetëm për rreth 100 lekë.

“Labinoti Mal njihet në të gjithë vendin si një nga prodhuesit më të mëdhenj të gështenjave, duke arritur në 300 tonë gështenja çdo vit. Megjithatë, problemet e fermerëve në këtë zonë janë të shumta, duke nisur që nga mungesa e fuqisë punëtore, çmimi i ulët apo mungesa e një pike grumbullimi”, shprehet gazetarja Edlira Xherri.

Një banor shprehet se prodhimi ka qenë i mirë por thekson se kur çmimi bie nën 100 lekë situata për ta vështirësohet.

“Prodhimi shumë i mbarë, çmimi 120-150, varet nga malli që ke. Me këtë çmim, po të ketë prodhim, ia vlen; ndërsa po bie nën 100 lekë, pastaj është e mundimshme. Ne në fakt edhe nuk i bëjmë shërbimin, se ata prodhuan shumë këtë vit dhe ngelen kokrrat e vogla.

Eh, fuqia punëtore mungon se të rinjtë kanë ikur, nuk janë më. Kurse ne do vejmë në mosha të vjetra, mundeni ti mblidhni? Me mundim, çfarë të bëjmë. Sa paguhet një punëtor këtu? Po të ketë punëtorë, 30 mijë ja jap me gjithë qejf në periudhën e kulmit të gështenjave, por nuk ka”, u shpreh banori.

Një banore shton se prodhimi nuk ka qenë i mirë për shkak të vapës pasi nuk kanë patur mundësi ti vadisin.

“Këtë vit prodhimi ka qenë shumë i dobët, nuk ka pasur shumë ujë. Sivjet ka qenë shumë vapë e tmerrshme, edhe atë që formon, e lëshon. A ia vlen mundi? Nuk ia vlen mundimi i kotë, se nuk ka vaditje që ta vadisësh që të marrësh prodhimin.

E fundit fare ka ardhur me 150-130, tani e kanë lëshuar me 100 fare. Ka dy-tre vjet që ka rënë prodhimi; pse thonë që po iki robi do iki edhe malli? Ikën robi, zoti do e largojë mallin, se e shef që s’ka kush ta mbajë”, shtoi ajo.

Megjithatë, pavarësisht sfidave, tregtarët thonë se kërkesa për gështenjën shqiptare vijon të jetë e lartë në tregjet e huaja.

“Gështenja jonë është e veçantë se nuk ka spërkatje, është bio dhe përdoret për industri të ndryshme- për çokollata, për miell, për ëmbëlsira. Vetëm unë kam arritur të ble deri në 100 tonë dhe kemi eksportuar 18 kamionë në Francë”, u shpreh grumbulluesi Behar Sula.

Fermerët shpresojnë që vitet e ardhshme t’u sigurohet më shumë mbështetje, në mënyrë që prodhimi i gështenjës të mos bjerë dhe kjo pasuri e zonës të mos mbetet vetëm një kujtim në pyjet e Labinot-Malit.

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Grabitën 15 tonë kokainë, Artan Hoxha: Karteli jep 30 milionë dollarë për t’i gjetur

Gazetari Artan Hoxha i ftuar këtë të enjte në Euronews Albania ka folur lidhur me humbjen e një ngarkese prej 15 tonësh kokainë. Hoxha gjatë...
15:23 | 04/06/2026

U plagos në Maliq, efektivi i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale

Efektivi i plagosur, Edison Adri i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale në pjesën e nofullës. Burime bëjnë me dije se operaciono ka rezultuar i suksesshëm...
15:04 | 04/06/2026

Miratohet projektligji për CENSI-n e bujqësisë, fermerët që nuk përgjigjen, do të gjobiten

Qeveria ka miratuar projektligjin “Për censin e bujqësisë”, një proces që synon të regjistrojë në mënyrë të plotë njësitë ekonomike bujqësore në të gjithë territorin...
14:46 | 04/06/2026