BE ‘pret’ nga Kosova formim të shpejtë të institucioneve

30 Dhjetor 2025 | 18:34

Në një deklaratë të përbashkët, përfaqësuesja e Lartë e Komisionit Evropian, Kaja Kallas dhe komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, kanë dhënë qëndrim pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit.

Ato përcjellin thirrjen e Bashkimit Evropian për një formim të shpejtë të institucioneve, ndërsa vlerësojnë se procesi zgjedhor reflektoi demokracinë në vend.

“Pas bllokadës politike pas zgjedhjeve të shkurtit 2025, presim formimin e shpejtë të Kuvendit dhe Qeverisë së re dhe vazhdimin e angazhimit tonë me autoritetet. Qeveria e re duhet të shtojë përpjekjet për reformat e domosdoshme lidhur me BE-në. Bashkimi Evropian vlerëson pjesëmarrjen aktive të të gjitha komuniteteve dhe partive të tyre politike në zgjedhje. Procesi zgjedhor tregoi një angazhim të fortë ndaj parimeve demokratike”.

Ndërsa për marrëdhëniet Kosovë-Serbi, Bashkimi Evropian cilëson se mbetet një proces që duhet çuar drejt normalizimit.

“Normalizimi i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, i facilituar nga BE-ja, vazhdon të jetë mënyra e vetme që të dyja vendet të bëjnë përparim në rrugët e tyre evropiane. Presim që të gjitha detyrimet që rrjedhin nga Marrëveshja për Rrugën drejt Normalizimit, si dhe të gjitha marrëveshjet e mëparshme të Dialogut, të zbatohen pa vonesa apo kushte të mëtejshme. BE-ja është gati të organizojë një takim në nivel të lartë sapo kushtet e lejojnë”.

Bashkimi Evropian, sipas deklaratës, ka dërguar një Mision Ekspert Zgjedhor (EEM) i cili do të qëndrojë në Kosovë për të ndjekur procedurat paszgjedhore.

“Ne i bëjmë thirrje Kuvendit, sapo të formohet, të ratifikojë marrëveshjet lidhur me Planin e Rritjes. Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor është një instrument i kohëzuar i miratuar për periudhën 2024-2027 dhe është në interes të Kosovës që ratifikimi të bëhet sa më shpejt për të përfituar të gjitha mundësitë nën Planin e Rritjes, për të mirën e popullsisë së saj”, shkruan deklarata”.

BE rikujton se heqja e masave ndaj Kosovës ka filluar ndërsa vazhdon synimi për lirimin e mëtutjeshëm të fondeve.

“Për të kujtuar, BE-ja po ecën përpara për të hequr masat ndaj Kosovës. 216 milionë EUR ndihmë financiare janë liruar tashmë pas transferimit të rregullt të pushtetit lokal pas zgjedhjeve lokale të fundit. Ne gjithashtu synojmë të lirojmë 205 milionë EUR shtesë në fillim të vitit të ardhshëm”./ KosovaPress

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Haziri: Vjosa Osmani mbetet emri i vetëm i LDK-së për presidente, askush mbi Republikën

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka reaguar pas debatit publik lidhur me qëndrimet e partisë për proceset politike që pritet të zhvillohen...
17:55 | 24/06/2026

Haziri: Votat e LDK-së mund të unifikohen vetëm për president nga radhët e partisë

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) mund të unifikohet dhe t’i ofrojë votat e 18 deputetëve të saj në Kuvendin e Kosovës, nëse Lëvizja Vetëvendosje, si...
16:22 | 24/06/2026

Kreu i Veteranëve të UÇK: Dritan Goxhaj nuk ka qenë anëtar i organizatës, firma e letrës është origjinale

Në një lidhje live për Euronews Albania me Thimi Samaraxhiun, komandanti Hysni Gucati dha më shumë detaje sa i përket debatit lidhur me Dritan Goxhajn...
12:43 | 24/06/2026