Debat për amnistinë në RMV, ministri i Drejtësisë tërheq listën e dërguar në presidencë
Një propozim për faljen nga presidenti të 48 të dënuarve me rastin e festave të fundvitit, të përpiluar nga Ministria e Drejtësisë, ngriti në këmbë opinionin e Maqedonisë së Veriut. Mes emrave të të dënuarave, janë disa personazhe mjaft të kontestuar qoftë nga shqiptarët, qoftë nga maqedonasit.
Partia Alternativa ka kërcënuar me dalje nga koalicioni, nëse Boban Iliçit, autori i vrasjes së një 4-vjeçari në Kumanovë, do të falet nga presidenti.
“Kërkojmë publikisht edhe nga kryeministri Zaev që t’ia kujtojë vartësit të tij, ministrit të Drejtësisë Mariçiq se më 5 dhjetor ai ka nënshkruar me kryetarin e “Alternativës”, Afrim Gashi, një marrëveshje bashkëpunimi në të cilën njëra nga 9 pikat ka qenë edhe dakordimi që Qeveria e Maqedonisë së Veriut të kërkojë nga Komisioni Evropian një hetim ndërkombëtar për rastet gjyqësore për të cilat dyshohet se ka implikim politik, ku është përfshirë edhe rasti i Almir Aliut. Menjëherë të fillojë zbatimi i marrëveshjes së dakorduar Gashi-Zaev ku ky rast duhet të marr një udhë tjetër”, u shpreh Nurxhan Asanovska, zëdhënëse e Alternativës.
Partia tjetër, Aleanca për shqiptarët ka lyer derën hyrëse të Ministrisë së Drejtësisë me ngjyrë të kuqe, duke e simbolizuar gjakun e Almirit të vogël 4-vjeçar. Omer Ajdini nga kjo parti kërkoi dorëheqjen e ministrit dhe zëvendësministrit.
“Jemi sot këtu para Ministrisë së (pa)Drejtësisë, për të shprehur indinjatën tonë të thellë lidhur me iniciativën e po kësaj Ministrie për të kërkuar falje për kriminelët dhe hajdutët në këtë shtet. Bie fjala për vrasësin e Almirit, Boban Iliç, për kriminelët që vodhën buxhetin e shtetit mbi 17 milionë euro si Sead Koçan e raste të tilla. Ky është kulmi dhe më nuk durohet. Këto janë njerëzit të cilët janë të gatshëm të shkelin mbi gjakun e Almirit, janë të gatshëm të shkelin mbi gjakun tonë, mbi gjakun e qytetarëve, vetëm për t’i mbrojtur pozitat e tyre ministrore”, tha Omer Ajdini.
Brenda paradites, pas kontestimeve, ministri i Drejtësisë, Bojan Mariçiq tërhoqi listën, me argumentin se lista nuk ishte propozim i tij, por i drejtorive të burgjeve.
“Për dallim nga procedura e rregullt e faljeve, kjo procedurë e jashtëzakonshme e çdo fundviti nuk shkon me kërkesë të të dënuarve dhe propozim të Ministrisë së Drejtësisë, por shkon direkt me propozim të Burgjeve. Të gjitha burgjet në shtet japin lista me persona që formalisht i plotësojnë kushtet për shkurtimin e dënimit. Ne si ministri e Drejtësisë këtë listë e përcjellim te Presidenti ku ka dy filtra plotësues. Kjo listë nuk ishte përfundimtare dhe duhej shqyrtuar në mënyrë plotësuese. Pasi pamë emrat, qysh të premten, unë u paraqita te Kabineti i Presidentit dhe thash që kjo listë nuk do të duhej të shkonte te Komisioni dhe se e njëjta duhej sërish të shqyrtohej. Dhe gjatë kësaj bisede, në mëngjes dërguam shkresë për tërheqjen e kësaj liste”, tha Bojan Mariçiq.
Deklarata e ministres serbe për spastrim etnik, reagon Ali Ahmeti: Tronditëse, çnjerëzore dhe e papranueshme
Policia dhe partnerët amerikanë arrestojnë në Durrës 2 të kërkuar për vrasje nga Maqedonia e Veriut
Tre zyrtarë shqiptarë nga RMV: Nuk na lejuan të hyjmë në Shqipëri
- 18:15 “Malvinas janë argjentinas”, Britania thirrje FIFA-s të hetojë Argjentinën për banderolën që shfaqën lojtarët
- 18:00 U vonuan për shkak të luftës me Iranin, Estonia: Armët amerikane do të mbërrijnë në muajt e ardhshëm
- 17:59 Arrestohen në flagrancë dy efektivë të Komisariatit Nr. 3 në Tiranë, dyshohen për korrupsion dhe shpërdorim detyre
- 17:45 Deklarata e ministres serbe, Rama: Nuk bëhemi kor histerik sa herë del një çyryk në Beograd e flet përçart
- 17:38 Rubio: SHBA do të përqendrojë përpjekjet e saj kundër terrorizmit të ekstremit të majtë
- 17:28 Keqpërdorimet e fondeve publike, qeveria e Hungarisë i dërgon policisë raportet dhe kontratat e dyshimta