English

Artes Ferruni, shqiptarja e parë që vlerësohet në çmimet Emmy

KOMENTE

SHPERNDAJE
ARTIKULLIN

Text sizeAa Aa

Kreative, këmbëngulëse, shumë-dimensionale, këto janë tre fjalët që mund të përshkruajnë më mirë shqiptaren e parë që nderohet me çmimin  Young Creative, në Emmy. Në mënyrë krejtësisht autodidakte, Artes Ferruni mësoi se si të realizojë video duke u përpjekur që përmes tyre të përcjellë mesazhe frymëzuese si dhe të ndajë eksperiencat e saj jetësore me një publik të gjerë.

- Advertisement -

“Përpiqem në çdo video të transmetoj një mesazh… të ndaj eksperiencën time jetësore, eksperienca interesante të njerëzve të tjerë apo gjëra që ndodhin përreth botës. Çdo gjë është inspirim,” tregon Artes.

Ndonëse e reja ka punuar fort për të patur sukses fillimisht në fushën e kërcimit dhe tanimë si regjisore dhe krijuese videosh, ajo ka mësuar se të bësh me pasion dhe përkushtim punën tënde është e mjaftueshme. Suksesi nga ana tjetër e gjen vetë rrugën për të trokitur në derë.

“Kur e bën diçka duhet të mos kesh pritshmëri, por të këmbëngulësh, të japësh maksimumin, duke i lënë pritshmëritë dhe duke i thënë vetes se çfarë është për mua, çfarë ka për të ardhur do të vijë,” tregon regjisorja e re.

“Atëherë fillon një lloj magjie. Këtë e kam mësuar këtë vit që kanë filluar të më vijnë më shumë gjëra. Unë kam bërë pjesën time ndërsa gjithçka tjetër ka ardhur vetë”, shprehet 25-vjeçarja.

Video e titulluar “It Starts Within”, që jep mesazhin e paqes dhe ndryshimeve që nisin së brendshmi i dhanë artistes energjike më tepër vetëbesim dhe nxitje për të vijuar me projekte të reja. Artes e cilëson një ëndërr eksperiencën në Emmy pavarësisht se thotë se konkurroi me nxitim dhe se shprehet modeste duke thënë se po të kishte pasur më shumë kohë do të kishte bërë një punë akoma më të mirë.

“Shkova në Nju Jork. Aty kishte tapet të kuq, mbrëmje gala. Takova producentë, regjisorë nga e gjithë bota. Kulmi ishte kur takova krijuesit e “Game of Thrones”, që unë i kam gati idhuj edhe që më përgëzuan për çdo gjë. Çdo gjë që ndodhi në Nju Jork ishte vërtet një ëndërr, një eksperiencë shumë magjike për mua” rrëfen ajo.

25-vjeçarja ndjen mirënjohje ndaj vështirësive që ka patur në jetë, pasi sipas saj ato e kanë bërë edhe më të fortë, më kërkuese ndaj vetes duke e çuar drejt rrugëve të suksesit ku po ecën sot.

“Vështirësitë gjatë jetës të bëjnë të mësosh edhe më shumë nëse je person i hapur. Thelbi i çdo gjëje në fund të ditës është perspektiva që ke për jetën. Nëse ke një mentalitet të tillë, që i thua vetes çdo gjë ndodh për një arsye, mund të mësoj nga çdo eksperiencë e jetës, atëherë ke për t’u rritur,” – përmbyll Ferruni eksperiencën e saj.

Regjisorja e re ndihet qytetare e botës. Në të ardhmen e sheh veten duke udhëtuar kudo që do të ketë projekte, por tregon se baza e saj do të jetë gjithmonë Shqipëria.

Etiketimet

TË FUNDIT

Sondazh

Vetëvendosje del forcë e parë në Kosovë, por nuk siguron shumicën! A mendoni se Kurti do ta formojë dot qeverinë e re?