Autorizohet nisja e hetimeve për keqpërdorime të mundshme zgjedhore në Drenas

26 Janar 2026 | 16:44

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar Policinë e Kosovës që të nisë grumbullimin e informacioneve, të sigurojë prova dhe të evidentojë shkelje të mundshme nga persona përgjegjës, pas dyshimeve për manipulime zgjedhore në komunën e Drenasit.

Vendimi për autorizimin e Policisë erdhi pasi gjatë procesit të rinumërimit të votave për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, është vërejtur “mospërputhje lidhur me rezultatet e kandidatëve për deputetë pas përfundimit të procesit të rinumërimit në komunën e Drenasit”, u tha në njoftim.

Hetime të ngjashme po kryhen edhe në komuna të tjera, përfshirë në Ferizaj dhe Malishevë, teksa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka urdhëruar rinumërimin e plotë të votave të rregullta, pasi vërejti mospërputhje të votave të kandidatëve për deputetë.

Në Prizren – komunën që vlerësohet se ka pasur mospërputhje më të madhe të votave të kandidatëve për deputetë – javën e kaluar u ndaluan 109 persona nën dyshime për manipulim të rezultatit zgjedhor. Më pas, gjykata shqiptoi një muaj paraburgim ndaj 23 prej tyre.

Më 9 janar, KQZ-ja kishte njoftua se kishte përfunduar procesi i numërimit të të gjitha votave. Votat e rregullta u numëruan nëpër qendrat komunale të numërimit, ndërsa votat tjera, përfshirë ato nga diaspora në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.

Gjatë procesit të numërimit, në qendrat komunale të numërimit, çdo fletëvotim kalon përmes disa kontrolleve: lexohet me zë të lartë nga një numërues, shfaqet në ekran përmes kamerës dhe regjistrohet në sistem elektronik nga një zyrtar tjetër, ndërsa një person i tretë e verifikon fletën.

Megjithatë, manipulimi thuhet se bëhet në fazën e leximit të votave për kandidatë. Kur një fletëvotim i takon një partie, ai përmban edhe vota për disa kandidatë. Numëruesi mund të ndryshojë verbalisht numrin e kandidatit të votuar, duke e zëvendësuar me numrin e një kandidati tjetër.

Kështu, sistemi regjistron votë për kandidatin e gabuar, edhe pse fletëvotimi real tregon diçka tjetër. Numri i votave për parti nuk ndryshon, vetëm ndryshon numri i votave për kandidatë brenda të njëjtës parti.

Në Kosovë manipulimi i votave është vepër penale e dënueshme me burgim. Ndryshe, sipas rezultateve preliminare, Lëvizja Vetëvendosje është fituesja e zgjedhjeve me mbi 51 për qind të votave të fituara. Ajo pritet të ketë 57 ulëse në legjislaturën e dhjetë./ REL

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Haziri: Vjosa Osmani mbetet emri i vetëm i LDK-së për presidente, askush mbi Republikën

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka reaguar pas debatit publik lidhur me qëndrimet e partisë për proceset politike që pritet të zhvillohen...
17:55 | 24/06/2026

Haziri: Votat e LDK-së mund të unifikohen vetëm për president nga radhët e partisë

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) mund të unifikohet dhe t’i ofrojë votat e 18 deputetëve të saj në Kuvendin e Kosovës, nëse Lëvizja Vetëvendosje, si...
16:22 | 24/06/2026

Kreu i Veteranëve të UÇK: Dritan Goxhaj nuk ka qenë anëtar i organizatës, firma e letrës është origjinale

Në një lidhje live për Euronews Albania me Thimi Samaraxhiun, komandanti Hysni Gucati dha më shumë detaje sa i përket debatit lidhur me Dritan Goxhajn...
12:43 | 24/06/2026