Betohen kryetarët e rinj serbë të komunave në veri të Kosovës
Në katër komunat në veri të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – më 5 dhjetor u mbajtën seancat konstituive, në të cilat kryetarët e rinj nga Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – e rimorën edhe zyrtarisht pushtetin, duke e bërë betimin.
Ceremonia e betimit të tyre u mbajt në prani të simboleve shtetërore të Kosovës, dhe me raste u panë edhe flamuj të shtetit të Serbisë.
Ministri në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, tha në Facebook se “gjithçka u zhvilllua në rregull dhe në përputhje me dispozitat që burojnë nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës” në seancat konstituive në kuvendet komunale në mbarë vendin.
“Kryetarëve të rinj u uroj një mandat të suksesshëm dhe u dëshiroj punë të mbarë”, shkroi Krasniqi.
Komuna me shumicë serbe në veri u udhëhoqën nga kryetarë shqiptarë që nga maji i viti 2023, pasi ata nga Lista Serbe kishin dhënë dorëheqjen në nëntor të vitit 2022 si pjesë e largimit kolektiv të serbëve nga institucionet, në shenjë kundërshtimi me vendimet e Qeverisë së Kosovës.
Lista Serbe – parti që gëzon mbështetjen e Beogradit – gjatë fushatës parazgjedhore për zgjedhjet lokale, kishte pranuar se kishte gabuar kur ishte larguar nga institucionet dhe kishte theksuar se ky vendim ishte marrë për të tërhequr vëmendjen e komunitetit ndërkombëtar mbi “gjendjen e vështirë” të serbëve.
Kryetari i Listës Serbe, Zllatan Ellek, tha më 3 dhjetor se kryetarët e rinj të komunave – Millan Radojeviç në Mitrovicë të Veriut, Zoran Todiç në Leposaviç, Dragisha Milloviç në Zveçan dhe Millosh Peroviç në Zubin Potok – pas marrjes së detyrës do të kërkojnë të kenë qasje në dokumentacionin e plotë.
Lista Serbe, gjithashtu, më parë kishte njoftuar se do t’i anulonte vendimet “jolegjitime” që kanë marrë kryetarët shqiptarë të komunave në veri.
Pas zgjedhjeve lokale të tetorit, Bashkimi Evropian kishte deklaruar për Radion Evropa e Lirë se pret që pushteti i ri lokal në veri të Kosovës, në bashkëpunim me institucionet qendrore, në periudhën e ardhshme do të “qëndrojë konstruktiv në zgjidhjen e nevojave dhe kërkesave të popullatës përmes institucioneve dhe në përputhje me ligjet”.
LEXONI GJITHASHTU:
- Lista Serbe merr pushtetin në komunat në veri të Kosovës
- Dënohet një person për sulm ndaj KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në Zveçan
Gjermani Dirk Schubel emërohet përfaqësues i posaçëm i BE-së në Kosovë
Bordi i Paqes: Trupat e FSK-së i bashkohen forcës shumëkombëshe për stabilizimin e Gazës
Kurti dhe Abdixhiku shprehin gatishmëri për vazhdimin e bisedimeve për një marrëveshje për institucionet e reja
- 17:20 Rifillimi i sulmeve SHBA-Iran rrit sërish çmimin e naftës
- 17:12 Sulmet ndaj Teheranit, SHBA: Goditëm një nëndetëse dhe një bazë për mirëmbajtjen e anijeve në Iran (VIDEO)
- 17:01 Humbi jetën në moshën 25-vjeçare, autoritetet nisin hetimet për vdekjen e futbollistit Jayden Adams
- 16:53 Tensionet në Lindjen e Mesme, Jemeni mbyll të gjitha aeroportet pas sulmit në pistën e Sanaas
- 16:50 Kritika ndaj ish-kryeministrit spanjoll, Mariano Rajoy pas deklaratave për ekipin francez
- 16:36 GJKKO kthen dosjen e ish-kryebashkiakut të Kavajës Elvis Roshi