Gjermani Dirk Schubel emërohet përfaqësues i posaçëm i BE-së në Kosovë

13 Korrik 2026 | 12:44

Dirk Schübel është emëruar Përfaqësues i ri Special i Bashkimit Evropian për Kosovën. Ai do ta marrë detyrën më 1 shtator 2026, me një mandat fillestar dyvjeçar, duke pasuar Aivo Oravin, ka njoftuar Këshilli i BE-së.

Dirk Schübel është shtetas gjerman dhe diplomat i lartë evropian me përvojë të gjerë në pozita drejtuese në Shërbimin Evropian për Veprim të Jashtëm (EEAS), Komisionin Evropian, si dhe në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë. Aktualisht ai shërben si drejtor i Divizionit për Rusinë në EEAS.

Më parë, ai ka qenë i Dërguar Special i BE-së për Partneritetin Lindor nga viti 2022 deri në vitin 2024. Gjithashtu, ka drejtuar Delegacionin e BE-së në Bjellorusi nga viti 2019 deri në vitin 2022 dhe Delegacionin e BE-së në Moldavi nga viti 2009 deri në vitin 2013, ku ka luajtur rol kyç në avancimin e angazhimit të BE-së me fqinjësinë lindore.

Mandati i Përfaqësuesit Special fokusohet në promovimin e një Kosove të qëndrueshme, demokratike dhe shumetnike, duke mbështetur perspektivën e saj evropiane përmes komunikimit publik dhe aktiviteteve të informimit. Përgjegjësitë kryesore përfshijnë monitorimin e progresit në prioritetet politike, ekonomike dhe të sigurisë, kontributin në konsolidimin e të drejtave të njeriut, sundimit të ligjit dhe mbrojtjes së pakicave, si dhe promovimin e koordinimit të përgjithshëm politik të BE-së për të siguruar një prani të bashkërenduar dhe të dukshme të Unionit.

Po ashtu, mandati përfshin ofrimin e udhëzimeve politike në nivel lokal për Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX Kosovë) dhe mbështetjen e Dialogut Beograd–Prishtinë për të nxitur stabilitetin rajonal dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Bordi i Paqes: Trupat e FSK-së i bashkohen forcës shumëkombëshe për stabilizimin e Gazës

Forca Ndërkombëtare Stabilizuese (ISF), misioni shumëkombësh paqeruajtës me mandat ndërkombëtar për stabilizimin e Gazës, ka mirëpritur sot kontingjentin e dytë të ushtarakëve të Forcës së...
09:26 | 13/07/2026

Kurti dhe Abdixhiku shprehin gatishmëri për vazhdimin e bisedimeve për një marrëveshje për institucionet e reja

Lideri i partisë në pushtet Lëvizja Vetëvendosje, kryeministri në detyrë Albin Kurti, dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhikun, zhvilluan të premten...
21:43 | 10/07/2026

Takimi Kurti-Hamza përfundon pa rezultat konkret, vijojnë negociatat për institucionet e reja në Kosovë

Takimi mes kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, nuk solli asnjë marrëveshje konkrete për formimin...
17:39 | 10/07/2026