Kruja e pazarit të vjetër dhe madhështisë së “Ballkonit të Shqipërisë” në Sarasalltik
Me kalanë, muzeun e famshëm dhe historinë e lavdishme të Gjergj Kastrioti Skënderbeut, Kruja është një nga vendet më të vizituara nga turistët në Shqipëri. Megjithatë ajo ofron më shumë se kaq për vizitorët dhe aspekte të veçanta na i përcjellin “Udhëtarët” Loneta Progni dhe Renaldo Salianji në serinë e radhës.
Çarshia e vjetër e Krujës, apo njohur ndryshe si pazari, është një nga pikat më interesante të qytetit, pasi ofron plot thesare të antikuariatit, punimeve artizanale dhe suvenireve.
Ndikuar kryesisht nga stili otoman, qytete të ndryshme shqiptare, si Gjirokastra, Prizreni, Gjakova apo Tirana kanë pasur çarshi, mirëpo shumë pak kanë mundur t’i ruajnë ato. Një prej këtyre qyteteve që ia kanë dalë në këtë pikë është Kruja.
Në pazarin e Krujës gjen mjaft profesionistë, të cilët trashëgojnë mjeshtërisht punimin e metaleve, apo zejeve si dhe mbledhjen e sendeve të vjetra me vlera historike. Deri në fillim-vitet 90-të shumica punonin në ish-Ndërmarrjen Artistike, por pas mbylljes së saj ata tashmë janë bërë sipërmarrës të suksesshëm duke mbajtur gjallë etnografinë, sidomos me punimin e qelesheve dhe kostumeve popullore.
Por për të pasionuarit pas ecjeve dhe aventurës, apo dhe besimtarët që ndjekin vendet e shenjta për pelegrinazh, Kruja ofron një nga vendet më magjepsëse, siç është Sarasalltiku në Malin e Krujës (1,176 m) – në dialektin krutan “Sallsatajk” ndërsa në turqisht “Akçahisar”. Për të vajtur atje ka dy rrugë, ajo automobilistikja – përgjatë rrugës së Malit, rreth 7 kilometra larg pazarit, – ose përmes ecjes – një distancë prej 2.2 kilometrash me 550-600 metra disnivel.
Siç tregon Loneta, “Rruga e Malit” është fantastike për t’u përshkuar me makinë, apo motor pasi ofron një panoramë të jashtëzakonshme.
Në majën e Malit të Krujës ndodhet një shpellë, e cila ka dhe një burim uji që konsiderohet i shenjtë. Pranë saj ndodhet teqeja e dervishit Sari Salltik, i cili mendohet të ketë jetuar aty në fund-vitet 1200. Dervishi vlerësohet për përhapjen e fesë dhe kulturës së tolerancës, ndërsa vendi cilësohet i shenjtë dhe të shumtë janë ata që e vizitojnë atë.
Por Kruja është e njohur edhe për kulinarinë, ku ndër pjatat më të veçanta është kabunia, një ëmbëlsirë e gatuar me mish, oriz dhe e përzierë me rrush të thatë, arra dhe sheqer duke i dhënë një shije të karamelizuar.
Deri më tani “Udhëtarët” kanë eksploruar pothuajse gjithë veriun, ndërsa deri në fund të muajit korrik pritet të vizitojnë të gjitha vendet e tjera të Shqipërisë.
LEXONI GJITHASHTU:
Liqeni i Lepurit në Tiranë, thesar i fshehur natyror mes maleve
Si u zbulua në Leskovik liqeni termal nëntokësor më i madh në botë
- 23:16 Mot i keq në Shkodër, autoritetet apel qytetarëve: Shmangni zonat me risk
- 23:07 “Opozitë e krimit”! Protestuesit nga selia e PS-së shkojnë para selisë së PD-së
- 22:35 Tajani: Është SHBA-ja ajo që “duhet ta ndalojë Izraelin” për paqen në LM
- 22:33 SHBA tërheq trupat nga Lituania
- 22:28 Qytetarët bllokojnë rrugën pranë selisë së PS-së, thirrje të rinjve: Ngrihuni nga kafet
- 22:27 Irani shënjestron anijen amerikane në Gjirin e Omanit! Araghchi: Nëse Izraeli sulmon Bejrutin, rifillon lufta