Ministrja e Brendshme i përgjigjet opozitës për protestën: Mos i përdorni fëmijët si mburojë

27 Janar 2026 | 13:10

Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu, ka reaguar nga Kuvendi për protestën e opozitës të zhvilluar ditën e shtunë, gjatë së cilës pati përplasje mes protestuesve dhe forcave të rendit. Reagimi i saj vjen pas akuzave të deputetëve të opozitës për përdorim dhune nga ana e policisë si dhe kritikave për shoqërimin në komisariat të një të mituri 14-vjeçar.

Koçiu theksoi se Policia e Shtetit ka vepruar në përputhje me ligjin dhe rregulloret, duke mohuar kategorikisht çdo pretendim për dhunë ndaj protestuesve. Sipas saj, gjatë protestës u lënduan 11 efektivë policie, ndërsa situata u përshkallëzua si pasojë e përdorimit të molotovëve dhe sendeve të forta ndaj forcave të rendit.

“Dua të jem e qartë kur them që policia nuk ushtroi dhunë. Policia u përball me dhunë. Efektivët u sulmuan me molotov dhe sende të forta, dhe për pasojë 11 prej tyre u lënduan dhe morën ndihmën mjekësore në spital. U bënë thirrje të vazhdueshme për qetësimin e situatës dhe vetëm më pas u ndërmorën masa për shpërndarjen e turmës, sipas rregulloreve,” deklaroi ministrja.

Ajo theksoi se sulmet ndaj institucioneve dhe policisë nuk mund të konsiderohen protestë, duke bërë thirrje për dënimin e dhunës dhe jo të forcave të rendit. “Hedhja e molotovëve dhe sulmi ndaj policisë nuk është protestë. Duhet të dënojmë dhunën, jo autorët e saj dhe të akuzohet policia,” u shpreh Koçiu.

Ministrja sqaroi edhe rastin e shoqërimit të të miturit 14-vjeçar, duke thënë se ai u konstatua duke hedhur gurë dhe sende të forta drejt policisë. Sipas saj, i mituri është trajtuar në përputhje me procedurat ligjore dhe nuk ka pasur asnjë formë trajtimi çnjerëzor.

“Gjatë veprimeve të Policisë së Shtetit, siç është bërë e ditur, për parandalimin e shkeljeve të rrezikshme, është konstatuar një i mitur duke gjuajtur me gurë në drejtim të punonjësve të policisë. Me qëllim mbrojtjen e jetës së punonjësve dhe të vetë të miturit, ai është shoqëruar për verifikime. Bëhej fjalë për një shtetas 14-vjeçar. I mituri nuk është trajtuar në mënyrë të paligjshme, nuk është mbajtur në ambiente të përbashkëta me persona të rritur apo të ndaluar, por ka qëndruar në një ambient të posaçëm dhe të përshtatshëm. Pas mbërritjes së përfaqësuesit ligjor, i mituri është lënë i lirë. Askush nuk është mbi ligjin. Mos përdorni fëmijët si mburojë politike për të justifikuar dhunën. Kush nxit dhunë duhet të mbajë përgjegjësi penale dhe politike, ndërsa policia ka për detyrë të garantojë rendin dhe të mbrojë jetën e qytetarëve” përfundoi ministrja e Brendshme.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Helmimi i studentëve në Akademinë e Sigurisë, reagon AKU

AKU ka bërë me dije se, në bashkëpunim ndërinstitucional me Akademinë e Sigurisë në Sauk, është raportuar një rast i dyshuar helmimi i disa kursantëve...
10:41 | 26/06/2026

Ministri Hoxha takim me ish-Presidentin François Hollande: Franca rol thelbësor në përcaktimin e së ardhmes evropiane

Për Ministrin Hoxha, kjo vizitë pasqyron marrëdhëniet e forta bilaterale mes dy vendeve tona, të mbështetura nga një dialog politik intensiv në nivelin më të...
14:43 | 24/06/2026

Çfarë tha Rama në mbledhjen me drejtuesit politikë? Zbardhen porositë e kryeministrit

Pas mbledhjes në selinë e Partisë Socialiste me drejtuesit politikë dhe kryeministrit Rama, gazetarja e Euronews Albania, Eksiola Shehu, solli më shumë detaje mbi atë...
10:14 | 24/06/2026